Sociale

Ndikon plakja dhe emigracioni/ Popullsia në moshë pune ra me 5628 persona më 2019, më e prekura Vlora, Tirana në rritje

Siç shihet nga të dhënat e INSTAT humbjen më të madhe të popullsisë në moshë pune e ka pësuar qarku i Vlorës, me rreth 27 për qind ose rreth 6 mijë persona.
Featured image of article: Ndikon plakja dhe emigracioni/ Popullsia në moshë pune ra me 5628 persona më 2019, më e prekura Vlora, Tirana në rritje Foto ilustruese

Popullsia në moshë punë ka vijuar me një rënie me mbi 5600 persona gjatë vitit 2019. Sipas të dhënave të INSTAT popullsia në moshë 15-65 vjeç arriti gjatë vitit të kaluar në 2,369,000 persona duke pësuar tkurrje vjetore me 0,2%.

Shkak kryesor mbetet emigracioni i lartë e shqiptarëve në moshë pune drejt vendeve të tjera, kryesisht BE.

Siç shihet nga të dhënat e INSTAT humbjen më të madhe të popullsisë në moshë pune e ka pësuar qarku i Vlorës, me rreth 27 për qind ose rreth 6 mijë persona.

Rënie të popullsisë në moshë pune ka pasur edhe në pothuajse në të gjitha qarqet përveç Tiranës dhe Durrësit, ku për shkak të migrimit të brendshëm popullsia në moshë pune është rritur me 1,6 % në Tiranë dhe 0.6% në Durrës.

Tabela

Popullsia në moshë pune do të bjerë ndjeshëm ne Ballkanin Perëndimor, por në një skenar zero të emigracionit rënia në Shqipëri do të ishte më e ulët. Duke analizuar të dhënat e Kombeve të Bashkuara, instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtare Ekonomike zhvilloi dy skenarë me dhe pa emigracion për ecurinë e forcës në punës në Ballkanin Perëndimor.

Për Shqipërinë popullsia në moshë pune do të tkurret me vetëm 9% pa emigracion dhe 24% me emigracion.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Analiza tregon se, në përgjithësi, ka pasur humbje të konsiderueshme demografike në vendet e Ballkanit Perëndimor, për shkak të zhvillimit natyror të popullsisë dhe migrimit të lartë të jashtëm. Migrimi do të vazhdoje sa kohë që faktorët shtytës dhe tërheqës vazhdojnë, duke bërë që popullsia e këtyre vendeve të tkurret më tej në dekadat e ardhshme. Në afat të gjatë, humbjet demografike do të ndikojnë në perspektivën demografike të këtyre vendeve.

Prej vitit 2013 deri në vitin 2019, periudha ndërmjet dy anketave të mëdha për studimin e ndërmarrjeve në Shqipëri të realizuara nga Banka Botërore, vihet re se forca së punës dhe cilësia e saj është kthyer në një shqetësim madhor për bizneset.

Në vitin 2013 kur u krye anketa e parafundit cilësia arsimore e forcës së punës u rendit e fundit ndër 10 problematikat kryesore që ishin shqetësuese në aktivitetin e sipërmarrjeve në Shqipëri.

Në vitin 2019 cilësia arsimore e forcës së punës u rendit në vendin e tretë ndër dhjetë shqetësimet e klimës së biznesit në vendin tonë.

Marrë nga Monitor

Shto Koment