Politike

22 Shkurt 2021, 16:58 Nga DOSJA

TIRANË– Më shumë se dy muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, por fushata duket se është nisur me kohë. Përplasje dhe retorika në distancë ka pasur me presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama.

Numri një i qeverisë nga takimet e tij me qytetarët prej kohësh, e ka cilësuar Metën si “president të LSI” që bën fushatë për ish-partinë e tij, duke e akuzuar edhe për bllokime investimesh në Shqipëri. Jo më larg se paraditen e sotme, Rama adresoi lajmet për takimet e fshehta që kreu i shtetit supozohet që ka zhvilluar në Vlorë për të grumbulluar vota për LSI-në. Para gazetarëve, Rama e cilësoi si veprimtari ilegale që justifikohet për një person që ka probleme me “shëndetin mendor”.

“Unë nuk mendoj që ka nevojë për komente. Veprimtaria ilegale e Ilir Metës është në sy të gjithëve. Meta nuk është në lartësinë e detyrës por nën çdo nivel të justifikueshëm edhe për një person që ka humbur marrëdhëniet me trutë e kokës. Një president që flet me gjuhë rruge do e dënojne të gjithë,”-tha Rama jashtë godinës së Partisë Socaliste. 

Kundërpërgjigjia nuk i ka munguar nga presidenti! Fillimisht në mëngjes, ai ka publikuar foto nga takimi me qytetarët, ku i cilëson si gënjeshtra ato që shkruhen në artikull për të, duke shtuar se takimi publik që u bë në Selenicë, u kërkua nga vetë banorët për çështjen e ndërtimit të rrugës. Sipas tij, banorët kërkonin që për investimin të zhvillohej një dëgjesë publike me ta. Më pas,  Meta është nisur për në Vlorë, duke premtuar se nga aty do të japë përgjigje për çdo akuzë që i bëhet. Një goditje për kryeministrin, i cili kandidon prej vitesh në Vlorë, pasi e cilëson si “qytetin e zemrës”. Kreu i shtetit sqaroi edhe njëherë se në Selenicë ishte kërkuar me ngulm prej tyre. 

Më habiti reagimi i kryeministrit që presidenti ka ikur nga trutë. Do t’ua lë ju këto foto. Shkoni dhe verifikojini. Raportoni të vërtetën mbi këtë fushatë mashtrimi të orkestruar nga kryeoligarku i Shqipërisë. Dua t’i them atij dhe gjithë të tjerëve, sa herë të më përmendni dhe të gënjeni nga Vlora, përgjigjen do t’ua jap nga këtu. E meriton Vlora që të mos jetojë me gënjeshtra. E meriton Selenica që të mos mashtrohet për rrugën. Kam shkuar në mes të ditës, e kanë kërkuar ata presidentin. Ata e tradhëtuan projektin që integronte Selenicën, por edhe u tallën dhe kërkojnë ta mashtrojnë me asfalt elektoral. Presidenti ka vajtur në mes të ditës në Radhimë. Presidenti nuk ka ikur natën por ditën në Vranisht se janë kërcënuar disa banorë se kanë ftuar presidentin për kafe. Po të dojë të vijë edhe Damiani,”-u shpreh presidenti. 

Kreu i shtetit e ka cilësuar Ramën si një ‘kryeoligrak’ dhe premtoi që pas 25 prillit do të kërkojë nga qeveria e re një ligj që do të detyrojë çdo zyrtarë të lartë para se të marrë postin të kryejë një kontroll mendor.

“Rama në vend që të distancohej thotë presidenti nuk është në rregull nga trutë unë do t’i kërkoj parlamentit të ardhshëm që të miratojë një ligj, edhe në Kushtetutë të kemi një nen, të kontrollohen të gjithë psiqikisht janë në rregull apo jo nga trutë para se të marrin detyrën. Nga presidenti tek të gjithë me radhë,”-u shpreh Meta sot. 

Më tej, Meta është kthyer sërish tek zgjedhjet, duke premtuar pjesëmarrje rekord, por nuk ka harruar pa hedhur “thumbin” për të larguarit e LSI-së.

Megjithatë kreu i qeverisë nuk ka ndalur me sulmet as nga aeroporti i Rinasit ku edhe priti dozat e radhës së vaksinave. (Shiko këtu)

Ndërkohë që në këtë debat “të nxehtë” mes dy prej zyrtarëve më të lartë të vendit, që vijon prej ditësh është distancuar kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Të dy kanë vijuar me takimet në terren dhe prezantimin e planeve të tyre, duke mos u përfshirë në retorikën mes Kryeministrisë dhe Presidencës. 

(k.m/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike edi rama ilir meta zgjedhjet parlamentare 25 prill 2021 edi rama ilir meta zgjedhjet parlamentare 25 prill 2021

Sondazh

Poll