Ekonomi

Në vjeshtë nis ristrukturimi i huasë për 9 kompani të mëdha, 7 të tjera në faliment

Burimet nga Banka e Shqipërisë pohojnë nga grupi i të 35-ave, se 7 korporata nuk e kalojnë procesin e ristrukturimit dhe ndaj tyre do të zbatohet falimenti, ndërsa 9 korporatat e mbetura do të ristrukturohen në vjeshtë nëpërmjet marrëveshjes së re të arritur.
Featured image of article: Në vjeshtë nis ristrukturimi i huasë për 9 kompani të mëdha, 7 të tjera në faliment Foto ilustruese

Qasja e Tiranës pritet të nisë nga aplikimi në vjeshtë të këtij viti me ristrukturimin e huasë në 9 kompani të mëdha. Nga 35 korporatat e mëdha që zotëronin 65% të kredisë me probleme në vitin 2015, 16 prej tyre tashmë e kanë kaluar një proces ristrukturimi të arritur me marrëveshje dypalëshe ndërmjet bankave.

Burimet nga Banka e Shqipërisë pohojnë nga grupi i të 35-ave, se 7 korporata nuk e kalojnë procesin e ristrukturimit dhe ndaj tyre do të zbatohet falimenti, ndërsa 9 korporatat e mbetura do të ristrukturohen në vjeshtë nëpërmjet marrëveshjes së re të arritur.

Kompanitë, me moskthimin e kredive, po mbajnë peng të gjithë zhvillimin e ekonomisë, janë pjesa më e vështirë e shtruar për zgjidhje. Pas vitit 2015, Banka Botërore, me një projekt të posaçëm mori në skaner një nga një kreditorët e mëdhenj. Ato u studiuan në mënyrë individuale, ndërsa kanë kredi të pakthyera në disa banka. Për kompanitë pjesërisht të shëndetshme, rekomandohet të gjejnë burime alternative jashtë bankave. Këtu mund të ndërhyjë qeveria për të blerë një pjesë të borxhit ose kolateralit të këtyre korporatave, në mënyrë që atyre t’iu sigurohen likuiditetet e nevojshme për ristrukturimin.

Po pavarësisht se, në themel të ligjit të ri të falimentit ristrukturimi shihet si një element thelbësor për shpëtimin e bizneseve, kjo masë nuk mjafton. Për disa biznese, ristrukturimi nuk do të jetë shpëtim ndaj falimenti është i pashmangshëm. Burimet në Bankën e Shqipërisë njoftojnë se, 7 korporata që futen tek debitorët e mëdhenj do të duhet të falimentojnë me çdo kusht pasi nuk kanë asnjë mundësi shpëtimi as me ristrukturim.
Procedura e falimentimit, e rregulluar nga projektligji i ri i shtrin efektet e veta mbi çdo debitor qoftë ky individ, tregtar, familje bujqësore, person juridik privat ose publik, fitimprurës ose jofitimprurës që ndjek qëllime ekonomike, shoqëri e thjeshtë, ose njësi administrative vendore.

Qasja e Tiranës huazoi modelin Podgorica për kredive me probleme

Në fund të vitit 2013, Banka Qendrore e Malit të Zi amendoi Vendimin për Standardet Minimale për Menaxhimin e Riskut të Kredisë në Banka. Në qershor të vitit 2016,

“Monitor” ka intervistuar guvernatorin e Malit të Zi, z. Milojica Dakić, i cili ka sjellë përvojën e institucionit që ai drejton në reduktimin e NPL-ve, nëpërmjet procesit të ristrukturimit. Ristrukturimi i kompanive ka qenë në thelb të planit “Podgorica”, duke u preferuar dukshëm ndaj falimentimit të tyre.

Z. Dakić pat pohuar se ka pasur vullnet politik dhe një konsensus të përgjithshëm të të gjithë faktorëve të rëndësishëm në sistemin e Malit të Zi për t’u marrë me zgjidhjen e kredive me probleme në sektorin bankar, duke përfshirë të gjithë aktorët që mund të jepnin kontributin e tyre.

Vendimi i vitit 2013 përcaktoi se bankat janë të detyruara të zhvillojnë një strategji për trajtimin e kredive me probleme, vendosjen e objektivave vjetore operacionale dhe dorëzimin e raporteve tremujore te banka qendrore për zbatimin e këtyre objektivave.

Qëllimi i miratimit të kësaj rregulloreje ishte që t’i shtynte bankat të merreshin me reduktimin e NPL-ve, në një mënyrë sistematike dhe të organizuar. Bankat përcaktojnë objektivat operacionalë që synojnë të reduktojnë NPL-të, duke marrë në konsideratë nivelin e NPL-ve në çdo bankë individuale, kapacitetet aktuale operacionale të personave që merren me NPL-të, dhe nevojën për të përdorur kriteret e qëndrueshmërisë kur vlerësohen marrëveshjet e rimëkëmbjes.

Si rrjedhojë, Banka Qendrore u kërkoi bankave të marrin në konsideratë situatën aktuale, në mënyrë që të përmirësonin kornizën dhe përqasjen për adresimin e kredive me probleme. Përshtatja e rregulloreve të sipërpërmendura ishte e një rëndësie të veçantë në periudhën përpara miratimit të ligjit, që parashikonte zbatimin e dispozitave të së ashtuquajturës përqasja “Podgorica”. Modeli “Podgorica” është një qasje shumëpalëshe, që përfshin disa grupe interesi, si: bankat, bankën qendrore, qeverinë dhe biznesin që është në vështirësi.

Analiza e strategjive, objektivave operacionalë dhe raportet lidhur me zbatimin e objektivave operacionalë për 2014-n, që ishin dorëzuar fillimisht në bankën qendrore, treguan se kishte disa mungesa te banka kur vinte puna te këto dokumente dhe raporte. U zhvilluan takime individuale me përfaqësuesit e bankave, në mënyrë që të sigurohej një përputhje e plotë e strategjive dhe qëllimeve operacionale me kërkesat që vinin nga udhëzimet, të cilat janë një pjesë integrale e vendimit.

Në këto takime, bankave iu vunë në dukje mungesat përkatëse. Duke pasur parasysh qëllimin e miratimit të kësaj rregulloreje ishte shumë e rëndësishme të angazhoheshin bankat të përmbushnin detyrimet e specifikuara aty dhe jo vetëm të plotësonin kërkesat formale. Pasi zgjidhëm paqartësitë fillestare, rezultatet që vinin nga zbatimi i rregullores së re u vunë re me shpejtësi. Analizat e raporteve tremujore të dorëzuara nga bankat konfirmuan shpejt rezultatet e masave të marra, por treguan dhe segmentet që kërkonin përmirësime të mëtejshme, në mënyrë që të arriheshin rezultate edhe më të mira. Niveli i NPL-ve në Malin e Zi në fund të marsit 2019 ishte 5.9% nga më shumë se 25 % që ishin në gusht të vitit 2011.

Marrë nga Monitor

(k.m/dosja.al)

Shto Koment