Politike

Maqedonia e Veriut miraton propozimin francez, Kryemadhi: Një kapitull i ri është shkruar sot

Monika Kryemadhi shkruan se sot është hapur një kapitull i ri, duke shënuar një moment të shumëpritur në lidhje me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

16 Korrik 2022, 20:32 Nga k.m.
Maqedonia e Veriut miraton propozimin francez, Kryemadhi: Një kapitull i ri
Monika Kryemadhi

TIRANË- Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka komentuar kalimin e propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, gjë që hapi rrugën e negociatave. Në një postim në rrjetet sociale, Kryemadhi shkruan se sot është hapur një kapitull i ri, duke shënuar një moment të shumëpritur në lidhje me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

"Një kapitull i ri për të ardhmen europiane të Shqipërisë është shkruar sot, me votimin në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut në favor të formulës franceze për zgjidhjen e mosmarrëveshjes RMV-BE. Falë këtij vendimi, por edhe shumë sakrificave që RMV si vend i lidhur me ne në procesin e integrimit, ka kryer për të arritur deri këtu, javës tjetër, Shqipëria më në fund mund të mbajë Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian.

Moment i shumëpritur, prej nga ku nuk ka më justifikime, fjalë boshe apo propagandë, por kritere dhe llogaridhënie. Kërkesa me ngulm e LSI ndaj BE ndër vite ka qenë që, edhe me kritikat e institucioneve europiane për mospërmbushjen e kushteve, çelja e negociatave të kryej sa më parë. Duke e konsideruar procesin në vetvete dhe mbikqyrjen e institucioneve të BE, faktor pozitiv në realizimin e shpejtë dhe cilësor të reformave. Si forcë politike europiane dhe konsensusi, kemi propozuar që prej vitit 2020 realizimin e një pakti kombëtar për integrimin, që reformat kryesore të realizohen sa më parë dhe me bashkëpunim ndërpartiak, duke e bërë procesin e integrimit imun ndaj politikës së ditës dhe kritikave për njëri tjetrin.

Java tjetër është historike për të ardhmen e Shqipërisë europiane! Mënyra si i qasemi këtij shansi të ri për vendin, mund ta përshpejtojë apo ngadalësojë procesin për vite me radhë. Ndaj është koha që Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria dhe e gjithë politika të ngrihet në nivelin e detyës që ky mision kombëtar kërkon,"-tha Kryemadhi. 

Të martën Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të mbajnë konferencën e parë ndërqeveritare. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot me 68 vota pro propozimin francez për zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë, që do t’i hapë rrugën procesit të integrimit evropian.

monika kryemadhi negociatat me be 2022

Sondazh

Poll