Ekonomi

Të investosh në borxhin e qeverisë: Individët blenë 22 milionë euro në obligacione për tremujorin I

7 Maj 2021, 08:10 Nga DOSJA
Të investosh në borxhin e qeverisë: Individët blenë 22

TIRANË – Individët rritën sërish investimet në obligacionet e qeverisë shqiptare në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), blerjet e obligacioneve në tregun primar nga individët arritën në 2.73 miliardë lekë, ose rreth 22 milionë euro. Statistikat tregojnë se investimet e individëve në këto instrumente u rritën me 25.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Me uljen drastike të normave të interesit të depozitave, individët vitet e fundit kanë kërkuar kthime më të larta në tregun e letrave të borxhit të qeverisë, duke u orientuar më shumë tek instrumentet afatgjatë. Deri në vitin 2016, portofoli i investimeve të individëve në letrat e borxhit të qeverisë dominohej nga bonot e thesarit. Pas vitit 2016, raporti u përmbys në favor të obligacioneve.

Edhe për tremujorin e parë 2021, investimet e individëve në bono përmes ndërmjetësve financiarë të licencuar nga AMF pësuan rënie me 18.9%, ndërsa gjatë vitit 2020 rënia kishte qenë 12%. Individët po zgjerojnë horizontet e investimit në afate më të gjata, në funksion të kthimeve më të larta.

Për obligacionet me maturim 10-vjeçar, kuponi aktualisht është në nivelin në 5.38% dhe ky është kthimi më i lartë që ofron tregu financiar në monedhën vendase. Tendenca e pjesëmarrjes direkte në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë është në rritje. Në vitet e fundit, investimet direkte në obligacione po zëvendësojnë gjithnjë e më shumë blerjen e kuotave në fondet e investimit, që përgjithësisht për lekun janë një formë e grumbulluar e investimit po në letrat e borxhit të qeverisë.

Pjesëmarrja në ankandet e tregut primar bëhet nëpërmjet ndërmjetësve të licencuar financiarë, që janë zakonisht bankat tregtare. Aktualisht në Shqipëri ka 12 shoqëri komisionere për investimin në tituj, por pjesa dërrmuese e volumit të transaksioneve nga individët bëhet nga bankat tregtare e licencuara për këtë shërbim. Investimi në obligacione është bërë gjithmonë përmes ndërmjetësve financiarë të licencuar, ndërsa investimi në bono thesari mundësohej edhe nga Banka e Shqipërisë. Por, në gusht 2020, Banka e Shqipërisë vendosi ndërprerjen e ofrimit të shërbimit të pjesëmarrjes në ankandet e bonove për individët. Duke filluar nga viti 2021, banka qendrore nuk do të pranojë më hapjen e llogarive të reja për këtë qëllim dhe individët do të mund ta marrin këtë shërbim vetëm prej bankave tregtare të licencuara nga AMF.

Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, individët, në mënyrë direkte apo nëpërmjet bankave, mbanin rreth 17% të stokut të borxhit të brendshëm publik në fund të muajit mars 2021. Në vlerë, kjo përkthehet në afërsisht 110 miliardë lekë.

Marrë nga Monitor

Rama është propozuar për president nga disa deputetë socialiste, mendoni se:

View Results

ekonomi ekonomi borxhi i qeverise investimet e individeve obligacione borxhi i qeverise investimet e individeve obligacione

Sondazh

Poll