Politike

Ambasadori britanik kundër amnistisë fiskale të Ramës: E kam dëgjuar me shumë kujdes, jemi të shqetësuar

Ambasadori britanik Alastair King-Smith tha në një intervistë për Tv Klan se ka pasur diskutime të shumta me qeverinë shqiptare.

21 Korrik 2022, 21:19 Nga k.m.
Ambasadori britanik kundër amnistisë fiskale të Ramës: E kam
Alastair King-Smith

TIRANË- Pas ambasadorëve të Gjermanisë dhe Francës që u larguan nga i ashtuquajturi “konsultim” publik për nismën e amnistisë fiskale, një tjetër vend i rëndësishëm shpreh shqetësim për projektligjin. Ambasadori britanik Alastair King-Smith tha në një intervistë për Tv Klan se ka pasur diskutime të shumta me qeverinë shqiptare.

“I kemi dëgjuar me shumë kujdes, përfshirë Kryeministrin dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë. Gjithashtu dhe politikanë të ndryshëm dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ka një sërë shqetësimesh dhe mendoj se Mbretëria e Bashkuar ndan këto shqetësime me partnerët e saj ndërkombëtarë, si Bashkimi Europian. Ne jemi të shqetësuar veçanërisht për mënyrën se si masa të tilla mund të shfrytëzohen nga kriminelët apo grupet kriminale për qëllime të ndryshme.

Nuk është mbi bazën e principeve të amnistisë fiskale sepse në një mënyrë apo në një tjetër mund të ketë një ndikim pozitiv, por nga ana negative është se a mund të bëhet diçka e tillë duke shmangur kriminalitetin dhe problemet që masa të tilla sjellin. Këto janë problemet që kemi në diskutimet e tanishme dhe do të vijojmë bisedimet mbi këtë çështje për t’u siguruar se nuk do të ketë impakt. Ne jemi me të vërtetë të shqetësuar për momentin, se propozimi aktual nuk do të shmangë problemet që fola pak më parë dhe situata mund të shfrytëzohet,” – tha King-Smith.

Amnistia Fiskale është deklaruar nga qeveria si mundësia për të legalizuar paratë e të gjithë emigrantëve shqiptarë. Pasi u refuzua dhe u kundërshtua publikisht herën e parë që u propozua, u rikthye edhe njëherë me Këshillimin Kombëtar. Sipas projektligjit që ëshët prezantuar deri më tani, shteti u jep mundësinë emigrantëve që të legalizojnë deri në dy milionë euro.

Në rastet kur subjektet deklaruese duan t’i transferojnë shumat e deklaruara jashtë vendit para këtij afati, ndaj tyre parashikohet penalitet në masën 30% të shumës së transferuar. Nëse subjektet vendosin t’i investojnë pasuritë e deklaruara në tituj shtetëror, bono thesari apo obligacioni jo më të vogla se 2-vjeçare, Banka e Shqipërisë do të mbajë një tatim prej 5% të shumë totale për investimet e bëra në 4-mujorin e parë prej hyrjes në fuqi të ligjit dhe 7% pas kësaj periudhe kohore.

Projektligji parashikon në mënyrë jo shumë bindëse se politikanët dhe familjarët e tyre të afërt nuk do të mund të përfitojnë, por në kushtet e “familjarëve të afërt” kanë vendosur kriterin e gjendjes civile “në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.” Shqipëria konsiderohet si një vend me rrezik të lartë për pastrimin e parave dhe me mekanizma të dobëta ligjzbatuese për identifikimin, hetimin dhe sekuestrimin e parave të pista.

alastair king-smith amnistria fiskale

Sondazh

Poll

Politike 21 Korrik 2022, 20:32 k.m.

Lukashenko: Bjellorusia është autoritare

Aleksandër Lukashenko Lideri bjellorus, Aleksandër Lukashenko, e ka pranuar të enjten se ai udhëheq një shtet autoritar, mirë...