Editorial

Neveri për qeverinë, urrejtje për opozitën e përçmim ndërkombëtarëve!

Të vetëm siç kanë qenë gjithë kohës, ata banorë bënë çfarë mundën, nuk arritën atë që donin, por treguan se populli është i vetëm përball të gjithëve. Prandaj ai popull, duhet të ketë neveri për qeverinë, urrejtje për opozitën e përçmim për ndërkombëtarët.
Featured image of article: Neveri për qeverinë, urrejtje për opozitën e përçmim ndërkombëtarëve! Foto nga protesta e banorëve të Astirit

TIRANË- Një ditëlindje e pazakontë u festua pak ditë më parë në Tiranë. Ishte një ditëlindje që rrallë ndodhin në vendin tonë. Ajo ditë nuk i përkiste një foshnje, apo një njeriu të vetëm, i përkiste mijëra personave. Ditëlindje pa tortë, pa qirinj, pa dhurata, por me surprizë. Kështu ishte dhe festa e banorëve të Unazës së Re, një prej mbrëmjeve të tetorit. Ata me anë të një videoje prezantuan historinë e tyre, kauzën dhe të drejtën e tyre.

Ata u mblodhën si çdo ditë në rrugën që tashmë duhet të mbaj emrin e tyre, ose të paktën emrin “Rruga REZISTENCA“, në mënyrë simbolike. Por ajo rrugë, mund të lahet dhe me gjakun e tyre, ose të ndonjë polici, apo qytetari të thjeshtë që kërkon të mos bllokohet, kur kalon me fëmijën e tij për ta dërguar në shkollë e me prindin kur nxiton ta dërgoj me frymë në spital.

Por sot foshnja që kishte ditëlindjen, u vra…

Në këtë krim makabër, ku viktimë ishte një foshnje, morën pjesë shumë persona, prandaj dhe dënimi për ta duhet të jetë maksimal. Qeveria e para, autore dhe zbatuese e vrasjes, duhet të marrë ndëshkimin e merituar. Për më shumë se një vit kjo qeveri ka dashur ta vrasë atë foshnjë, ka tentuar me dhunë, korrupsion, përçarje e blerje të prindërve të saj. Kjo qeveri e mbështetur nga Policia e struktura të tjerë arriti më në fund të sot të kryente vrasjen.

Autori i dytë i vrasjes është opozita. Opozita në Shqipëri, sot nuk ekzisonte, ishte në gjumë. Gjumi nuk është figurativisht, por një e vërtetë. Ish-deputetët e Partisë Demokratike dhe LSI-së sot, ishin në gjumë. Pranë banorëve mbërritën atëherë kur IKMT-ja i kishte lënë ata në qiell të hapur. Me flokë të shpurpuritura dhe me sytë e enjtur nga gjumi ata ish-deputetët “kurajozë” kërcënuan sërish pushtetin, i cili pak metra më tej po vijonte punën i qetë, njësoj si një foshnje që fle gjumë dhe kur prindërit zihen me njëri-tjetrin. Prandaj ata banorë duhet të kenë veç urrejtje për ta.

Por në gjumë ishin dhe zotërinjtë dhe zonjat deputete, që në fund të muajit kalojnë nga banka për të marrë lekët e atyre banorëve që sot klithën dhe i kërkuan, por askush nuk i dëgjoi. Opozita sot në parlament ka përfaqësuesit e saj, por këta të fundit mendojnë se janë vetëm për të shkuar e për të ngritur në Kuvend kartonin jeshil, sa herë do Edi Rama. Ah se harrova, janë dhe për të shkundur nga themelet këtë sistem të kalbur me anë të të ashtuquajturën Reformën Zgjedhore. Hajdari, Gjoni, Gjuzi, Musai, Alimadhi etj. etj. ku ishit sot? Nuk u erdhi klithma e banorëve tek dritaret e vilave tuaja? Nuk i dëgjuat as mbrëmë para se të binit për të fjetur?

Pak më larg opozitës parlamentare, në një bllok me vila më të sofistikuara jetojnë dhe ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët janë ata që kur ndodh ndonjë prekje floku e ndonjë zyrtari të tyre bëjnë namin, siç bën në rastin e “dhunës” ndaj Ambasadorit Bernd Bochard. Por reagojnë dhe për të drejtat e LGBT, por sot kur dhuna ishte mëse e dukshme, heshtën. Këta ambasadorët përveçse heshin, edhe dhunojnë prandaj ata banorë duhet të kenë përçmim për ta dhe të mos presin që e drejta e tyre të dalë nga zyrat e të huajve.

Të vetëm siç kanë qenë gjithë kohës, ata banorë bënë çfarë mundën, nuk arritën atë që donin, por treguan se populli është i vetëm përball të gjithëve. Prandaj ai popull, duhet të ketë neveri për qeverinë, urrejtje për opozitën e përçmim për ndërkombëtarët.

(Dosja.al)

Shto Koment