Politike

Ditë historike për Shqipërinë, çfarë nënkupton çelja e negociatave për vendin tonë

Hapja e negociatave do të thotë një proces teknik që nis me kontrollin e plotë të administratës shtetërore shqiptare dhe të gjithë legjislacionit shqiptar që të përafrohet me legjislacionin e Bashkimit Europian.

19 Korrik 2022, 10:42 Nga A.B
Ditë historike për Shqipërinë, çfarë
Edi Rama

TIRANË- Ditën e sotme wshtw zhvilluar konferenca e parë ndërqeveritare me Bashkimin Europian, për çeljen e negociatave të Shqipërisë drejt BE-së. Hapja e negociatave do të thotë një proces teknik që nis me kontrollin e plotë të administratës shtetërore shqiptare dhe të gjithë legjislacionit shqiptar që të përafrohet me legjislacionin e Bashkimit Europian. Komisioni Europian do të nisë ekipet që do t’i bashkëngjiten administratës shtetërore në Shqipëri, ku do të kontrollojë ligjet dhe zbatimin e tyre.

Me përafrimin e këtyre ligjeve do të hapen dhe mbyllen kapituj me sukses ose dështim, që në total do të jenë 35. Kapitulli i parë me të cilin do të nisë procesi i negociatave është ai i të drejtave themelore të njeriut dhe më pas do të ketë kapituj për reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, liria e medias. Më pas do të ketë kapituj dhe për lidhjet ekonomike dhe tregtare i cili do të ndiqet hap pas hapi nga Komisioni Europian.

Negociatat nuk mund të fillojnë derisa mandati të miratohet unanimisht nga vendet anëtare të BE-së. Në këtë proces, Komisioni Evropian duhet të jetë i kënaqur që vendi kandidat të plotësojë tre kushte, të ashtuquajturat kritere të Kopenhagës.

Për të filluar negociatat, vendi kandidat megjithatë duhet të plotësojë vetëm kriteret politike, ndërsa të tjerat mund të përmbushen gjatë fazës së negociatave. Më pas zhvillohen negociatat ndërmjet ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të BE-së dhe vendit kandidat në atë që quhet Konferenca Ndërqeveritare (IGC).

Faza e parë përfshin një proces rigoroz shqyrtimi të legjislacionit të vendit kandidat për të parë se sa mirë është ai në përputhje me ligjin e BE-së ose me “acquis communautaire.” Acquis është i ndarë në 35 kapituj negociues, të grupuar në gjashtë grupe, që mbulojnë çdo aspekt legjislativ, të cilat të gjitha individualisht mund të mbyllen vetëm me bekimin unanim të të gjitha shteteve anëtare të BE-së.

Negociatat fillojnë me hapjen e kapitujve “themelorë”, çështje si gjyqësori dhe të drejtat themelore, dhe ky kapitull është gjithashtu i fundit që është nënshkruar.

Negociatat e disa kapitujve mund të zhvillohen njëkohësisht.

Pasi të jenë mbyllur të gjithë kapitujt, Komisioni rekomandon vendet kandidate për anëtarësim dhe vendi nënshkruan Traktatin e Aderimit që specifikon një datë për anëtarësim, duke e bërë atë një “vend aderues”. Traktati duhet të ratifikohet nga të 27 vendet anëtare dhe Parlamenti Evropian, i cili duhet të miratojë tekstin me shumicë absolute.

Sa kohë zgjat anëtarësimi?

Ritmi i negociatave varet nga shpejtësia e reformës dhe përafrimi me ligjet e BE-së në çdo vend dhe kohëzgjatja e tyre mund të ndryshojë. Komisioni Evropian përshkruan progresin e vendeve kandidate në raportet vjetore.

Për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ekzekutivi i BE-së tha në vlerësimin e vitit të kaluar të dy vendet ishin ‘mesatarisht të përgatitura’ në shumicën e gjashtë grupeve dhe kanë parë njëfarë progresi.

Mbyllja e kapitujve mund të zgjasë disa vite, siç ka ndodhur me Serbinë apo Malin e Zi. Çdo vend i BE-së mund të kundërshtojë mbylljen ose hapjen e kapitujve dhe Bullgaria i ka rezervuar vetes të drejtën për ta bërë këtë nëse protokolli dypalësh nuk zbatohet nga Maqedonia e Veriut.

Më të shpejtë për të negociuar pranimin ishin Austria, Finlanda dhe Suedia, në pak më pak se dy vjet, ndërsa Kroacisë iu deshën tetë vjet nga fillimi i negociatave për t’u bërë anëtare e plotë e bllokut.

negociatat me be 2022

Sondazh

Poll