Editorial

Në dy muaj, 24 persona humbën jetën nga aksidentet rrugore, shkak drejtimi i gabuar i mjetit

Nga të dhënat mësohet se vetëm në muajin shkurt u shkaktuan 125 aksidente rrugore nga 113 aksidente në shkurt 2018, duke u rritur me 10,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Featured image of article: Në dy muaj, 24 persona humbën jetën nga aksidentet rrugore, shkak drejtimi i gabuar i mjetit Foto nga një aksident
Gjatë dy muajve të parë të vitit, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 24 nga 33 që ishte një vit më parë. Sipas të dhënave të INSTAT, në mbi 85% të rasteve, aksidentet ishin për shkak të drejtimit të gabuar të mjetit.

Nga të dhënat mësohet se vetëm në muajin shkurt u shkaktuan 125 aksidente rrugore nga 113 aksidente në shkurt 2018, duke u rritur me 10,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në shkurt 2019, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 154 persona nga 148 që ishte një vit më parë, duke u rritur me 4,1%.
Numri i të aksidentuarve në dymujorin e parë të vitit 2019, është 307 duke u ulur 5,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018.
Aksidentet rrugore, në 82,4% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.

Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grupmosha 25-35 vjeç, duke zënë 28,8% të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grupmoshë janë ulur me 2,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në dymujorin e parë 2019, aksidentet rrugore, në 15,7% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 29,4% krahasuar me një vit më parë.

Rrugët në Shqipëri vrasin më shumë se në çdo vend tjetër të Europës, së bashku me Bosnjën dhe ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar të dhënat e reja lidhur me vdekjet në aksidentet rrugore për 100 mijë banorë. Me 13.7 vdekje për 100 mijë banorë, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të vdekjeve nga aksidentet në Europë.

Raporti thekson se Rusia ka rrugët më vdekjeprurëse në Europë, me 18 vdekje për 100 mijë banorë. Më pas renditet Armenia me 17.1, Bosnjë-Hercegovina me 15.7, Gjeorgjia me 15.3 dhe Shqipëria dhe Ukraina me 13.7.

Norvegjia dhe Zvicra, me përkatësisht 2.7 dhe 2.8, kanë rrugët më të sigurta për të udhëtuar në Europë. Përdoruesit e rrugës në këto vende kanë 5 herë më pak të ngjarë që të vriten në një aksident rrugor se në Shqipëri dhe 7 herë më pak se në Rusi.

Rekordin më të keq në botë e ka Afrika me 26.6 vdekje për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Azia Juglindore me 20.7, sipas grafikëve që janë publikuar nga Euroneës dhe i përkasin vitit 2016.

Burimi: Monitor

Shto Koment