Sport

Miqësoret për tërmetin, Italia fiton turneun e bamirësisë. ‘Brezi i artë’ i Shqipërisë nuk shkëlqen

Në ‘Air Albania’ është luajtur sot turneu i bamirësisë, ku të ardhurat kanë shkuar për tërmetin e 26 nëntorit. Italia ka mundur të dalë fituese, duke fituar kundër Shqipërisë dhe Greqisë. Në fushë ishin disa nga lojtarët më të mirë të viteve të fundit të Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Turqisë.
Featured image of article: Miqësoret për tërmetin, Italia fiton turneun e bamirësisë. ‘Brezi i artë’ i Shqipërisë nuk shkëlqen

TIRANË- Është zhvillua sot në Tiranë në stadiumin “Air Albania”, turneu i bamirësisë “Luajmë dhe rindërtojmë së bashku”, ku ndeshja e parë ishte mes Shqipërisë dhe Italisë, ku në fund me anë të penalltive fituan miqtë. 

Në fushë ishin disa nga futbollistët më të mirë, që njihen si brezi të artë të kuqezinjve të viteve 2000 dhe një kombëtare yjesh të Italisë. Ndeshja e dytë ishte mes Greqisë dhe Turqisë, që u fitua nga helenët me rezultatin minimal 1 me 0. 

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ndërkohë ndeshja finale u fitua nga Italia, ku ‘yjet’ e azurëve ishin më të saktë, pasi fituan me një autogol na Ilia Kotsios. Ky turne miqësor është organizuar nga Sindikata e Futbollistëve Shqiptarë dhe Federata Shqiptare e Futbollit dhe të gjitha të ardhurat e mbledhura nga ky organizim do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti.

(A.B. Dosja.al)

  • 20:47

    Finalja e legjendave, Italia fiton trofeun e solidaritetit në “Air Albania Stadium”

    Italia ngre trofeun e Solidaritetit në “Air Albania Stadium”. Në turneun e zhvilluar sot nga Sindikata e Futbollistëve Shqiptarë dhe FSHF-ja, skuadra axurre u shpall fituese duke mposhtur në finale Greqinë.

    Momente nga finalja Itali-Greqi

    E drejtuar nga Gianni De Biasi, legjendat e kombëtares italiane fituan falë një autogoli të Ilia Kotsios. Në ndeshjen paraardhëse, e vlefshme si gjysmëfinale, Italia fitoi ndaj kombëtares kuqezi me penallti (koha e rregullt u mbyll 1-1).

    Greqia e yjeve të vitit 2004 dhe jo vetëm mposhti në gjysmëfinale Turqinë me penalltinë e kthyer në gol nga Karagounis. Fillimisht në stadium nuk ishin shumë të pranishëm, por me kalimin e minutave u panë rreth 6 mijë vetë.

  • 19:50

    Karagunis shënon me penallti, Greqia në finale me Italinë

    Ndeshja e dytë e turneut të bamirësisë në “Air Albania” ishte Turqi-Greqi. Këtë takim e fituan grekët, të cilët arritën të bënin një ndeshje të bukur, edhe pse po flasim për ish-futbollistë të cilët e kanë njëfarë moshe.

    Helenët treguan një forcë të mahnitshme fizike dhe fituan 1-0 me gol të kapitenit Karagunis. Ky i fundit shënoi me 11-metërsh.

    Interesant është fakti se Turqia sot kishte dy futbollistë me numrin 99. Grekët kishin 5 lojtarë në stol, ndryshe nga turqit, të cilët duket se nuk ishin organizuar mirë, sepse nuk kishin asnjë zëvendësues.

  • 18:59

    Shqipëria humb pas penalltive, Duro gabon dhe iu fal fitoren italianëve

    Miqësorja e parë në “Air Albania Stadium”, Shqipëri-Itali, sapo u mbyll me triumfin e italianëve pas penalltive (3-2).

    Fillimisht në avantazh qenë italianët me golin fantastik që shënoi Esposito me parabolë, por kuqezinjtë reaguan shpejt dhe arritën të barazonin. Për ne shënoi “bomberi” Bogdani, duke na rikthyer pas në kohë me golat e tij tipikë.

    Italianët protestuan, gjë me të cilën jemi mësuar prej dekadash, por ndeshja shkoi në penallti, aty ku fituan miqtë 3-2. Për ne gaboi Duro.

  • 18:33

    Gol fantastik nga Esposito, mos e humbisni këtë parabolë ndaj Foto Strakoshës!

    Italia e legjendave sapo ka ndëshkuar Shqipërinë në minutën e nëntë me Espositon, i cili ka kaluar me lehtësi një nga mbrojtësit tanë në duel shpejtësie dhe ka shënuar një gol spektakolar në portën kuqezi.

    Shijojeni këtë parabolë fantastike, me të cilën ai mposhti Foto Strakoshën.

  • 18:30

    Gianni De Biasi, kundërshtar i Shqipërisë për disa orë, ish-tekniku i Kombëtares i jep udhëzime italianëve

    Gianni De Biasi do jetë trajneri i skuadrës italiane për ndeshjen miqësore që po luhet në ‘Air Albania’, ku të gjitha të ardhurat do shkojnë për të prekurit nga tërmeti.

    Dosja.al ka siguruar dhe një video, ku shihet ish-trajneri i  Shqipërisë duke dhënë udhëzimet e fundit për lojtarët që do jenë nën urdhrat e tij. Në këtë ndeshje miqësore, italiani do jetë kundërshtar i Kombëtares shqiptare, të cilën e drejtoi për disa vite dhe arriti të shkonte deri në Europian.

  • 18:20

    VIDEO/ Italianët e bëjnë “sefte” stadiumin. Chimenti, Zaccardo, Tomassi dhe Perrota zbresin të parët

    Ndeshja miqësore mes legjendave të Shqipërisë, Italisë, Greqisë e Turqisë ende nuk ka nisur, por lojtarët janë futur në fushë për të bërë nxehjen.

    Të parët që zbritën në fushë ishin futbollistët Italian, të cilët kanë bërë stërvitjen e parë ku kanë marrë dhe duartrokitje nga tifozët e pranishëm. Chimenti, Zaccardo, Tomassi dhe Perrota kanë qenë ndër të parë që kanë nisur të pasojnë në fushë dhe kanë marrë udhëzimet e fundit para ndeshjes.

  • 17:58

    Miqësoret e Solidaritetit, tifozët zhgënjejnë me mospjesëmarrjen e tyre

    Futbolldashësit shqiptarë kanë zhgënjyer me mospjesëmarrjen e tyre në tri miqësoret e solidaritetit, që do të luhen sonte në “Air Albania”. Ata nuk i janë përgjigjur thirrjes së Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë dhe FSHF-së, sepse shkallët e stadiumit sot janë bosh, kur ndeshjet edhe pak do fillojnë.

    Të gjitha të ardhurat e kësaj ngjarjeje të rrallë do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmenti i 26 nëntorit 2020. Një gjë e tillë nuk ka depërtuar në zemrat e shqiptarëve dhe kjo duket me numrin e pakët të tyre në stadium.

    Legjendat e Italisë, Greqisë dhe Turqisë nuk i kanë nxitur tifozët për të blerë bileta, edhe pse thirrje ka patur shumë, sidomos në rrjetet sociale. Duket se të ardhurat do të jenë shumë të pakta dhe i gjithë ky marketing nuk ka patur thuajse aspak efikasitet.

  • 17:30

    Formacionet Zyrtare, Shqipëri-Itali (Yjet)/ Redi Jupi dhe Alban Bushi gjenden në stol

    Vetëm pak minuta kanë mbetur nga nisja e ndeshjeve të yjeve, atje Shqipëria do të ketë përballë Greqinë, Turqinë dhe Italinë. Sindikata e Futbollistëve Shqiptarë ka organizuar këto miqësore të veçanta që lekët e përfituara nga shitja e biletave të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti.

    Formacionet

    Ndeshja e parë e kuqezinjëve do të jetë ajo ndaj Italisë. Sa i përket formacionit zyrtar me trajner Ilir Shulkun, janë lënë jashtë Adrian Aliaj, Alban Bushi dhe Redi Jupi. Ndërsa nga ana tjetër është De Biazi në krye të Italisë si trajner.

Shto Koment