Politike

Mesazhe në Twitter por punë edhe në terren, Yuri Kim nis fushatën për kryetarin e ri të SPAK, takimi me Ulsi Manjën

Ambasada njofton se Kim takoi ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja me të cilin ndau progresin në zbatimin e reformës. 

23 Nëntor 2022, 13:17 Nga f.g
Mesazhe në Twitter por punë edhe në terren, Yuri Kim nis
Yuri Kim dhe Ulsi Manja

TIRANE- Një ditë pasi shkroi në Twitter se ka një dyshim për manipulimin e garës për kryetarin e ri të SPAK, ambasadorja Yuri Kim ka dalë në terren për të bërë takimet zyrtare me krerët e institucioneve që kanë lidhje direkte me zbatimin e reformës në drejtësi. Në një postim në rrjetet sociale, vetë ambasada njofton se Kim takoi ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja me të cilin ndau progresin në zbatimin e reformës. 

"Ambasadorja Yuri Kim u takua dje me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja për të shqyrtuar progresin në zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe rëndësinë e saj për aspiratat e Shqipërisë për integrimin në BE. Ambasadorja theksoi sërish që Presidenti Biden në Qershor 2021 e identifikoi luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor të sigurisë kombëtare, sepse kërcënon sigurinë, barazinë ekonomike, progresin dhe demokracinë. Takimi i paraprin pjesëmarrjes së ministrit Manja në Konferencën e 20-të Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit (IAç) në Uashington, DC, 6-10 Dhjetor."-thuhet në postimin e ambasadës.

Takimi pason deklaratën e fortë të ambasadores Kim, e cila tha dje se procesi për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK duhet të jetë transparent dhe ka bërë thirrje për mos manipulimin e tij. Postimi i Kim u pasua nga një kronikë e Zërit të Amerikës që shpjegonte se ambasadorja amrikane ka një shqetësim se gara në SPAK mund të manipulohet nga praktikat e vjetra. Gara për kreun e ri të SPAK ka shumë pikëpyetje duke nisur me mungesën e interesit fillimisht të prokurorëve për të garuar e për të vijuar më pas me emrat që kanë hyrë në lojë për të zëvendësuar Arben Krajën. Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi tre kandidaturat, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili. Të tre janë prokurorë të Prokurorisë së Posaçme. Mandati i kreut të ri të SPAK është tre vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje dhe zgjidhet me shumicën e votës së anëtarëve të KLP. Trupa e KLP do të dëgjojë platformat e tyre dhe më pas do të votojë. Kush merr shumicën, merr drejtimin e SPAK./Dosja.al

yuri kim ulsi manja gara per kreun e ri te spak

Sondazh

Poll