Politike

Berisha: Rama shkoi në Bruksel si monist. Po të më ftonte do shkoja, por s’do kishte shtrëngim duarsh

Gjatë një takimi me qytetarët në Durrës, Berisha u shpreh se Rama shkoi në Bruksel si monist, pa asnjë përfaqësues të opozitës.

20 Korrik 2022, 19:53 Nga k.m.
Berisha: Rama shkoi në Bruksel si monist. Po të më ftonte do
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një takimi ditën e sotme me demokratët e Durrësit, komentoi vizitën e kryeministrit Edi Rama në Bruksel. Gjatë një takimi me qytetarët në Durrës, Berisha u shpreh se Rama shkoi në Bruksel si monist, pa asnjë përfaqësues të opozitës. Megjithatë shtoi se nëse do e kishte ftuar, kryedemokrati do të kishte shkuar me të, por nuk do të kishte pasur shtrëngime duarsh.

"Edi Rama sot ngriti flamurin e BE para Kryeministrisë. Ai flamur është flamur vlerash, i vlerave, i thesareve kulturore në radhë të parë të paçmuara, është flamur i vlerave njerëzore të lidhura me lirinë. E vërteta është që, fatkeqësi më të mëdha për atë flamur se ta mbante sot në dorë Edi Rama nuk kishte. E kam deklaruar në 7 korrik, armik, e kam thënë me bindjen më absolute, është armik sepse nuk lejon shqiptarët të votojnë. Liria votën ka. Nëse nuk ke votën, nuk ke liri, nuk ke dinjitetin. Edhe pushtuesit të lejonin të votoje, por të caktonin një përfaqësues të pushtuesit. Ky faktikisht pasi shkelmoi votën e shqiptarëve e përzuri nga PS. Nuk i konsideroj socialistët armiq, konsideroj Edi Ramën sepse dhe atyre ua hoqi votën.  Edhe sot mashtroi. 4 vite më parë hapi shampanjën, u hapën negociatat, shpërndau dekorata, hodhi fishekzjarrë. Flamuri i BE, çdo njeri që e sheh i ka ca yje, ato janë vendet anëtare, jo negociatat, s’ka yll për Turqinë që ka 20 vjet që negocion. Mashtruesi është mashtrues. Çfarë ndodh para dy vitesh? Një nga shkaqet ka qenë Shqipëria, ua tregoj unë pse. Është futur klauzola që përjashtohesh nga negociatat. Nuk ka ekzistuar më parë. E futi me insistim presidenti francez. Pse u them unë ju për Shqipërinë? Shqipëria është aksionere në këtë klauzolë për shkak të kriminalitetit shqiptar. Thotë, e keni dëgjuar, kriminalitet ka edhe Holanda, Franca. Po, ka. Por këtu nuk ka kriminalitet holandez, apo francez. Kurse atje janë bandat shqiptare. Kjo është arsyeja. 

Shkoi në Bruksel si monist, njëlloj sikur të shkonin paraardhësit e tij. Mos u çuditni. Do ju tregoj një gjë nga historia, por të vërtetë. Nga viti ’86, qeveria hungareze dhe qeveria rumune, zhvillojnë tratativa të fshehta me Brukselin për t’i pranuar në BE. Brukseli u përgjigj, jo, tha, ju nuk mund të pranoheni sepse jeni në sferën e Bashkimit Sovjetik. I vetmi vend, e thanë në konfidencë, nga ish-komunistët që mund të pranohet është Shqipëria...por Shqipëria ishte armik me të gjithë botën. Nuk ka dyshim që ky shkoi si monist në Bruksel. Ndaj unë e kam shpallur atë armik të lirisë së shqiptarëve.

Natyrisht, po të ftonte do shkoja. Por ta harrojë se do të kishte shtrëngim duarsh me mua. Nuk mund të ndodhte kurrë ajo. Do të shkoja për të përfaqësuar ju, aspiratat demokratike të shqiptarëve. Pra, shkoi si monist, u kthye si monist. Natyrisht me dosjen në shpinë të inceneratorëve, me dosjen e Portit të Durrësit,"-tha Berisha.

Po ashtu, Berisha ka prekur edhe temën e zhvendosjes së portit në Porto Romano. Duke e konsideruar një grabitje të pronës publike, Berisha i kërkoi Ramës që t’i bëjë banorët e zonës së portit aksionerë në projektin e ri, e gjithashtu nënvizoi se kryeministri po mashtron NATO-n me teorinë e bazës navale. Gjithashtu akuzoi Ramën për inceneratorët duke thënë se ka firmën e tij në skemën e grabitjes 420 milionë euroshe dhe kërkoi nga SPAK që të mos hetojë vetëm degët në këtë skandal aferash.

"Ky njeri firmosi 420 milionë euro aferë të djegësve. Nëse ju lexoni aktakuzën e Prokurorisë, ajo fillon, përdorim të metodave të paligjshme në prokurim dhe korrupsion. Por pse? Sepse Edi Rama ka firmosur aferën e madhe me negociata të mbyllura. Me negociata të mbyllura e cila është e kundraligjshme dhe ia ka kundërshtuar Agjencia e Prokuroprimeve Publike. Ç’ndodh me SPAK? SPAK nuk merret me trungun, se po të merret me trungun, “Rama boll vodhe dhe ik në qeli”, por merret me degët, se si ka shpërndarë Lefteri, se Lefteri ka vjedhur pa asnjë dyshim, por nga erdhi kjo aferë? Ai firmosi me negociata të mbyllura. Pra, ndodh gjithçka, por jo pse u akuzua, pse u hap çështja. Nuk hetohet, sepse duhet të hetohet Rama. Nuk ka njeri më të rrezikshëm se ky sot. Ky është rreziku i vërtetë i Shqipërisë. Sepse ky e di që nuk ka vend tjetër mbi tokë, përveçse në qeli. Ngado që të sillet, vendi i tij i vetëm, është qelia. Nëse sheshi ushtoi boll vodhe, ik, ushtoi i tillë sepse ai e ka vendin atje. Ai e di këtë, ndaj çdo kohë që kalon, ai bëhet më i rrezikshëm për vendin dhe Shqipërinë. Misioni ynë është sa më parë të shpëtojmë Shqipërinë nga ky regjim,"-shtoi ai.

sali berisha

Sondazh

Poll