Aktualitet

Intervista e Spartak Dobit, Ulsi Manja: Nuk e njoh fare, pensionist i rënduar psikologjikisht, ka shpikur takim dhe dialog me mua

Socialisti thotë se dialogu dhe takimi janë shpikje imagjinare të një pensionisti që po vuan arrestimin e të birit.

9 Janar 2023, 10:29 Nga f.g
Intervista e Spartak Dobit, Ulsi Manja: Nuk e njoh fare, pensionist i
Ulsi Manja

TIRANE- Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja mohon çdo lidhje me Spartak Dobin, bashkëshortin e pastrueses së arrestuar për vjedhje, Rozeta Dobit. Një ditë pasi Dobi tha se kishte takuar Manjën dhe se ministri i kishte dhënë garanci për lirimin e të birit dhe ndëshkimin e gruas, socialisti thotë se dialogu dhe takimi janë shpikje imagjinare të një pensionisti që po vuan arrestimin e të birit. Manja thotë se mediat janë fajtore për keqpërdorimin që po i bëjnë situatës.

REAGIMI I PLOTE:

Mbrëmjen e djeshme u njoha me një intervistë të dhënë nga bashkëshorti dhe babai i dy të akuzuarve për vjedhjen e një shume parash në Tiranë. Kushdo që do ta shihte atë intervistë do e kuptonte lehtësisht gjendjen e rënduar të personit të intervistuar.

Dua të besoj se ishte pikërisht kjo gjendje e rënduar arsyeja që e ka shtyrë zotin Dobi të shpikë edhe takimin me mua, apo dialogun imagjinar që paskemi patur me njëri-tjetrin. Por teksa gjendja psikologjike e një pensionisti që vuan arrestimin e djalit dhe gruas mund të kuptohet, është e pajustifikueshme përdorimi që i bëhet këtij personi nga media për qëllime kryekëput politike. E vërteta është se unë kurrë nuk jam takuar me Spartak Dobin. Madje as nuk e njoh këtë person, as familjarët e tij. Sikurse unë kurrë nuk kam punuar në Bashkinë e Tiranës, pavarësisht pretendimeve të personit në fjalë. Si Ministër i Drejtësisë, unë mbështes plotësisht hetimet e organeve përgjegjëse dhe inkurajoj zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dënimin e fajtorëve.

Reagimi i Manjës vjen dy ditë pasi në Tiranë u zbulua një megavjedhje ku Rozeta Dobi, pastruese bashkë me të birin, Havierin vunë në shënjestër dhe vodhën mbi 540 mijë euro, plus një sasi të konsiderueshme florinjsh dhe sendesh me vlerë. Banesa që solli zbulimin e dyshes ishte ajo e këshilltares në Kryeministri, Alda Klosi, njëherazi ish-shefe e Kabinetit të ish-ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj. Ata vodhën te shtëpia e Klosit 120 mijë euro lekë dhe florinj. Por kjo vjedhje ka shërbyer si një shkëndijë për një tjetër çështje. Atë të burimit të parave të vjedhura. Në dëshminë e saj për mediat, Klosi thotë se paratë i kishte mbledhur për kurimin e xhaxhait ndërsa për to nuk ka asnjë faturë. /Dosja.al



ulsi manja rozeta dobi spartak dobi

Sondazh

Poll