Ekonomi

Tregu i sigurimeve rriti lehtë aktivet me 1% në vitin 2020

11 Maj 2021, 06:19 Nga DOSJA
Tregu i sigurimeve rriti lehtë aktivet me 1% në vitin 2020

Tregu i sigurimeve, edhe pse në një vit të vështirë siç ishte 2020, si pasojë e pandemisë, sidomos në periudhën e mbylljes, por edhe të pagesave të pjesës më të madhe të dëmeve të dy tërmeteve të vitit 2019, ka mundur të shtojë vlerën e aktiveve, ndonëse me ritme të moderuara.

Bazuar në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, të publikuara në Raportin Vjetor 2020, i cili është depozituar në Kuvend, totali i aktiveve të tregut të sigurimeve në fund të vitit të kaluar arriti në rreth 39.2 miliardë lekë.

Aktivet në nivel tregu janë rritur me rreth 400 milionë lekë, ose rreth 1%, ndikuar kryesisht nga rritja në sektorin e Jetës, ndërsa sektori i Jo-Jetës ka pësuar një rënie të lehtë.

Pjesa më e madhe e tyre, në masën 88% e zënë aktivet e shoqërive të tregut të Jo-Jetës, ndërsa pjesa tjetër, prej 12% i përket shoqërive të tregut të Jetës.

Për sektorin e Jetës, rritja ka ardhur kryesisht si pasojë e zgjerimit të investimeve në toka, ndërtesa dhe investime financiare që kanë realizuar shoqëritë.

Ndërkohë, në sektorin e Jo-Jetës rënia e aktiveve i atribuohet kryesisht pjesës së risiguruesve në provigjonet teknike, me rreth 2 miliardë lekë, duke qënë se gjatë vitit të kaluar u pagua pjesa më e madhe e dëmeve të dy tërmeteve të vitit 2019.

Aktivet, sidomos kur ato janë likuide, rrisin aftësinë e kompanive për t’iu përgjigjur në kohë kërkesave për dëme, por edhe shpenzimeve të tjera të shoqërive të sigurimit. Në këtë mënyrë, shoqëritë e sigurimit janë më të konsoliduara financiarisht dhe më të afta për t’iu përgjigjur në kohë personave të siguruar, edhe në zbatim të kërkesave rregullatore, sipas AMF.

Tregu i sigurimeve, përveç rritjes së aktiveve, gjatë vitit 2020, ka zgjeruar edhe investimet në masën 13.6% krahasuar me vitin 2019, ose me rreth 3 miliardë. Ndikimin kryesor në këtë rritje e ka patur këtë herë tregu i Jo-Jetës, ku raportohet një shtim i investimeve prej 12.5% krahasuar me vitin 2019, ose rreth 2.3 miliardë lekë, kryesisht në toka dhe ndërtesa.

Viti 2020 ishte i vështirë, pasi shoqërive të sigurimit iu desh të përballen fillimisht me pasojat e kufizimeve, sidomos gjatë tremujorit të dytë dhe më pas me efektet negative të pandemisë në segmente të caktuara të tregut (si kartoni jeshil, policat kufitare, sigurimi i shëndetit në udhëtim, etj.)

MONITOR

Rama është propozuar për president nga disa deputetë socialiste, mendoni se:

View Results

ekonomi ekonomi rritet 1% tregu i sigurimeve ne 2020 tregu i sigurimeve rritet 1% tregu i sigurimeve ne 2020 tregu i sigurimeve

Sondazh

Poll