Aktualitet

Në Call Center “gëlon” stresi!

Në fillimet e studimeve nuk e kishte menduar se puna e saj do të ishte pikërisht kjo që bën sot: të telefonte për tetë orë apo më tepër qytetarë, të cilët jetojnë qindra kilometra larg Shqipërisë, kryesisht në Itali dhe të përpiqet t’u shesë shërbime dhe t’i bëjë të pranojnë dhe të blejnë oferta që kompanitë italiane ofrojnë.
Featured image of article: Në Call Center “gëlon” stresi! Foto Ilustruese

TIRANË– Anisa është 30 vjeç dhe prej disa vitesh punon në një kompani Call Center në Tiranë. E diplomuar për inxhinieri mjedisi, ajo është nënë e një vajze të vogël dhe ka vetëm disa vjet që ka krijuar familjen e saj.

Në fillimet e studimeve nuk e kishte menduar se puna e saj do të ishte pikërisht kjo që bën sot: të telefonte për tetë orë apo më tepër qytetarë, të cilët jetojnë qindra kilometra larg Shqipërisë, kryesisht në Itali dhe të përpiqet t’u shesë shërbime dhe t’i bëjë të pranojnë dhe të blejnë oferta që kompanitë italiane ofrojnë.

Fillimisht kur endej në kërkim të një pune dhe iu afrua mundësia të punonte , ajo mendoi se ishte diçka e mirë të punonte për një kompani Call Center. Por sot, Anisa e ndien veten shumë të lodhur psikologjikisht dhe tepër të stresuar në të përditshmen e saj.

“Kur shkoj në shtëpi nuk kam fare dëshirë të flas me burrin dhe nuk mund të luaj as me vajzën. Jam tepër e nervozuar dhe më duket sikur jam gati të qaj për çdo gjë. Së fundi kam filluar të takoj edhe një psikolog, pasi më duket se situata është rënduar shumë. Mendoj se gjithçka vjen nga stresi i punës dhe fakti që për tetë orë me rradhë jam me kufje në vesh duke folur”, -shprehet ajo për Gazetasi.al.

Në Shqipëri numërohen rreth 25 mijë të punësuar në Call Center. Ky sektor përbën 5% të PBB-së dhe rreth 79,5 % e punonjësve të këtyre bizneseve kanë moshë nga 18 në 30 vjeç.

Pjesa më e madhe e tyre, 69.2% janë femra.

Një analizë mbi të drejtat e punës, legjislacionin, rregulloret dhe politikat në sektorin call center, shoqata “Together for life” tregon se disa nga problemet me të cilat përballen këta punonjës lidhen drejtpërdrejt me shëndetin e tyre.

Sipas analizës, rreth 30 përqind e punonjësve në Call Center përjetojnë probleme të tilla, si: stresi, probleme të shtyllës kurrizore, probleme me veshët, shok.

Ndërkohë për këta punonjës mungon mjeku i punës dhe vizitat mjekësore që bëhen për ta janë fiktive.

Një tjetër çështje që duhet të merret parasysh është edhe ndikimi i pandemisë në këtë sektor punësimi, një ndër më punëdhënësit më të mëdhenj të të rinjve në vend.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Pavarësisht se sektori ka qenë fitimprurës dhe ka shënuar rritje, përgjatë 2020-ës dhe në fillim të 2021 janë shënuar ulje e rrogave të punonjësve apo shkurtim i vendeve të punës.

Arta është një punonjëse, e cila pasi ka punuar për 6 vjet në një kompani Call Center, e cila operonte në tregun italian, tashmë është e papunës prej gati 8 muajsh.

“Në krahasim me vende të tjera pune, rroga është e mirë, por stresi shumë i madh. Por gjatë këtij viti pandemie gjërat janë bërë të vështira. Fillimisht më ulën në pozicion dhe më ulën rrogën. Disa punonjës ndërkohë ishin larguar nga puna. Vazhdova për disa muaj, pavarësisht se me rrogë më të vogël, derisa më thanë se nuk mund të qëndroja më në punë dhe se pas një muaji duhej të ndërprisja marrëdhënien e punës. Kur ika nga puna më dhanë librezën, ku kishin shënuar se isha larguar me dëshirë nga puna”, – rrëfen ajo për Gazetasi.al.

Disa kompani Call Center, që operojnë në Shqipëri, janë të varura plotësisht nga tregu italian. Kriza që po kalon shteti fqinj vlerësohet si një ndër arsyet kryesore për shkurtime të vendeve të punës në këtë sektor.

Prej marsit 2020 një pjesë e mirë punonjësve në Call Center po e vazhdojnë të punojnë pa qenë fizikisht në zyrë, por online nga shtëpia.

Nga ana tjetër, shërbimi i call center në disa fusha të caktuara është rritur gjatë periudhës së pandemisë, si përshembull në ato kompani që operojnë me shitje në platforma të njohura ndërkombëtare, si: Amazon apo eBay, por edhe për produkte ushqimore apo për konsum për kompani që operojnë në tregun evropian, apo disa lloje shërbimesh e-commerce.

Megjithëse një nga sektorët që vlerësohet me pagesa relativisht jo të ulëta në krahasim me disa sektorë të tjerë shërbimesh në vend, pagesat në Shqipëri për punonjësit e call center janë dhjetë herë më të ulta se në vendet e BE.

Shoqata “Together for life” thotë se ka vërjetur që shfrytëzimi apo presioni, që iu bëhet një pjesë të mirë të punonjësve dhe kushtet jo të mira të punës lënë shumë për të dëshiruar dhe kërkojnë një kontroll më të mirë për respektim të të drejtave të punëtorëve.

Marrë nga Gazeta SI.

Shto Koment