Politike

Negociatat/ Zoran Zaev takim me komisionerin Hahn në Bruksel: BE është për ne e vetmja rrugë, mos u bëni pengesë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ishte i prerë në kërkesën e tij, ku u zotua se vendi që drejton synon të anëtarësohet me çdo kusht në BE. Ai ftoi vendet anëtare të mos bëhen pengesë për përpjekjet e shtetit maqedonas për t'u anëtarësuar në BE. 
Featured image of article: Negociatat/ Zoran Zaev takim me komisionerin Hahn në Bruksel: BE është për ne e vetmja rrugë, mos u bëni pengesë

BRUKSEL– Eurokomisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn në konferencën e përbashkët me kryeministri Zoran Zaev në Bruksel deklaroi se Maqedonia e Veriut ka kaluar një rrugë të gjatë drejt integrimit. Ai shtoi se qytetarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë një jetë më të mirë dhe për këtë, duhen që BE të hapë menjëherë negociatat për ta.

Gjatë kësaj konferencës Hahn u ndal edhe tek Shqipëria, ku shtoi se do të kërkojë që të dyja vendet të marrin një përgjigje pozitive nga Këshilli i Evropës.

“Ne si evropian duhet t’i kemi në konsideratë këto përpjekje. Bëhet fjalë për sinjal të qartë për përpjekje për perspektivat e vendeve si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Kjo pritet pas gjitha masave të ndërmarra nga të dy vendet. Ka shumë fjalime se Evropa duhet të ketë rol në nivel botëror, por nëse këtë nuk mund ta bëjmë në oborrin tonë do të humbim kredibilitetin ta bëjmë këtë jashtë. Mund të kërkoj nga liderët tanë të japin dritë jeshile”, deklaroi Hahn.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ishte i prerë në kërkesën e tij, ku u zotua se vendi që drejton synon të anëtarësohet me çdo kusht në BE. Ai ftoi vendet anëtare të mos bëhen pengesë për përpjekjet e shtetit maqedonas për t’u anëtarësuar në BE.

Mos u bëni pengesë për ne, ju ftoj të bëheni heronjtë tanë, sepse Bashkimi Evropian për ne është e vetmja rrugë dhe nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveç kësaj. Bashkimi Evropian në qershor shtyhu për disa muaj negociatat me pretekstin e reformave por ja tetori erdhi dhe ne presim që ju të çelin përfundimisht negociatat. E dimë që ka shumë akoma për të bërë dhe metodologjinë e re që ju po aplikoni për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, këtë pjesë e dimë edhe ne, por le ti fillojmë tani, dhe më pas të vazhdojmë bisedimet për ato që na kërkoni. Të gjithë në jemi gati, nga unë, Presidenti, Kuvendi edhe opozita, jemi gati të fillojmë negociatat tani. Ne bëmë të pamundurën për Marrëveshjen e Prespës, na besoni se nuk ishte e lehtë. Por ne e bëmë sepse ishte kushti kryesor për ne për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, dhe ne ia arritëm, treguam se ne mundemi. Nëse nuk na i hapni negociatat do të ketë efekte shumë negative, jo vetëm në vend po edhe në rajon, por edhe Bashkimi Evropian do të humbasë besueshmërinë e tij, prandaj mos na pengoni, bëhuni heronjtë tanë”, u shpreh Zoran Zaev në Bruksel.

Ministrat e Jashtëm të BE janë mbledhur dje në Luksemburg për të përgatitur draftin me konkluzionet kryesore në axhendë për samitin e 17-18 Tetorit, ku do të vuloset edhe fati i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nëse do të hapen apo jo negociatat. Mbledhja e djeshme nuk ka pasur asnjë rezultat. Hahn tha se kundër janë 3 vende dhe po punohet me to.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment