Politike

E-albania jashtë funksionit, PD: Janë bllokuar shërbimet, të dhënat e qytetarëve në rrezik

Me anë të një deklarate për mediat, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Jola Hysaj u shpreh se të dhënat e qytetarëve ishin të rrezikuara në një situatë të tillë

19 Korrik 2022, 16:10 Nga e.k
E-albania jashtë funksionit, PD: Janë bllokuar shërbimet, të
Jola Hysaj

TIRANË- Partia Demokratike ka reagur ditën e sotme në lidhje me me mos-funksionimin e shërbimit online në “e-Albania” prej disa ditësh. Me anë të një deklarate për mediat, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Jola Hysaj u shpreh se të dhënat e qytetarëve ishin të rrezikuara në një situatë të tillë

"Raportimet që na vijnë nga terreni bëjnë me dije për bllokim total, që nga marrja e certifikatave familjare apo mjekësore, pensioneve, rrogave, e me radhë. Edhe tatimet dhe gjykatat janë bllokuar në disa prej funksioneve më bazike. Një ditë e vetme mjaftoi për të kuptuar se pse platforma dhe reforma qeveritare, bashkë me qindra shërbime online, për të cilat kryeministri mburrej, rezultuan një fluskë e madhe. Një shërbim amator dhe i politizuar si AKSHI i qeverisë, ka dëshmuar edhe njëherë se, më shumë se shërbime u bën dëm qytetarëve shqiptarë", tha Hysaj.

DEKLARATA E SEKRETARES PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN PD, JOLA HYSAJ

Serveri i qeverisë vazhdon të jetë i rënë, gjë që ka paralizuar me qindra shërbime të domosdoshme, duke e kthyer Shqipërinë në epokën para internetit. Raportimet që na vijnë nga terreni bëjnë me dije për bllokim total, që nga marrja e certifikatave familjare apo mjekësore, pensioneve, rrogave, e me radhë. Edhe tatimet dhe gjykatat janë bllokuar në disa prej funksioneve më bazike. Një ditë e vetme mjaftoi për të kuptuar se pse platforma dhe reforma qeveritare, bashkë me qindra shërbime online, për të cilat kryeministri mburrej, rezultuan një fluskë e madhe. Një shërbim amator dhe i politizuar si AKSHI i qeverisë, ka dëshmuar edhe njëherë se, më shumë se shërbime u bën dëm qytetarëve shqiptarë.

Partia Demokratike u bën thirrje organeve përgjegjëse të hulumtojnë mbi atë që qeveria e ka lajmëruar si hakerim. Nuk është hera e parë që të dhënat e qytetarëve derdhen rrugëve digjitale dhe bien në duar të pasigurta. Ne gjithashtu dyshojmë te profesionalizmi dhe gatishmëria e AKSHI-t për tu përballur me skenarë të tillë. Një pyetje që bëjmë në emër të qytetarëve është: Pse nuk ka një server të dytë i cili të shërbejë si host i databazave të të dhënave? Kjo është një masë që edhe një portal lajmesh e merr. Ky është një kriter normal në botën digjitale. Çdo orë që kalon e shton kaosin dhe mundimin e qytetarëve për të aksesuar shërbimet jetike, siç rrezikon të dhënat e secilit prej nesh.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi disa ditë më parë se është detyruar të mbyllë përkohësisht aksesin e tyre në shërbimet publike për shkak të një sulmi kibernetik. Në njoftim thuhej se për një kohë të pacaktuar qytetarët nuk do të mund të kenë akses në faqet e shërbimeve online si dhe ato qeveritare deri në momentin që të neutralizohen sulmet dhe të jenë të sigurta, duke mos rrezikuar të dhënat personale. Opozita nga ana tjetër ka hedhur dyshime mbi sulmin kibernetik që i është bërë sistemit e-albania dhe shërbimeve qeveritare, duke pretenduar se mund të jetë 'orkestruar' nga vetë qeveria. 

partia demokratike jola hysaj

Sondazh

Poll