Aktualitet

Sulmi kibernetik ndaj portaleve qeveritare, rikthehet e-Albania, rinis regjistrimi për shkollat

Të gjithë qytetarët që duan të shkarkojnë dokumente tashmë portali e-Albania i është rikthyer normalitetit dhe është në funksion për 1118, nga 1225 shërbimet elektronike që ofron për qytetarët. 

20 Korrik 2022, 16:33 Nga k.m.
Sulmi kibernetik ndaj portaleve qeveritare, rikthehet e-Albania, rinis
e-Albania

TIRANË- Rikthehet shërbimi në e-Albania. Të gjithë qytetarët që duan të shkarkojnë dokumente tashmë portali e-Albania i është rikthyer normalitetit dhe është në funksion për 1118, nga 1225 shërbimet elektronike që ofron për qytetarët. Kryeministria bën me dije përmes një njoftimi zyrtar se tashmë mund të gjenerohen sërish nga platforma digjitale, si psh: dokumentet me vulë elektronike - certifikatat e gjendjes civile, vërtetimet tatimore, ekstraktet dhe certifikata e regjistrimit të biznesit, vërtetimet e papunësisë, certifikata e gjendjes gjyqësore (dëshmia e penalitetit), e po ashtu do të mund të aplikohet për regjistrimin në klasën e parë dhe të dhjetë të nxënësve si dhe për shërbimet e regjistrimit të biznesit, etj.

Por për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, portali e- albania, për arsye të larta sigurie, do të bëhet funksional së shpejti. Ndërkaq AKSHI-t, së bashku me skuadrën e Microsoft DART (Detection and Response Team) dhe partnerët e “Jones Group International”, po vijojnë punën me intensitet të plotë për t’ju kthyer qytetarëve edhe: Shërbimet e regjistrimeve dhe të ndryshimeve të pronarëve përfitues; Vërtetimin e ndihmës ekononomike, pagesës së paaftësisë së kufizuar dhe kërkesës për të përfituar nga programet e strehimit social; Për shërbimet e rezervimit të takimit për kryerje konsulte e ekzaminimi mjekësor; Për listën e notave dhe vërtetimin e diplomës për studentet që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës; Për shërbimet konsullore, për shqiptarët jashtë vendit; Shërbimet e certifikatave të regjistrimit të objekteve të pronësisë industriale; Njehsimin e diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja; Si dhe për kryerjen e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike.

"Duke falënderuar edhe një herë çdo qytetar, biznes, punonjës administrate, shtetas të huaj në Republikën e Shqipërisë, për durimin, kërkojmë mirëkuptimin në rast të ndonjë problemi me të cilin mund të hasemi, përgjatë këtij procesi e kësaj kundërofensive ndaj sulmit kibernetik, që s’ishe parë ndonjëherë më parë në vendin tonë. Sigurojmë edhe një herë gjithë qytetarët shqiptarë se do të vijojmë punën deri në rikthimin në funksion të plotë të çdo shërbimi,"- thuhet në njoftimin e shpërndarë nga AKSHI për mediat dhe qytetarët.

Sulmi klibernetik në platformat qeveritare online ka nisur që mesditën e së premtes, ku është pikasur nga platformat e monitorimit për sigurinë kibernetike të ngritura për sistemet dhe infrastrukturat qeveritare. Zyrtarisht autoritetet shtetërore flasin për një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që ka ndodhur në vendet e tjera, por Top Channel shkruan se sulmi vjen nga Irani dhe se hackerat kërkojnë shpërblim 30 milionë dollarë në bitcoin. Rama ka mohuar pretendimet, duke kërkuar që mediat mos të shpërndajnë lajme të rreme. Ndërsa sulmin kibernetik komentoi edhe në Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE. 

hackerat sulmojne shqiperine e-albania

Sondazh

Poll