Politike

Start Up-et dhe konflikti i interesit. A gënjen ministrja?

Pas seancës dëgjimore mes Piranjave dhe autoritetit publik, konkretisht Ministrisë së Sipërmarrjes, komisioneri vendosi pranimin e ankesës tonë dhe urdhërimin e ministrisë për dhënien e informacionit të kërkuar.

18 Dhjetor 2022, 21:23 Nga I.A
Start Up-et dhe konflikti i interesit. A gënjen ministrja?
Edona Bilali

TIRANË- Një javë më parë, Piranjat publikuan investigimin për Start Up-et, se si Ministria e Sipërmarrjes me në krye znj.Edona Bilali, kishte dhënë grante në konflikte të pastra interesi. Pas kësaj, në seancën plenare në parlament, gjatë një debati mes deputetes Ina Zhupa dhe ministres Edona Bilali, kjo e fundit deklaroi se emisioni Piranjat ka marrë përgjigje 100% brenda afateve ligjore. Lidhur me këtë deklaratë, Piranjat do ju dokumentojnë se kjo është e pavërtetë. Nuk dihet nëse ministrja Bilali gënjen apo është e painformuar, por Piranjat kanë kërkuar informacion fillimisht në datën 10 gusht për listën e projekteve fituese dhe emrat e anëtarëve të komisionit të vlerësimit. Në përgjigjen e kthyer, teksa na sqarojnë se lista është publike, anëtarët e komisionit nuk publikohen, por na sqarojnë bazën ligjore si është i ndërtuar ky komision. Piranjat ju drejtuan me një ankesë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, pas territ informativ për çfarë ne kërkuam. Pas seancës dëgjimore mes Piranjave dhe autoritetit publik, konkretisht Ministrisë së Sipërmarrjes, komisioneri vendosi pranimin e ankesës tonë dhe urdhërimin e ministrisë për dhënien e informacionit të kërkuar.

Pas kësaj, në redaksinë tonë mbërriti përgjigjja me emrat e anëtarëve të komisionit, që fillimisht për ministrinë publikimi i tyre përbënte cënimin e të dhënave personale. Por ajo që mbetet e rëndësishme, është se ministria dhe komisioni i vlerësimit duhet të japin shpjegim për konfliktet e interesit për rastet që Piranjat denoncuan një javë më parë. A ka konflikt interesi mes AADF dhe qendrës Protik? A ka konflikt interesi me Skytech dhe 3DSKY, dy kompani që kanë të njëjtët pronarë? A ka konflikt interesi ku djali i Dritan Agollit, drejtor i FZHZH, Flladi Agolli përfiton grante nga qeveria? A është “start up” website i individit Terenc Pepa me foto dhe video pasioni nga veriu i Shqipërisë? Ministria e Sipërmarrjes me në krye znj.Edona Bilali, duhet të sqarojë mbi çfarë kriteresh kanë përfituar grante nga paratë e shqiptarëve, këta individë apo ojf, subjekte etj. Pavarësisht tentativave të ministres për ta spostuar debatin në korrespodencën mes emisionit dhe institucionit që ajo drejton, interesi i publikut është se ku kanë përfunduar paratë publike për start up dhe për çfarë inovacionesh kanë përfituar rastet që Piranjat kanë denoncuar.

Marrë nga Piranjat.al

edona bilali start up

Sondazh

Poll