Politike

Nesër kostituimi i Këshillit bashkiak në Shkodër, PD-ja lajmëron protestë: Nuk e lejojmë

Sipas një njoftimi për mediat bëhet me dije se nesër në orën 10:00 kur do nisë dhe mbledhja, PD do të zhvillojë një protestë para Prefekturës. 
Featured image of article: Nesër kostituimi i Këshillit bashkiak në Shkodër, PD-ja lajmëron protestë: Nuk e lejojmë

SHKODËR- Kur pritet që nesër  të konstituohet Këshilli Bashkiak i Shkodrës dhe në rend dite është dhe njohja e mandatit të kryetarit të bashkisë, Partia Demokratike ka paralajmëruar protestë. 

Sipas një njoftimi për mediat bëhet me dije se nesër në orën 10:00 kur do nisë dhe mbledhja, PD do të zhvillojë një protestë para Prefekturës. 

Ne nuk duhet asesi të pranojmë konstituimin e një këshilli ilegjitim e aq më pak në rektoratin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Aty ku krejt pranë, 30 vite më parë jemi mbledhur të gjithë pa asnjë ndasi politike,të majtë e të djathtë për rrëzimin e regjimit komunist”, thuhet më tej në deklaratë.

DEKLARATA

Partia Demokratike, dega Shkodër ditën e nesërme në orën 10:00, para Prefekturës do të organizojë një protestë paqësore për mbrojtjen e vlerave të demokracisë e të dinjitetit tonë si qytetarë të Shkodrës.

Ne nuk duhet asesi të pranojmë konstituimin e një këshilli ilegjitim e aq më pak në rektoratin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Aty ku krejt pranë, 30 vite më parë jemi mbledhur të gjithë pa asnjë ndasi politike, të majtë e të djathtë për rrëzimin e regjimit komunist. Pikërisht vendin që me 2 Prill, 4 dëshmorët e Demokracisë e lanë me gjakun e tyre e ku qindra të tjerë u plagosën. Rilindasit zgjodhën ish komitetin e partisë për të konstituuar këshillin ilegjitim vetëm për të provokuar qytetarët e Shkodrës. Ne nuk mund të pranojmë të jemi dëshmitarë të vendosjes së një tjetër regjimi. I bëjmë thirrje Edi Ramës të mos luajë me zjarrin, të mos luajë me Shkodrën! Shkodra do të dijë sërish t’i dalë për Zot vetes.

Prandaj i ftojmë të gjithë të bashkohen me ne, për dinjitetin e qytetit tonë, për dinjitetin e Shkodrës ! #partiademokratikeShkoder #pd

Mbledhja për konstituimin e Këshillit Bashkiak është thirrur në një kohë kur kreu i zgjedhur i Bashkisë Shkodër ka thënë dorëheqjen. Valdrin Pjetri është akuzuar nga PD se ka fshehur një dënim të marrë në Itali në vitin 2003.  PD publikoi një dokument ku sipas demokratëve provohet se Pjetri ka qenë i dënuar në shtetin fqinj në vitin 2003, e megjithatë kjo nuk e ka penguar që të jetë pjesë e administratës së demokratëve në qeverinë Berisha, e më pas në PS. 

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment