Aktualitet

Zjarret në vend! Ministria e Mbrojtjes: Janë aktive 3 vatra, janë shuar 24 vatra zjarri

Në 24 orët e fundit janë shuar 24 vatra zjarri, 5 prej të cilave kanë qënë problematike.

21 Korrik 2022, 12:21 Nga A.B
Zjarret në vend! Ministria e Mbrojtjes: Janë aktive 3 vatra, janë
Zjarret

TIRANË- Në territorin e Shqipërisë janë aktive 3 vatra zjarri. Ministria e Mbrojtjes ka dhënë përditësimin e fundit të situatës në vend. Sipas tyre, në 24 orët e fundit janë shuar 24 vatra zjarri, 5 prej të cilave kanë qënë problematike. Po ashtu, janë shuar tri vatrat në Qarkun e Lezhës: në Balldren, në zonën pyjore në Orosh si dhe vatra në fshatin Bërzanë, ku flakët rrezikuan zonën e mbrojtur.

NJOFTIMI I MINISTRISË:

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, gjatë këtyre 24 orëve janë shuar 24 vatra zjarri, 5 prej të cilave kanë qenë problematike duke rrezikuar zona të banura dhe zona të mbrojtura.
Janë shuar tri vatrat në Qarkun e Lezhës: në Balldren, në zonën pyjore në Orosh si dhe vatra në fshatin Bërzanë, ku flakët rrezikuan zonën e mbrojtur. Favorizimi nga era bëri që në një kohë relativisht të shkurtër zjarri të merrte përmasa të menjëhershme. Por angazhimi i 105 forcave operacionale, prej tyre 60 Forca të Armatosura, të shërbimit zjarrfikës, të shërbimit pyjor, Policisë së Shtetit, vullnetarë dhe sektori i emergjencave të bashkisë Lezhë si dhe me ndërhyrjen nga ajri të helikopterit Cougar bëri të mundur vënien nën kontroll dhe shuarjen e tij në kohë rekord. Gjithashtu janë shuar vatrat në fshatin Malajgji të Bashkisë Vau i Dejës dhe një vatër në kurrizin e Moravës, në Devoll. Gjatë këtyre 24 orëve qarqet më problematike sa i përket zjarreve kanë qenë Shkodra, Vlora dhe Lezha.

Mëngjesi i sotëm ka nisur i qetë. Aktualisht janë aktive tri vatra, të cilat po zhvillohen me intensitet të ulët: vatra në fshatin Lekbibaj në bashkinë Tropojë, në fshatin Shetaj dhe Bizë të bashkisë Durrës.
Për menaxhimin e situatave të krijuara nga zjarret gjatë 24 orëve janë angazhuar gjithsej 435 forca operacionale, 27 mjete tokësore dhe një mjet ajror. Strukturat e sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë me të gjitha kapacitetet nga toka dhe ajri për mbajtjen nën kontroll të situatës dhe normalizim e saj në të gjithë vendin. U bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, veçanërisht në këtë periudhë, kur edhe temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e zjarreve. Të bashkëpunojnë me pushtetin vendor dhe të raportojnë në kohë vatrat, duke kërkuar edhe ndihmën e menjëhershme të shërbimit zjarrfikës.

zjarret ne vend

Sondazh

Poll