Aktualitet

Kalon pr.ligji për pronat e ushtrisë/ Atentati me tre të vdekur në Fushë Krujë, debat mes deputetëve te ‘Siguria’

Deputeti i Partisë Demokratike Ferdinand Xhaferri kërkoi angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të ndryshuar paragrafin ku “Policia Ushtarake” zhvishet nga detyra për të mbrojtur repartet ushtarake, por propozimi u rrëzua nga Zv/Ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici.

18 Korrik 2022, 12:26 Nga k.m.
Kalon pr.ligji për pronat e ushtrisë/ Atentati me tre të vdekur
Pamje nga Komisioni i Sigurisë

TIRANË- Ndryshimet ligjore në Policinë Ushtarake janë miratuar në Komisonin e Sigurisë. Komisioni për Sigurinë Kombëtare, u mblodh të martën për të diskutuar ndryshimet ligjore në ligjin për “Policinë Ushtarake”, të propozuara nga Ministri i Mbrojtjes. Deputeti i Partisë Demokratike Ferdinand Xhaferri kërkoi angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të ndryshuar paragrafin ku “Policia Ushtarake” zhvishet nga detyra për të mbrojtur repartet ushtarake, por propozimi u rrëzua nga Zv/Ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici.

Por në Komisionin e sotëm u diskutua edhe lidhur me atentatin mafioz i një dite më parë në Fushë Krujë, ku mbetën të vrarë tre persona, ka përplasur deputetët sot në mbledhjen e komisionit të sigurisë. Deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia kërkoi nga demokratët, të mos bëjnë politikë me ngjarje të tilla, duke e konsideruar si mjaft të rëndë atentatin e djeshëm.

“Është e rëndë kërkon kohën e vet. Nuk mund të jetë policia ku ndodh ngjarja, se ashtu do e quanim bashkëpunëtore. Ti lemë kohën e duhur organeve përkatëse. Nuk mund të kryejmë veprime për të inkurajuar krimin, një ngjarje e rëndë për të cilën duhet të shqetësohemi të gjithë,”-u shpreh Qefaliaj. Në përgjigje deputeti i PD, Ervin Salianji u shpreh se shteti po tregon pafuqi në kapjen e autorëve.

“Nuk po gëzohet njeri, ne po themi se shteti po tregon pafuqi në kapjen e tyre. Unë propozoj të gjithë bashkë të mbajmë një qëndrim që të jemi në mbështetje të policisë së shtetit. Ka shumë ngjarje pa autor. Po flasim për një situatë të rëndë kriminale në Shqipëri. Ju bën mirë të dënoni cilindo politikan, që për shkak të lidhjes së politikës më krimin po ndodhin ngjarje të rënda kriminale, vepron mafia si me ushtri,”- u shpreh Salianji.

Në debat ndërhyri, kreu i Komisionit të Sigurisë, Nasip Naço duke e cilësuar si shumë të rëndë ngjarjen, ironizoi opozitën duke theksuar se nuk mund të vijnë në pushtet duke folur për vrasjet.

“Ngjarja ishte shumë e rëndë. I kemi dërguar shkresë prokurorisë dhe policisë duke i kërkuar informacion për të gjitha ngjarjet e ndodhur në Shqipëri nga 1990. Maxhoranca është më e përgjegjshme sec mendoni ju. Vrasjet nuk parashikohen. Nuk vini dot në pushtet me vrasjet,”- u shpreh Naço. Por përgjigjen ia dha Ferdinand Xhaferraj: Këto që po ndodhin tregojnë se ju keni ardhur në pushtet me krimin.

Pronat e ushtrisë do të ruhen në kuptimin fizik nga roje fizike, grupe kontrolli, siguri fizike, rrethim të jashtëm etj., ndërsa Policia Ushtarake do të veprojnë vetëm nëse një gjë të tillë do t’ia kërkojnë strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ndryshimet parashikojnë që personali i Policisë Ushtarake do të mbajë përgjegjësi edhe për mosveprime me pasoja penale, e po ashtu punonjësi i Policisë Ushtarake trajtohet me veshmbathje civile, në vlerë leku, një herë në vit, në masën e gjysmës së pagës mujore. 

komisioni i sigurise

Sondazh

Poll