Aktualitet

Gjykata e Apelit në Durrës gjobit avokatin e Faruk Ozer: Po zvarrit procesin gjyqësor me mungesën e tij

Sërish në mungesë të tij, relatori i çështjes, gjyqtari Valbon çekrezi ka vendosur të shtyjë seancën për në një datë tjetër, të gjobisë avokatin për situatën e krijuar, si dhe të vendosë caktimin e një avokati kryesisht për mbrojtjen e shtetasit turk për t’i dhënë fund zvarritjes së procesit. 

20 Dhjetor 2022, 11:26 Nga F.M
Gjykata e Apelit në Durrës gjobit avokatin e Faruk Ozer: Po zvarrit
Faruk Ozer

TIRANË- Klodian Skënderaj, avokati shqiptar i bossit të kriptomonedhave, Faruk Ozer është gjobitur nga Gjykata e Apelit në Durrësit. Ky vendim është marrë, pasi Gjykata e Apelit Durrës ka dalë në përfundimin se mungesa e tij ka shkaktuar shtyrjen për të disatën herë të gjyqit ndaj Ozer. Avokati mbrojtës i Ozer është gjobitur me 50 mijë lekë.

Sërish në mungesë të tij, relatori i çështjes, gjyqtari Valbon çekrezi ka vendosur të shtyjë seancën për në një datë tjetër, të gjobisë avokatin për situatën e krijuar, si dhe të vendosë caktimin e një avokati kryesisht për mbrojtjen e shtetasit turk për t’i dhënë fund zvarritjes së procesit. Edhe seancën e kaluar, avokati Skënderaj nuk ishte i pranishëm, duke e mbështetur mungesën me një raport mjekësor.

Faruk Fatih Ozer ka ankimuar në Apelin e Durrësit vendimin e gjykatës së Elbasanit për ekstradimin e tij drejt Turqisë. Gjykata e rrethit gjyqësor Elbasan i ka dhënë 'OK' ekstradimit të Ozerit në Turqi, por ky vendim u ankimua me argumentin se bossit të kriptomonedhave i rrezikohet jeta në vendin që e kërkon për mashtrim. 

Faruk Ozer u kap në 30 gusht të këtij viti në jug të Shqipërisë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrimin me kriptomonedhat ndaj disa shtetasve turk.

Ozer u arratis nga Turqia në 20 prill 2021 dhe u strehua në Shqipëri. Autoritetet turke nisën një hetim më 22 prill, pas një raporti se përdoruesit nuk mund të hynin në llogaritë e tyre të kriptomonedhave Thodex dhe se pronari i kompanisë kishte ikur jashtë vendit. Bordi i Hetimit të Krimeve Financiare (MASAK) përcaktoi shumën e vjedhur nga i riu në plot 356 milionë lira. Sipas pretendimeve, shuma që ai ka marrë është 2 miliardë dollarë. Si rezultat i hetimeve të hapura, Özer u kërkua një dënim me burg për 3 krime. 

faruk ozer

Sondazh

Poll