Ekonomi

Kredia për biznesin ngadalësohet, më të prekurat energjia dhe transporti

1 Prill 2021, 06:06 Nga DOSJA

Kreditimi i biznesit e ka nisur vitin 2021 me hap të ngadaltë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, sipërmarrjet private për dy muajt e parë të këtij viti kanë marrë 15.8 miliardë lekë, ose rreth 128 milionë euro hua në sektorin financiar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, biznesi ka përfituar rreth 33% më pak kredi të re.

Kreditimi paraqitet në rënie për shumicën e sektorëve me peshë në portofolin e sektorit bankar. Degët me rënien më të madhe të kredisë janë energjetika dhe transporti me 77%, bujqësia me 68% dhe tregtia me 44%. Për sektorin e ndërtimit, rënia e kreditimit është disi më e kufizuar, me 15% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kreditimi i biznesit shfaqi një ecuri të mirë në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, i mbështetur nga linjat e garancisë sovrane dhe nga një ofertë e kënaqshme e sektorit bankar, pavarësisht krizës.

Kjo qasje u ndihmua nga masat e përkohshme lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, por edhe nga gjykimi se efektet e krizës do të ishin të përkohshme dhe se aktiviteti ekonomik do të përmirësohej duke filluar që nga ky vit. Pjesërisht, ky parashikim gjeti konfirmim edhe në shifrat e prodhimit të brendshëm bruto në tremujorin e katërt 2020, që sollën kthim të rritjes ekonomike pas katër tremujorësh radhazi në rënie.

Kreditimi më i ulët i biznesit në muajt e parë të vitit është një tipar sezonal, ndërsa rënia krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar mund të shpjegohet edhe me faktorin e pandemisë, që u shfaq vetëm në mars të vitit 2020. Kjo situatë, me shumë të ngjarë, është e përkohshme dhe me kalimin e muajve diferencat me vitin e kaluar do të ngushtohen, falë përmirësimit të pritshëm të ekonomisë reale, por edhe efektit të bazës krahasuese.

Në fund të muajit shkurt, kredia për ndërmarrjet private kishte vlerën e 370.6 miliardë lekëve ose rreth 61% të portofolit total të kredisë për ekonominë. Ecuria e mirë e vitit të kaluar ka bërë që kredia për biznesin të fitojë ritme vjetore të rritjes më të larta se portofoli i individëve, me 8.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndër sektorët me peshë domethënëse në kreditim, zmadhimin më të madh të portofolit e ka shfaqur sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor, me 43%. Pavarësisht se degët e lidhura me turizmin ka qenë ndër më të prekurat nga kriza, duket se sektori bankar ka vijuar t’i mbështesë me kredi këto aktivitete, për të mbështetur një rimëkëmbje të pritshme të tyre në periudhën pas pandemisë.

Marrë nga Monitor,al

(f.m/dosja.al)

Rama është propozuar për president nga disa deputetë socialiste, mendoni se:

View Results

ekonomi ekonomi kredi per biznesin kredi per biznesin

Sondazh

Poll