Aktualitet

DINAMIKA E PLOTË/ 3 V-të e masakrës së Fushë-Krujës, sekuestrohen 3 telefona dhe 60 orë pamje filmike, si u vendosën killerat në pritë

Policia dyshon se janë 2 makina Volksvagen që u përdorën në atentat, një nga personat që sinjalizonin për lëvizjet e Brilant Martinajt me dy shokët dhe një ku ndodheshin vrasësit.

20 Korrik 2022, 12:34 Nga f.g
DINAMIKA E PLOTË/ 3 V-të e masakrës së
Foto ilustruese

TIRANE- 3 aparate celularë janë gjetur në makinën tip Volksvagen ku ndodhi masakra e Fushë-Krujës. Burime për Dosja.al, bëjnë me dije se janë gjetur 3 aparate celularë, njëri i dëmtuar rëndë ndërsa 2 të tjerët, pjesërisht.  Telefonat janë në duart e ekspertëve të Policisë Shkencore të cilët do të përpiqen të zbërthejnë aparatin për të shpëtuar komunikimet e fundit të ditës së atentatit, duke zbardhur dinamikën dhe mënyrën sesi Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata u nxorrën në pritë.

Po të njëjtat burime, i thanë Dosja.al, se janë sekuestruar, zbardhur rreth 60 orë pamje filmike të rrugëve në zonë, nga ku është ndërtuar pjesërisht skema e mundshme e atentatit. Policia ka ndërtuar skemën sesi makina e viktimave ka lëvizur nga ofiçina deri në vendin e krimit.

Një makinë është shënjuar nga policia pasi është e pozicionuar në pamje pranë mbikalimit dhe është përshtatur në mënyrë perfekte në pritën e atentatit. Makina e gjurmimit ka qenë një tip Volksvagen, po ashtu edhe makina e vrasësve. Policia dyshon se janë 2 makina Volksvagen që u përdorën në atentat, një nga personat që sinjalizonin për lëvizjet e Brilant Martinajt me dy shokët dhe një ku ndodheshin vrasësit.

Por si për ironi të fatit, Volksvagen është marka edhe e makinës ku ndodheshin 3 viktimat. Shoferi i makinës që kreu masakrën ka lëvizur në rrugën kryesore Vorë - Fushë Krujë dhe është parkuar pak metra larg mbikalimit dhe ka pritur 3 miqtë për të lëshuar breshërinë e plumbave, që ekspertiza paraprake ka zbuluar se janë plot 90 fishekë. 

Si ndodhi ngjarja makabre? Mesditën e të dielës, në rrugën kryesore që lidh Fushë-Krujën me Tiranën, një pritë iu bë makinës ku po udhëtonin tre të rinj, Besmir Hoxha, Brilant Martinaj dhe Dikler Vata. Disa persona, një skuadër e identifikuar deri më tani si me 5 anëtarë ka ekzekutuar në mënyrë makabre 3 të rinjtë duke djegur edhe makinën ku ata po udhëtonin. Njëri prej tyre, Dikler Vata zbriti nga mjeti i plagosur duke tentuar të shpëtonte por autorët u kthyen dhe e qëlluan përsëri duke u siguruar që e vranë. Shënjestra e atentatit sipas burimeve nga grupi hetimor është Brilant Martinaj, kushëri i parë me biznesmenin e përfshirë në disa ngjarje kriminale, Ervis Martinaj. Sot janë zbuluar edhe të dyshuarit e parë të ngjarjes së rëndë. Në pyetje pritet të merren Endrit Dokle dhe Ramazan Rraja, e po ashtu edhe Gentian Reci, Fation Murati, Alesio Dobrozi dhe Rohan Brahimi. Këta persona janë të dyshuarit kryesorë të masakrës së Fushë Krujës, një ngjarje makabre që lidhet me përplasjen e bandave në zonën e Kurbinit. 

brilant martinaj masakra e fushe krujes dikler vata besmir hoxha

Sondazh

Poll