Aktualitet

Shuhet në moshën 82-vjeçare Aneta Rama, nëna e kryeministrit përcillet për në banesën e fundit. Miqtë shprehin ngushëllimet në mediat sociale (FOTO+VD)

Shuhet në moshën 82-vjeçare nëna e kryeministrit Edi Rama, Aneta Rama. Kreu i qeverisë shfaqet i pikëlluar në dedikimin që ka bërë për nënën e tij. Ai shprehet se ajo ishte drita e shtëpisë dhe se do i mungojë shumë. Aneta Rama u përcoll sot pasdite për në banesën e fundit dhe do të prehen në varrezat e Sharrës.
Featured image of article: Shuhet në moshën 82-vjeçare Aneta Rama, nëna e kryeministrit përcillet për në banesën e fundit. Miqtë shprehin ngushëllimet në mediat sociale (FOTO+VD) Foto ilustruese

TIRANË- Shuhet në moshën 82-vjeçare Aneta Rama, e ëma e kryeministrit Edi Rama. Lajmi u dha nga vetë kryeministri, i cili përmes një postimi në Facebook, njoftoi se e ëma ka ndërruar jetë. Duke e quajtur të ëmën “dritën dhe gurin këndor të shtëpisë”, Rama ka rrëfyer edhe për lidhjen e fortë me të.

Për shkak të pandemisë COVID-19, ai dhe i vëllai, Olsi Rama, iu dërguan një mesazh miqve dhe dashamirësve se për shkak të pandemisë nuk do të ketë një ceremoni pritjeje dhe homazhesh. Ceremonia mortore u zhvillua në orën 17:00, ku të paktë ishin të afërmit që morën pjesë për shkak të pandemisë.

Miqtë ngushëllimet i shprehën në mediat sociale. Presidenti Hashim Thaçi, Urdhëri i Stomatologut të Shqipërisë, nipi Greg Rama, dhe shumë emra të tjerë kanë ndarë me publikun ndjesi nga njohja me Aneta Ramën. Ndërsa ministrat dhe bashkëpunëtorët e Ramës dërguan dhe kurora me lule.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Aneta Rama, njihet si një nga mjeket e para stomatologe në Shqipëri, teksa në 2018 u vlerësua me çmimin “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare” për kontributin e veçantë të saj në themelimin e stomatologjisë shqiptare.

Kryeministri Edi Rama e dha një “sinjal” për familjen. Gjatë dy ditëve të fundit, ai ka përkujtuar të atin, si nga foltorja e Kuvendit, ashtu edhe dje, kur kujtoi ditën e lindjes së tij. Kristaq Rama vdiq 22 vite më parë, ndërsa Aneta ndërroi jetë sot. Të dy sollën në jetë dy djem, Edi Ramën dhe Olsin, i cili është drejtor tek klubi i Partizanit.

(J.V. F.G. A.B. Dosja.al)

  • 18:07

    VIDEO/ Përcillet për në banesën e fundit Aneta Rama, nëna e kryeministrit do të prehet në Sharrë

    Sot rreth orës 17:00 është përcjellë për në banesën e fundit, nëna e Kryeministrit Edi Rama, Aneta Rama.

    Siç shihet dhe nga video, 82-vjeçarja është përcjellë nga një numër i paktë njerëzish për shkak të masave të COVID-19. Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë dy djemtë e saj Edi dhe Olsi Rama, bashkë me familjet e tyre.

    Me kurora të shumta me lule të dërguara nga njerëzit e afër të saj, kortezhi është ka shkuar pranë varresave në Sharrë, ku do prehet dhe Aneta Rama.

  • 15:52

    FOTOT/ Kurora me lule nga ministrat dhe bashkëpunëtorët e Ramës, nis ceremonia mortore për Aneta Ramën

    Aneta Rama, ndërroi jetë sot në moshën 82-vjeçare. Pak minuta më parë ka nisur dhe ceremonia mortore për të dhe pallati ku ajo banonte është mbushur me kurora me lule.

    Kurorat me lule

    Me kurorave bien në sy emrat e kryeministrit duke nisur nga Vali Bizhga, Pirro Vengu, ish pjesë e stafit të Ramës, Gent Cakaj, Ogerta Manastirliu dhe ministra të tjerë.

    Kurorat me lule

    Ata kanë dërguar vetëm kurora me lule, pasi kanë respektuar thirrjen për bëri familja Rama, që ngushëllimet të bëheshin nga larg për shkak të situatës së COVID-19.

  • 15:45

    “Nëna ime e bukur”, vajza e Olsi Ramës mesazh për ndarjen nga jeta të Anetës: Do të të dua gjithmonë

    Vazja e Olsi Ramës, Kristi Rama, ka publikuar një foto të Aneta Ramës dhe një mesazh të ndjerë për ndarjen e saj nga jeta.

