Editorial

Ndryshime në Klubin “si e patën emrin”

Kur të hyjë në Komision, do të trashëgojë po ashtu mandatin që Komisioni Evropian mori që nga viti 2011 për normalizim e që u shndërrua në obligim për “marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese” (pra një traktat paqeje mes dy shteteve).
Featured image of article: Ndryshime në Klubin “si e patën emrin”

KOSOVË- Ka të ngjarë që mandati i Josep Borellit të fillojë, e ndoshta edhe të përfundojë pas pesë vjetësh, me dy vektorë politikë që po vendosen para se ta marrë ai fare detyrën.

1.

Për disa javë do të shtohet numri i njerëzve që do të thonë për të “ajo, si e pati emrin, kryediplomatja evropiane?”, kur ta kenë fjalën për Federica Mogherinin, nënkryetaren e Komisionit Evropian në largim. Prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës e këtej, ajo i shtohet numrit të listës “si e patën emrin?” të njerëzve që janë marrë me procesin e “normalizimit” të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që me vullnet të vetin e të tjerëve meritojnë të hyjnë në kategorinë e harresës. Para pesë vjetësh Federica Mogherini filloi të përmendej si personi në detyrë, në mënyrë që në listën e “si e patën emrin?” të hynte Catherine Ashton, me ndërmjetësimin e së cilës u nënshkrua Marrëveshja e parë Thaçi-Daçiq, me të cilën Kosova pranoi se pavarësia e Kosovës është e kontestueshme (edhe pas vendimit të GJND-së që thotë tjetër gjë) dhe se serbët e Kosovës kanë të drejtë për autonomi territoriale . Për pesë vjet Federica Mogherini vazhdoi me zell rrugën qorre, duke e vendosur Kosovën të nënshkruante pëlqimin formal për autonominë territoriale serbe në Kosovë e më pastaj edhe duke u marrë me ndarjen tokësore të Kosovës në një mundësi eventuale këmbimesh territoriale.

Federica “si e pati emrin” lë pas vetes një konflikt të papërfunduar mes Kosovës dhe Serbisë, shndërrimin e kapësve të shtetit të Kosovës në partnerë evropianë dhe një Serbi që është gjithnjë e më afër autokracisë brenda Rusisë jashtë, sesa kur me Serbinë filloi të merrej paraardhësja e saj Catherine Ashton. Operacionet diplomatike të Komisionit Evropian vetëdeklarohen të suksesshme, por pacientët po bëhen më keq.

2.

Josep Borell, shefi i deritanishëm i diplomacisë spanjolle, do ta marrë detyrën, sipas të gjitha gjasave, në dhjetor dhe do të jetë i treti me radhë që merret me konfliktin e papërfunduar Kosovë-Serbi. Me vete do të marrë tri trashëgimi të panevojshme. Një, atë të ministrit të një vendi që jo vetëm nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por edhe ka agjituar në mënyrë aktive kundër saj. Dy, trashëgiminë e C. Ashton dhe të Mogherinit me një koncept negociatash “nga poshtë lart”, pra nga zgjidhja e problemeve të veçanta me shpresë se do të krijojnë parime për zgjidhjen e përgjithshme. Tre, një politikë ambiguiteti ndaj Kosovës (është dhe nuk është e pavarur) dhe qartësie ndaj Serbisë (anëtarësim në BE në këmbim për marrëveshje me Kosovën).

Që të tria trashëgimitë janë një lëmsh që bën mirë ta skajojë që te dera e Komisionit, një lëmsh që u bën mirë vetëm rrëfimtarëve për periudhën e Klubit “si e patën emrin?”.

Kur të hyjë në Komision, do të trashëgojë po ashtu mandatin që Komisioni Evropian mori që nga viti 2011 për normalizim e që u shndërrua në obligim për “marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese” (pra një traktat paqeje mes dy shteteve).

Dhe, në atë që në fjalorin politik të Komisionit ka hyrë si një huazim prej Amerikës, në “toolbox”-in (kutinë e veglave) me të cilat disponon, nuk është më anëtarësimi i shpejtë (apo mbase edhe i ngadaltë) në BE.

