Aktualitet

Del nga shtrati lumi Gjadër, banorët izolohen: Hyn uji nga fqinja këtu, vetëm unë kam çizme, i marr nga shpia i çoj te stalla e lopëve

Banori kërkoi që shteti të ndërhyjë për mbylljen e shtegut pasi hyn uji nga Kaskada e Drinit.

21 Nëntor 2022, 11:11 Nga a.l
Del nga shtrati lumi Gjadër, banorët izolohen: Hyn uji nga fqinja
Banorët në Lezhë

LEZHË- Lumi në fshatin Gjadër ka dalë nga shtrati si pasojë e reshjeve intensive gjatë ditës së djeshme në vend, duke lënë të izoluara në banesa disa familje. Një banor i fshatit tregon se prej 2 vitesh preken nga përmbytjet. Një banor në fshatin Gjadër të Lezhës ka treguar se prej 2 vitesh preken nga përmbytjet. Ai kërkoi që shteti të ndërhyjë për mbylljen e shtegut pasi hyn uji nga Kaskada e Drinit.

"Ka filluar që në darkë, ishte ora 20:00 kur nisi ndërsa rreth orës 02:00 të natës erdhi në këtë masë. Garazhin e ka çuar dëm. Është e treta herë që kemi përmbytje. Nuk e di nga vjen. Ndoshta nga Kaskada e Drinit mbrapa. Hyn uji nga fqinja këtu. Nëse vazhdon me këtë ritme, për 1 orë, uji hyn brenda në shtëpi. Në vitin 2002 janë përmbytur, kam pasur 70 cm brenda. Familjarët nuk mund të dalin, nuk mund të lëvizin. Vetëm unë që kam çizme. Duhet t’i marr në shpinë, t’i çoj te stalla e lopëve dhe kaq. Kërkoj ta menaxhojnë ujin, ta mbyllin shtegun atje mbrapa. Edhe vjet jemi përmbytur, edhe këtë vit. Është bërë zinxhir", tha banori. 

Lezhë ka qenë një nga zonat më të prekura nga moti i keq. 15 banesa janë përmbytur në fshatin Gjadër, 5 banesa në Zojs dhe 3 në Kakarriq. Ndërkohë, nën ujë janë sipërfaqe të mëdha toke në Mabe, Piraj, Gjadër dhe Torovicë. Ura në fshatin Zojsit është e pakalueshme. Lumi Gjadër ka dalë nga shtrati dhe vërshon në zonën e banuar. Është bllokuar rruga Gjadër-Zojz dhe shumë banesa janë rrethuar nga uji./ Dosja.al

Sondazh

Poll