Ekonomi

Ndryshon sërish buxheti/ Deficiti mund të arrijë deri 1.5 miliardë euro, borxhi publik rritet në 80% të PBB-së (Pasojat e COVID-19)

Deficiti buxhetor pritet të arrijë në 132 miliardë lekë (më shumë se 1 miliardë euro), ndërsa borxhi, pa efektin e kursit të këmbimit në 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Efektet janë drastike në vetëm dy muaj e pak karantinë të ekonomisë.
Featured image of article: Ndryshon sërish buxheti/ Deficiti mund të arrijë deri 1.5 miliardë euro, borxhi publik rritet në 80% të PBB-së (Pasojat e COVID-19) Foto ilustruese

SHQIPËRI-Efektet që Covid-19 ka dhënë mbi ekonominë vendase e kanë detyruar Ministrinë e Financave të ndryshojë rrënjësisht buxhetin e 2020-s. Teksa të ardhurat priten në rënie dhe shpenzimet planifikohen të shtohen ndjeshëm, deficiti buxhetor (diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve) dhe borxhi publik pritet të arrijnë nivele rekorde, të papara ndonjëherë.

Deficiti buxhetor pritet të arrijë në 132 miliardë lekë (më shumë se 1 miliardë euro), ndërsa borxhi, pa efektin e kursit të këmbimit në 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Efektet janë drastike në vetëm dy muaj e pak karantinë të ekonomisë.

Ky parashikim bazohet sërish në një skenar oprimist me tkurrje vetëm 4% të të ardhurave në buxhet. Por, pritshmëritë e tatimeve janë për një tkurrje të të ardhurave me 15%, çka mund ta çojë deficitin në 1.5 mld euro, nëse realizohen gjithë shpenzimet e planifikuara.

Të ardhurat me rënie, por pritshmëritë mbeten sërish optimiste

Sipas aktit të fundit normativ të publikuar në Fletoren Zyrtare, të ardhurat buxhetorenë 2020-n pritet që të jenë 446.5 miliardë lekë, me një rënie nominale prej gati 3% (-14 mld lekë) në raport me faktin e vitit të mëparshëm.  Në krahasim me buxhetin e hartuar në fund të 2019-s, kur askush nuk e dinte se çfarë e priste ekonominë, të ardhurat janë rishikuar me -63 miliardë lekë. Gjithsesi, edhe buxheti fillestar i 2020 ishte shumë optimist, pasi ai bazohej në planin e 2019-s, kur fakti rezultoi shumë më i ulët.

Qeveria planifikon të arkëtojë 18 miliardë lekë nga ndihmat, dyfishim në raport me vitin 2019, si rrjedhojë e parave të donatorëve që pret të marrë pas angazhimeve nga tërmeti. Por, në krahasim me fillimin e vitit, pritshmëritë nga donatorët janë ulur, teksa në buxhetin fillestar ishin 24 miliardë lekë.

Të ardhurat tatimore priten në rënie prej 4.3%, ose rreth 18 miliardë lekë më pak se fakti 2019. Ky parashikim gjithsesi mbetet optimist, pasi pritshmëritë e tatimeve janë për një rënie prej 15% në raport me faktin e vitit të kaluar. Për 5 mujorin, ku vetëm dy muaj e gjysëm ishin karantinë, të ardhurat në buxhet janë tkurrur me 14.7% me bazë vjetore.

Për 2020-n, të gjitha zërat priten me rënie, por më të forta parashikohen për tatim fitimin (-6.1 mld lekë)  dhe tatimin mbi të ardhurat personale (-5.4 mld lekë), si dhe nga sigurimet shoqërore e shëndetësore (-3.4 mld lekë), në një tregues që punësimi nuk pritet të rikuperohet këtë vit. (shiko tabelën për ndryshimet e detajuara sipas zërave).

Shpenzimet me rritje të ndjeshme

Ndërsa të ardhurat parashikohen me rënie, qeveria nuk e ka luksin të rishikojë me ulje shpenzimet. Mbështetja e ekonomisë për pasojat e Covid-19, rritja e fondeve rezervë për të papriturat, plani për më shumë shpenzime kapitale dhe fondet për rindërtimin e tërmetit kanë bërë që planifikimi i shpenzimeve të arrijë në gati 580 miliardë lekë, ose 18% më shumë se fakti i një viti më parë. Edhe në raport me buxhetin fillestar, shpenzimet janë rritur me 5.4%.

Sipas Aktit Normativ, Fondi rezervë i buxhetit arrin në një nivel rekord prej 16.2 miliardë lekësh, i ndarë, si më poshtë vijon:

– 2.7 mld lekë për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme.

– 13.5 mld lekë si kontingjencë për paketën sociale antiCovid-19.

-Kontingjenca për risqet e borxhit prej 4.1 mld lekësh përdoret nga ministri përgjegjës për financat për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në shpenzimet për interesa.

Pothuajse të gjitha zërat e shpenzimeve pritet të rriten, duke filluar nga pagat; interesat, si të brendshme dhe të jashtme, si rrjedhojë e rritjes së borxhit; shpenzimet për fondet e pensioneve, si rrjedhojë e rënies së pritshme të të ardhurave nga sigurimet; ndihma ekonomike; pagesat e papunësisë (shiko tabelën).

Por, rritjen më të lartë pritet që ta kenë shpenzimet kapitale, në një përpjekje për të nxitur ekonominë. Ato janë planifikuar me një zgjerim prej 17%, ose gati 13 miliardë lekë më shumë, në krahasim me faktin 2019.

Fondi i rindërtimit është 34 mld lekë, nga të cilat 31 mld lekë janë grante dhe 3 mld euro shpenzime.

Deficiti arrin rekord

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Rënia e të ardhurave dhe rritja e fortë e shpenzimeve pritet ta çojnë deficitin buxhetor në një nivel rekord prej 132 miliardë lekë, ose më shumë se 1 miliardë euro, nga -31 miliardë lekë që ishte fakti i vitit të kaluar dhe -40 miliardë lekë, që ishte pritshmëria në buxhetin fillestar.

Pjesa më e madhe e këtij deficiti,, rreth 62% do të financohet nga burime të huaja dhe 38% nga burimet e brendshme.

Sipas Aktit Normativ, Deficiti faktik i buxhetit të shtetit,  mund të financohet nëpërmjet huamarrjes neto nga burime të brendshme deri në kufirin maksimal prej 49 900 milionë lekësh.

Pjesa tjetër e financimit të deficitit faktik të buxhetit të shtetit financohet nëpërmjet huamarrjes neto nga burime të huaja, si dhe ndryshimit pakësues ose shtues të gjendjes së llogarisë së Këshillit të Ministrave në Bankën e Shqipërisë.

Në financimin neto nga burimet e huaja përfshihen huamarrjet dhe ripagesat me vlera të përafërta indikativë, si më poshtë vijon:

– Huamarrje afatgjata, të destinuara për projekte, me vlerë rreth 15 184 milionë lekë;

– Huamarrje nga eurobondi, me vlerë prej rreth 80 177 milionë lekësh;

– Huamarrje në formë të “mbështetjes buxhetore” nga institucione financiare ndërkombëtare, me vlerë rreth 49 833 milionë lekë;

-Ripagesa të principalit, me vlerë rreth 62 600 milionë lekë.

Sa shkon deficiti, nëse të ardhurat bien 15%

Nëse të ardhurat ruajnë ritmin e deritanishëm, me tkurrje 15%, në fund të vitit ato pritet të zbresin në më pak se 400 mld lekë, çka do e çonte deficitin në rreth 190 mld lekë, ose gati 1.5 mld euro, nëse do ruhej ritmi i planifikuar i shpenzimeve (përllogaritje të Monitor). Por një deficit i tillë do kalonte mundësitë e financimit, çka do e detyronte qeverinë të korrektonte kahun e shpenzimeve, duke reduktuar financimet kapitale, që priten gjithnjë në raste kursimi.

Borxhi arrin në 80% të PBB-së

Sipas Aktit Normativ, Stoku i borxhit publik vlerësohet të arrijë në 1 272 563 milionë lekë(10.3 miliardë euro), pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit, i dhënë me hollësi, si më poshtë vijon:

– Stoku i borxhit të qeverisjes qendrore 1 202 685 milionë lekë.

– Stoku i borxhit të garantur nga qeverisja qendrore 69 128 milionë lekë.

Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto  të rishikuar borxhi publik pritet që të arrijë në një niv nivel rekord prej 80%, sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në të dhënat e borxhit public dhe PBB-së së rishikuar nga Ministria e Financave.

Marrë nga Monitor.al 

Shto Koment