Politike

BE i ‘mbyll derën’ Shqipërisë: S’ka negociata, presim tetorin. Hahn: Tre vende skeptike kërkojnë kohë

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të mund të hapin negociatat në muajin qershor”, kjo ishte deklarata nga BE. Gjermania, Franca dhe Danimarka ishin tre vendet skeptike që kërkuan më shumë kohë dhe tani synohet muaji tetor për të marrë dritën jeshile. Hahn që lexoi deklaratën tha se këtë verë nuk do të ketë çelje të negociatave pavarësith progresit të bërë.

LUKSENBURG- “JO”, kjo ishte përgjigja e Bashkimit Evropian për Shqipërinë në lidhje me negociatat për anëtarësim. Në një konferencë për shtyp në Bruksel, lidhur me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, BE ka deklaruar se nuk do të ketë dritë jeshile tani në qershor.

Komisioneri për zgjerim në BE, Johannes Hahn tha se këtë verë nuk do të ketë çelje të negociatave për të dy vendet, por është shprehur besim plotë për një vendim pozitiv në tetor për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Vendet skeptike për  hapjen e negociatave, ishin Franca, Gjermania dhe Danimarka, të cilat kërkuan më shumë kohë për të shqyrtuar raportin e KE-së. Për shqipërinë në raport thuhet se: “Duke ripohuar konkluzionet e tij të 26 qershorit 2018, Këshilli merr parasysh mirë rekomandimin e Komisionit për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë bazuar në vlerësimin e saj pozitiv të progresit të bërë dhe të përmbushjes së kushteve të identifikuara nga Keshilli. Në dritën e kohës së kufizuar në dispozicion dhe rëndësisë së çështjes, Këshilli do të kthehet në këtë çështje me qëllim që të arrijë një vendim të qartë dhe substancial sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo më vonë se tetori 2019”.

Ndërsa, për Maqedoninë e Veriut vendet anëtare të BE-së u shprehën se ka bërë progres shumë pozitiv, që nga ndryshimi i emrit dhe me fqinjësinë e mirë, por përpos kësaj skepticizmi i këtyre vendeve nuk lejon të hapen negociatat këtë verë. Ditën e djeshme, para nisjes drejt Luksemburgut, shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini bëri thirrje për një vendim pozitiv për dy vendet, si vlerësim për reformat e ndërmarra.

(K.M. A.M. Dosja.al)

  • 21:45

    Basha: Shkaktari i vetëm është Rama dhe qeveria e tij

    Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat ka reaguar në lidhje me vendimin e Këshillit Evropian për shtyrjen e hapjes së negociatave.

    Basha nga selia blu tha se i vetmi shkaktar për këtë vendim dhe bllokim që na ka bërë BE është vetëm Edi Rama dhe qeveria e tij.

    Sot, Shqipërisë iu mohua për të tretën herë, nën qeverisjen Rama, hapja e negociatave për anëtarësim me BE. Edhe pse i pritshëm,është një lajm i hidhur për ne shqiptarët, që, edhe 30 vjet pas rënies së komunizmit, vazhdojmë të mbetemi vendi më i izoluar nga Europa.

    Edhe më i rëndë është fakti se, më shumë se një refuzim i përkohshëm i negociatave, sot, ne shqiptarëve, po na vihet në dyshim aftësia për të përqafuar dhe jetuar sipas standarteve dhe vlerave europiane.

    Propaganda e Edi Ramës dhe mercenarëve të tij, do të përpiqet ta mohojë refuzimin. Pasi do të dështojnë ta mohojnë, do të përpiqen t’ia veshin fajin të tjerëve. Edi Rama do të fajësojë Europën se ka probleme të vetat. Do të fajësojë opozitën që nuk rri urtë para keqqeverisjes së tij. Do të fajësojë gjysmën e botës. Do të fajësojë edhe popullin e vet. Nuk do të fajësojë vetëm një njeri: Edi Ramën.

    Mos u gënjeni nga propaganda e tij. Ka vetëm një përgjegjës për refuzimin e vazhdueshëm ndaj Shqipërisë: Është qeveria dhe Edi Rama. Ka vetëm një arsye pse na janë mbyllur dyert e Europës: korrupsioni dhe krimi. Negociatat sot do të ishin hapur, nëse Shqipëria nuk do të kishte qeverinë më të korruptuar në Europë, nëse Shqipëria nuk do të ishte zonë e lirë e drogës dhe e krimit“, u shpreh Basha.

  • 20:42

    Kryemadhi: Largimi i Edi Ramës është e vetmja rrugë për Shqipërinë

    Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI, ka reaguar në lidhje me lajmin se Shqipërisë nuk do t’i hapen në qershor. Në një reagim në Facebook, Kryemadhi shprehet se  shpresat për qershorin u shuan dhe për këtë bën fajtor, Edi Ramën.

    Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI

    Largimi i Ramës dhe çlirimi i sistemit nga diktatura e krimit, është e vetmja rrugë për Shqipërinë dhe shqiptarët!”, shkruan kryetarja e LSI

    REAGIMI I PLOTË

    Shpresat për çeljen e negociatave me Shqipërinë u shuan edhe këtë qershor! Bashkimi Europian dha sinjalin më të fortë se perspektiva europiane me Edi Ramën dhe qeverinë e tij është e pamundur.

    Largimi i Ramës dhe çlirimi i sistemit nga diktatura e krimit, është e vetmja rrugë për Shqipërinë dhe shqiptarët! Ne jemi të vendosur në kauzën tonë, për themelin e demokracisë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jemi të vendosur në anën e drejtë të historisë në luftën pa kompromis me krimin e organizuar dhe krijimin e një Shqipërie me mundësi të barabarta dhe liri ekonomike, që shqiptarët ta ndërtojnë jetën këtu, në shtëpinë e tyre! Sot është koha për një bashkim kombëtar! Të gjithë bashkë në 21 Qershor për Shqipërinë si gjithë Europa. Asnjë hap pas!

  • 19:21

    Partia Demokratike me anë të nurmit dy të saj, Gazment Bardhin, ka reaguar pas lajmit se negociatat për Shqipërinë nuk do ta hapen në qershor. Në një reagim në Facebook, Bardhi shprehet se kjo shtyrje nuk ka asnjë pozitive dhe kjo moshapja e negociatave ka vetëm një shkaktar, Edi Ramën.

    Me zgjedhje të vjedhura në pakt me krimin dhe me korrupsion të frikshëm si ky i qeverisë së Edi Ramës, vendi ynë do të mbetet i izoluar, i fundit për nga ekonomia, i fundit për nga zhvillimi”, shton më tej Bardhi.

    Selia e Partisë Demokratike

    REAGIMI I PLOTË

    Edi Rama është kryeministri i vetëm në botë që një lajm të keq për vendin e quan lajm pozitiv, duke thyer edhe rekordin e një viti më parë, kur gënjeu shqiptarët se negociatat u hapën. Shtyrja e vendimit të Bashkimit Europian për nisjen e negociatave me Shqipërinë për të tretën herë me rradhë, nuk ka asgjë pozitive. Edi Rama e di shumë mirë se, nëse ai do të vazhdojë të jetë në krye të vendit, dera e Europës për shqiptarët, do të qendrojë e mbyllur.

    Europianët nuk pranojnë në familjen e tyre një hajdut votash si Edi Rama, një hajdut taksash si Edi Rama, një hajdut pasurish kombëtare si Edi Rama. Me zgjedhje të vjedhura në pakt me krimin dhe me korrupsion të frikshëm si ky i qeverisë së Edi Ramës, vendi ynë do të mbetet i izoluar, i fundit për nga ekonomia, i fundit për nga zhvillimi.

    I vetmi lajm i mirë në këtë histori 6 vjeçare mashtrimesh dhe vjedhjesh të Edi Ramës, është se në tetor, kur Europa të vendosë për ne, ai nuk do të jetë më kryeministër dhe Shqipëria do të ketë hyrë në rrugën e duhur për nisjen e negociatave të anëtarësimit, duke siguruar hapin e parë për Shqipërinë si gjithë Europa – zgjedhjet e lira e të ndershme.

  • 18:53

    Soreca: S’ka kohë për të humbur, palët të ulen në dialog

    Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, ka reaguar në lidhje me progres raportin e Këshillit të Evropës, që bëri me dije se Shqipëria nuk do të ketë negociata në Qershor. Në një reagim në mediat sociale, Soreca shkruan se  tani ësthë koha për të vijuar me reformat dhe veçanërisht atë në drejtësi.

    Luigi Soreca, ambasadori i BE në Shqipëri

     

    “Këshilli ka konfirmuar sot angazhimin e saj për zgjerim për Maqedonië e Veriut dhe për Shqipërinë. Në pikëpamje të tetorit të ardhshëm “vendim i qartë dhe substancial” i Këshillit, tani është koha që të gjitha institucionet të vazhdojnë të përqëndrohen në procesin e reformës, në veçanti në mënyrë të drejtpërdrejtë në reformën në drejtësi dhe për të rifilluar urgjentisht një dialog midis të gjitha palëve për të kapërcyer situatën aktuale politike, për të siguruar që Shqipëria të mund të vazhdojë në rrugën e saj drejt pranimit në BE dhe të shkojë në hapin tjetër. Nuk ka kohë për të humbur”, shkruan Soreca.

  • 18:24

    Negociatat, Rama për “Jo”-në nga BE: Lajm pozitiv, synojmë muajin tetor

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmin se shqipëria nuk do të hapë nëgociatat në qershor, por do të pritet tetori. Në një reagim në rrjetet sociale Rama e quan lajm pozitiv raport-progresin e KE. “Ministrat e jashtëm të BE kanë miratuar në Luksemburg, kalimin tek kryetarët e shteteve të rekomandimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, me synim muajin tetor”, shkruan Rama.

    Lajm shumë pozitiv nga Europa në rrugën e çeljes së negociatave😁 Pavarësisht luftës pa limite të frontit politik të së keqes,që po bën çmos të sakatojë vendin në sytë e Europës,për të bllokuar negociatat me sharje, kërcënime,molotovë e përgjime baltosëse, Shqipëria po reziston🙏 Ministrat e jashtëm të BE kanë miratuar në Luksemburg, kalimin tek kryetarët e shteteve të rekomandimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, me synim muajin tetor. Le t’i rezistojmë deri në fund ofensivës së baltës dhe gurëve kundër Shqipërisë. Të gjithë bashkë në 30qershor”, shkruan Rama.

  • 17:32

    Hapja e negociatave, Hahn: Tre vendet skeptike kërkojnë më shumë kohë, rezultate konkrete për Shqipërinë në tetor

    Komisioneri i për Zgjerim në BE, Johannes Hahn ka deklaruar se Shqipëria ka mbetur pas në procesin e integrimit në BE, por do të njohë rezultate konkrete në tetor.

    Gjatë fjalës së tij, Hahn tha se vendet si: Franca, Gjermani dhe Danimarka janë ende skeptike për Shqipërinë, teksa shtoi se Gjermania kërkon më shumë për të shqyrtuar raportin e KE-së.

    “Nuk mund ta injorojmë krizën e brendshme e cila ka pasur njëfarë ndikimi te disa vende për vendimin e ditës së sotme, por shpresojmë se deri në Tetor do ketë një ndryshim. Kur flasim për zgjerimin është një proces që zgjat në kohë, çelja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim i menjëhershëm”

    Komisioni Evropian vlerëson dhe beson sërish se këto vende duhet të shpërblehen. Nuk është në interes të vetëm këtyre 6 vendeve të Ballkanit që të bëhen pjesë e BE-së, por është edhe në interesin tonë. Të gjitha këto bazohen edhe në merita individuale. Zgjerimi ndikon për stabilitetin në rajon, megjithatë një vendim nuk është arritur të merret në lidhje me hapjen e negociatave, të paktën këtë verë. Kërkohet më shumë kohë për rekomandimet tona që ata të bëjnë vlerësimet e tyre”, deklaroi Hahn.

  • 16:01

    Cakaj: Shqipëria e mori, presim nderimet për fazën tjetër

    Gent Cakaj, ministri i Jashtëm në detyre ka dhënë një reagim pozitiv për Shqipërinë. Në një status në rrjetet sociale, Cakaj shkruan se Shqipëria ka marrë një përgjigje pozitive për hapjen e bisedimeve.

    Më tej ministri thekson se vend ynë tashmë pret nderimet e Europës për të vazhduar fazën tjetër të integrimit në BE.

    Shqipëria e mori! Një vendim pozitiv për hapjen e bisedimeve është thelbësore për të ardhmen europiane.

    Pranimi për bisedime janë thelbësore për të thelluar reformat në vend dhe aktivitetin e Bashkimit Europian në rajon. Shqipëria pret nderimet e Europës për të vijuar në fazën e ardhshme,”– shkruan Cakaj në statusin e tij.

  • 11:39

    Integrimi në BE/ Sa larg e shohin shqiptarët rrugën drejt Europës (Statistika)

    Në pritje të vendimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian për çeljen ose jo të negociatave për Shqipërinë dhe dhe Maqedoninë e Veriut, IDRA Research & Consulting ka realizuar një sondazh për të matur pritshmërinë e shqiptarëve për integrimin e plotë të vendit tonë në BE.

    Rreth gjysma e shqiptarëve mendojnë se Europa është larg rreth 10 vjet ose më tepër. Ndërkohë rreth 40% e tyre besojnë se Shqipëria do të bëhët pjesë e Bashkimit Europian për rreth 5 vjet ose më pak.

    Rezultati i sondazheve

    Pjesa tjetër, ajo më pesimiste, që përbehet nga 11% e të anketuarëve mendojnë se Shqipëria asnjëherë nuk do t’ia dalë të bëhët anëtare e Bashkimit Europian.

    Pavarësisht faktit se shumica e shqiptarëve e shohin të largët ditën e anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, vlen të theksohet fakti se ne ngelimi vendi më pro* Bashkimit Europian mes vendeve aspirante (Shqipëri, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia).

    Ky anketim është realizuar nëpërmjet një kampionimi përfaqësues kombetar të përbërë nga 1000 të anketuar me ane te metodes balle per balle. Marzhi i gabimit për këtë anketim është +- 2.2 % me nje interval besueshmërie 95%.

