Aktualitet

Dyshohet se porositi 137 kg kokainë nga Ekuadori, SPAK kërkon 19 vite burg për Gentian Malindin

Malindit i ulet 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar përfundimisht, SPAK kërkoi 12 vjet e 8 muaj.

19 Dhjetor 2022, 14:45 Nga A.B
Dyshohet se porositi 137 kg kokainë nga Ekuadori, SPAK kërkon 19 vite
Gentian Malindi

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kërkon 19 vite burg për Gentian Malindin, i cili akuzohet si porositës i 137 kokainës e cila mbërriti nga Ekuadori në Durrës. Malindit i ulet 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar përfundimisht, SPAK kërkoi 12 vjet e 8 muaj.

Ndaj 46-vjeçarit rëndojnë akuzat e "Trafikimi i narkotikëve", kryer në bashkëpunim, "Grupi i strukturuar kriminal" dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal".

Malindi ishte shpallur në kërkim që në vitin 2019 për porositjen e 137 kilogramëve kokainë që u gjurmuan e zëvendësuan me oriz. Pas tre viteve në kërkim nga Policia e Shtetit, Malindi ka rënë në pranga e policisë në afërsi të Vorës, teksa lëvizte me mjetin e tij. Në momentin që është ndaluar nga efektivët, Malindi u është prezantuar si qytetar i Kosovës dhe u ka dhënë një mjet identifikimi me emër tjetër. Por, verifikimet e mëtejshme kanë zbuluar se bëhet fjalë për të shpallurin në kërkim. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 1050 euro, 11 500 lekë të rinj, 3 aparate celulare dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin qarkullonte 46-vjeçari. Malindi do të hetohet për veprën penale: “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, pasi qarkullonte me dokumente identifikimi kosovare, të falsifikuara.

Droga për të cilën akuzohet Malindi u sekuestrua në Pire dhe u zëvendësua me oriz, të cilit iu vendos gjurmues, ndërsa Policia Shqiptare u sinjalizua nga vetë DEA Amerikane për të kontrolluar konetjenerin ku ishte futur dhe për të parë se kush do të dilte për të pritur 'kokainën' në Durrës. Atë ditë, në port u paraqitën dy punonjësit e Malindit, Ardian Bega dhe Altin Myslihaka, të cilët jasnë marrë tashmë të pandehur për dosjen në fjalë, ndërsa vetë Malindi u shpall në kërkim. 

Gentian Malindi është një person me precedentë penalë. Ai ka qenë edhe më herët i arrestuar dhe proceduar për trafikim të lëndëve narkotike, më konkretisht për një sasi prej 500 kilogramë hashash.

gentian malindi

Sondazh

Poll