Aktualitet

Atmosferë festive për besimtarët ortodoksë në Vlorë, Sarandë e qytete të tjera, dhjetëra të rinj zotohen të kapin Kryqin e Ujit të Bekuar

Sipas zakonit, të rinjtë u hodhën në ujë për të kapur kryqin.

6 Janar 2023, 12:50 Nga a.l
Atmosferë festive për besimtarët ortodoksë në
Rituali

VLORË-  Atmosferë festive me urime e falenderime pafund është shoqëruar kjo ditë e shënuar për besimtarët ortodoksë në Vlorë, Sarandë, Fier, Përmet, ku festohet dita e shenjtë e Ujit të Bekuar. Ceremonia është ndjeur nga dhjetëra besimtarë dhe qytetarë të tjerë në Vlorë, ku 4 të rinj u hodhën në det për të kapur kryqin, por vetëm, njëri prej tyre 19-vjeçari Athanas Davidi arriti të merrte sërish në dorë kryqin e hedhur nga prifti. Kremtimi nisi në kishë dhe pas përfundimit të meshës, u zhvillua rituali i hedhjes së kryqit në det. Prifti i kishës së “Shën Theodorit” në Vlorë, At Konstandin Prifti ka uruar besimtarët.

Rituali i hedhjes së kryqit në ujë është zhvilluar edhe në Sarandë ku besimtarët ishin në meshën në Kishë e Shën Harallambit dhe më pas iu drejtuan shëtitores. Sipas zakonit, të rinjtë u hodhën në ujë për të kapur kryqin. 22 vjeçari Andrea Baruta ishte i riu që arrit të kapte kryqin në ujë, ku mes të tjerash uroi përzemërisht gjithë besimtarët ortodoksë. 

Rituali ka vijuar edhe në Përmet, ku disa besimtarë i janë bashkuar ceremonisë së mbajtur në brigjet e lumit Vjosa nga at Ilia Tyto. Ishte 18-vjeçari Ari Koxhaku, i cili arriti të kapte kryqin që u hodh në lumë. Edhe në qytetin e Fierit është festuar dita e ujit të bekuar. Besimtarët i janë drejtuar shatërvanit në sheshin Europa, sic do vit u ndoq hedhja e kryqit në ujë që u nxorr nga 15-vjecari Anghelo Davidi.

Për besimtarët e krishterë, dita e 6 Janarit simbolizon jo vetëm ditën e pagëzimit të Zotit të tyre Jezu Krishtit, por edhe pastrimin e të gjitha ujërave të ndotur në mbarë botën, duke lajmëruar faljen e mëkateve dhe mëshirën e Perëndisë. Pas ceremonisë, besimtarët e krishterë i drejtohen Kishës për të mbushur shishe me ujë të bekuar, të cilin e marrin në shtëpi dhe e mbajnë për gjithë vitin, pasi ky ujë për ta shërben për të shëruar shpirtrat dhe trupin dhe pihet sa herë kur ata janë të sëmurë.

dita e ujit te bekuar

Sondazh

Poll