    Marrë nga Idrapoll.com

  • 11:39

    DW: Nuk do të ketë datë të caktuar për Shqipërinë. Roth: Ne vendosim në vjeshtë

    Ministrat e Jashtëm të BE pritet të nxjerrin vetëm një deklaratë për rëndësinë strategjike të Ballkanit për Evropën e nuk do të japin një datë përfundimtare për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

    Në mbledhjen e sotme (18.06) të ministrave të vendeve anëtare të BE-së nuk duket se do të merret ndonjë vendim përfundimtar për çeljen e negociatave me Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut, por do të lëshohet një deklaratë apo vendim paraprak që do të tregojë rëndësinë strategjike të Ballkanit për Evropën.

    Gjermania e merr vendimin në shtator apo tetor

    Ministri gjerman i shtetit për Evropën Michael Roth, para takimit tha: “Para një viti u kemi dhënë detyrat e shtëpisë dy vendeve dhe ata i kanë përmbushur. Veç kësaj Maqedonia e Veriut ka arritur të zgjidhë një konflikt 30 vjeçar me Marrëveshjen e Prespës”. “Dhe kjo është e pashembullt dhe duhet shpërblyer”, ka shtuar ai. Roth shtoi se për arsye kohe Gjermania do ta marrë vendimin në shtator ose tetor.

    Ndërsa ministri austriak për Evropën, Alexander Schalenberg tha, se “do të ishte një sinjal shumë i keq, nëse do t’u kthenim shpinën këtyre dy vendeve. Nuk ka rëndësi data e çeljes së negociatave, rëndësi ka që të ndodhë sa më shpejt dhe sot të arrijmë një vendim paraprak”.

    Komentet e ministrit austriak i ka mbështetur edhe deklarata e ministrit të Jashtëm të Italisë, Enzo Moavera, i cili tha se do të merret një vendim paraprak mbi bazën e asaj që është arritur deri tani dhe do të pritet vendimi i Buddestagut pas përfundimit të verës.

    George Ciamba, ministri rumun për Evropën, të cilët janë edhe organizatorë të takimit pasi Rumania mban presidencën e radhës në BE sqaroi, se deklarata rreth raporteve të progresit do të jetë: “E angazhuar, konstruktive dhe do të përmbajë balancën dhe rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për Evropën”./ Marrë nga DW

  • 10:15

    Diplomati i BE: Ka mosmarrëveshje mes vendeve, vendimi shtyhet për në tetor

    Sot është dita kur shqiptarët dhe maqedonasit presin që të hapen negociatat për anëtarësim në BE. Agjencia e lajmeve Reuters, ka publikuar një draft të fundit, ende jo përfundimtar, se vendimi për dy vendet e Ballkanit Perëndimor do të shtyhet për në tetor. 

    Një shtyrje apo edhe moshapja e negociatave ul besueshmërinë e BE-së dhe rrit ndikimin e Rusisë.

    Pjesë nga artikulli i Reuters:

    Ministrat e BE nga 28 shtetet e bllokut do takohen sot në Luksemburg për të diskutuar fillimin e negociatave të anëtarësimit me të dy vendet e Ballkanit, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, një vit pasi Franca dhe Holanda e bllokuan atë, duke kërkuar më shumë reforma.

    Maqedonia e Veriut që prej asaj kohe ka nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme me Greqinë e BE-në, duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje dhjetëvjeçare të emrit dhe duke bërë që një duzinë shtetesh të BE të bëjnë publike thirrjen për shpërblimin e Shkupit.

    Në rrezik është edhe besueshmëria e BE-së dhe vullneti i bllokut për të vepruar kundër asaj që e sheh si një ndikim në rritje të Rusisë dhe fuqive të tjera të huaja në rajon, ende të goditura nga luftërat etnike në vitet 1990.

    Por diplomatët kombëtarë që përgatitën takimin e së martës nuk arritën të bwjnw një marrëveshje mbi një deklaratë të përbashkët ligjore, e cila ka nevojë për mbështetjen unanime të të gjitha shteteve të BE-së që të miratohen.

    “Ka pasur një mosmarrëveshje masive dhe nuk është aspak e sigurt se ministrat do të jenë në gjendje të gjejnë një marrëveshje”, tha një diplomat i BE.

    Drafti thotë se zgjerimi do të varet gjithashtu nga aftësia e BE-së për të reformuar veten dhe për të integruar në mënyrë efektive çdo anëtar të ri.

    Drafti i fundit, por ende i diskutueshëm, i cili u pa nga Reuters, thotë se do të shtyhet për në tetor çdo vendim për hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe pasi parlamenti gjerman të shqyrtojë çështjen./ Marrë nga Reuters

Shto Koment