Pra, duhet të marrë misionin e pajtimit të Kosovës dhe Serbisë pa pasur mundësi t’u premtojë palëve shpërblimin e integrimit evropian. Rrëfimi i zhveshur do të ishte, pak a shumë ky: erdha t’ju pajtoj në mënyrë që të jini të qetë aty ku jeni, të mos na bëni telashe aty në botën tuaj, jashtë BE-së.

3.

Ka të ngjarë që mandati i Borellit të fillojë, e ndoshta edhe të përfundojë pas pesë vjetësh, me dy vektorë politikë që po vendosen para se ta marrë ai fare detyrën.

I pari është një qasje e re, prej katër pikësh, të cilën e propozon presidenti Macron për të zëvendësuar politikën e deritanishme të integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkim Evropian. Kjo qasje e re thotë që shtetet aspiruese të zhvillojnë negociata lidhur me “blloqe politikash”, dhe duke u zhvilluar suksesshëm në këto segmente sektoriale do të integroheshin në to. Kjo do të thoshte, për shembull (të cilin francezët do ta konsideronin të skajshëm), që Serbia e Shqipëria do të integroheshin në segmentin e bujqësisë pas negociatave të suksesshme, por kjo nuk do të vlente për pjesët e tjera të ekonomisë. Por kjo qasje e re po ashtu do të thoshte se në momentin kur Franca apo një shtet anëtar vëren se shalqiri i Myzeqesë dhe kumbullat e Shumadisë thyejnë sistematikisht normat prodhuese e shëndetësore evropiane, Shqipëria e Serbia do të mund të riktheheshin sërish në negociata për aderim tek sektori i bujqësisë. Gjatë tërë këtij procesi, BE-ja do të kishte në njërën dorë paratë me të cilat do të mund të ndihmonte bujqësinë e Shqipërisë e të Serbisë e në dorën tjetër shkopin, me të cilin do t’i kthente në riprovim këto shtete nëse nuk u përmbahen politikave evropiane.

Nëse kjo politikë merr përkrahjen e shteteve anëtare, atëherë integrimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor vështirë se mund të bëhet i llogaritshëm në caqe kohore të kuptueshme prej institucioneve e shoqërive. Efekti imediat është se e tëra që Borelli mund t’u thotë Kosovës dhe Serbisë për integrime evropiane është “shohim e bëjmë”, diçka që në Ballkan kuptohet fare lehtë si blerje, apo djerreje kohe.

Vektori i dytë është hapësira ekonomike e Ballkanit Perëndimor (i quajtur gabimisht e ndoshta edhe qëllimisht gabimisht, Mini-Shengen). Kjo iniciativë e tri shteteve (Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore) që synon t’i ketë brenda edhe tri shtetet e tjera të regjionit (Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi) del me qëllime dhe afate konkrete. Në bazë të deklaratës fillestare në Novi-Sad, qëllimi i kësaj hapësire ekonomike është që të gjashtë vendet të arrijnë unionin doganor në vitin 2021, e brenda këtij unioni edhe sigurimin e “katër lirive” evropiane.

Këta dy vektorë paraqesin një qartësi kontrasti të theksuar: nga njëra anë është premtimi i padefinuar i integrimit evropian, ndërsa nga ana tjetër është përcaktimi i një afati krejtësisht të afërt kohor kur duhet të funksionalizohet Unioni doganor i gjashtëshes ballkanike.

4.

Mund të ndodhë që në muajt në vijim të ketë konvergjencë mes këtyre dy vektorëve politikë. Pra, mund të ndodhë që Bashkimi Evropian ta vështirësojë, me disa apo me të gjitha pikat e planit Macron, integrimin për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Dhe mund të ndodhë që njëkohësisht ta inkurajojë integrimin regjional në hapësirën ekonomike të Ballkanit Perëndimor, si pjesë të integrimit në BE.

Nëse kjo është korniza me të cilën do të hyjë Josep Borell në zyrën e tij që në ditën e parë, atëherë për pesë vjetët e ardhshëm pikëpyetjet të cilat do t’i ngarkohen ekipit të tij është se si të ndihmohet krijimi i një paralagjeje të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe si, mes problemeve të tjera të mëdha, të garantohet një traktat paqeje Serbi-Kosovë në të.

Shto Koment