Politike

Krakulli, në krye të PS Lushnje/ Braçe përplasje me Ballën? Mesazhi në grup: Askush s'më ftoi, isha kundër ti, është pa shkollë!

Erion Braçe nuk është njoftuar për të marrë pjesë në mbledhjen ku është prezantuar kryetari i PS, Ergest Krakulli. "Syri" shkruan se kjo ka shkaktuar reagim të deputetit, i cili akuzon për emërime abuzive në degën e Lushnjes.

16 Korrik 2022, 21:07 Nga k.m.
Krakulli, në krye të PS Lushnje/ Braçe përplasje me
Eriselda Sefa, Taulant Balla dhe Erion Braçe

LUSHNJE- Duket se mes socialistëve në Lushnje ka nisur përplasja. Një informacion i mbërritur në adresën e gazetarëve të Syri Televizion, tregon se deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe është "përjashtuar" nga takimet me strukturat e kësaj partie në bashkinë e Lushnjes. Në grupin e What’sApp, Erion Braçe ka dërguar një mesazh ku shpreh pakënaqësinë e tij se është përjashtuar nga takimi me anëtarët ku është bërë prezantimi i kreut të ri të socialistëve të Lushnjes.

“Askush nuk më njoftoi për mbledhjen ku qenka prezantuar kryetari i PS. E kuptoj arsyen, unë isha kundër kandidaturës së ktij kryetari që u emërua sot. Patjetër për shkak të tij, mospërmbushjes së kriterit të arsimit, ky është pa arsim të lartë, disponon diplomën e një universiteti të mbyllur nga qeveria për shitje diplomash. Ky banon në Tiranë në një lagje me mua, 200 metër me tutje. Ky gënjen për arsimin, gënjen për vendbanimin. Unë mendova që Lushnja ka potencial intelektual kontribuitiv në PS shumë herë më shumë se ky kandidat. Ky emër u caktua kryetar duke mos përmbushur kritetert por edhe përmes vetos së drejtuesit politik për emërimin e tij, pa mbështetjen e kërkujt në atë mbledhje, madje nën dyshime të mëdha, përfshirë edhe kryetarin e partisë,”-pretendohet se ka shkruar Erion Braçe në grup, ku ndodhen edhe socialistët e tjerë.

Ergest Krakulli është personi i emëruar në krye të PS në Lushnje dhe i kundërshtuar nga Erion Braçe, edhe pse nuk e përmend me emër. Ndërsa figura e Krakullit është mbështetur nga Taulant Balla.

Pas publikimit të lajmit nga “Syri”, Dosja.al kontaktoi me deputetin e PS-së, Braçe por në komunikimin me mesazhe, ai as nuk e pohoi, as nuk e mohoi lajmin.  

“Mes meje dhe Partisë Socialiste nuk ka probleme,”-zgjodhi që të thotë socialisti pa shtuar komente të tjera lidhur me çfarë ka ndodhur.

Në të njëjtin artikull, “Syri” shkruan se Ergest Krakulli, i emëruar në krye të PS në Lushnje dhe i kundërshtuar nga Erion Braçe, është baxhanak i Edmond Begos, i akuzuar si ish-anëtar i bandës së Lushnjes dhe mik i ngushtë i Taulant Ballës.

 

eriselda sefa taulant balla erion braçe

Sondazh

Poll