    Në një postim në mediat sociale, Kristi Rama shkruan se Aneta është nëna e saj e bukur dhe do e dojë gjithmonë. Ajo mesazhin e ka shoqërruar me një foto kur nëna e kryeministrit ka qenë e re.

  • 14:50

    “Ah sa gjynah që nuk e intervistova’/ Rudina Xhunga tregon takimet me Aneta Ramën: Zërat më kompleksuan…. ishte krenare për të birin

    Aneta Rama dhe Rudina Xhunga

    Gazetarja Rudina Xhunga ka bërë një shkrim për Aneta Ramën, nënën e kryeministrit që u ndaj nga jeta mëngjesin e sotëm. Xhunga tregon takimet me të dhe thekson se Aneta Rama ka qenë gjithmonë krenare për të birin, Edi Ramën. Gazetarja shprehet më tej se gjithmonë ka dashur ta intervistojë atë dhe tashmë është penduar që nuk mori një rrëfim prej saj. “Kam dashur gjithmonë ta intervistoj Aneta Ramën, po sikleti i zërave që na kompleksojnë: Ja kjo, do e intervistojë se është nëna e Ramës.’ Ah sa gjynah, që nuk e bëra. U ula dhe shkrova dy fjalë për të, siç bëjmë, vetëm kur njerëzit ikin, se nuk dimë sa njerëzore është t’ua themi sa janë gjallë. Teta Neta, lamtumirë!”, shprehet ndër të tjera gazetarja.

    SHKRIMI I PLOTË:

    Unë e kam takuar vonë teta Netën, në makinën e Edi Ramës, atëherë ministër Kulture. Zbriti në Kombinat, te varrezat. Pyetjes si do të kthehej në Tiranë, të të birit, që do të vazhdonte rrugën për në Vlorë, iu përgjigj: “E gjej vetë.” Rama, sapo ishte emëruar ministër Kulture dhe daljen e parë si i tillë, e bëri në qytetin ku kaloi fëmijërinë. Aty afër shtëpisë së kohës kur mësoi notin në Vlorë, hipi në timonin e një autobusi të djegur dhe i premtoi qytetit që e donte siç do njeriu fëmijërinë e vet dhe e mbante në mendje si oborri me lule i shtëpisë së Anetës, në Vlorë. Kohë më pas kur flisje me teta Netën për Vlorën, e kuptoje kollaj, pse Edi e donte qytetin. Ajo mbante mend çdo detaj, edhe vargjet e këngës së 45 kushtuar një fëmije që vdiq aksidentalisht, ndërsa ktheheshin nga koncertet e pasluftës. Kur ma tregoi dhe i thashë që ai ishte xhaxhai që nuk njoha kurrë, ajo u bë përgjithmonë e shtëpisë, për mua.  E takoja, pavarësisht humorit të Ramës, që nuk qe kurrë dy herë njësoj. “Mos ia merr për keq, kështu është ai. Ja sa iku sot, më pa me këtë fundin me lule; “Ç’e ke këtë?”, tha e nisi të tallej. Po unë e njoh e nuk ia marr për keq. Sa më shumë do, aq më pak e tregon.”  Teta Neta vetëm krenohej me të birin. Nuk e tregonte kurrë lëndimin, kur ia sulmonin djalin dhe prej djalit, atë vetë, kurrë. Erdhi një ditë, te Top Channel ku punoja, për të kërkuar një material arkive. Donte të padiste Berishën që e kishte fyer publikisht. Me këto gjëra mund të merrej fare mirë, zyra e shtypit e Ramës, po ajo i bënte vetë. “Boll punë ka Edi. Unë këtë e bëj për vete, për Kristaqin. Do e hedh në gjyq.” Dhe u ul në tavolinën e fundit të kafes së Topit, e më tregoi për ndjenjën që i kishte shkaktuar fjala e Berishës, që ajo e njihte mirë. Ishte e dërmuar. Unë rrija e dëgjoja. Kur gjyqi u mbyll dhe ajo e humbi, m’u rikthye në kujtesë portreti i asaj dite, i Aneta Ramës, që me gjithë lëndimin, nuk ia linte barrën, as shkarkonte mërzinë të birit. “E gjej vete.”, -thoshte, ajo grua Vlore, që e pata shumë xhan njëherë e përgjithmonë, pas asaj dite kur e pashë të trishtuar, por të padorëzuar, me atë zërin karakteristik e portretin krenar, të pangatërrueshëm.  Ajo nuk merrte kurrë në telefon të thoshte diçka për të birin dhe punën e tij. Nuk besoj ta ketë bërë me askënd. Nuk ankohej, nuk kërkonte, nuk priste, nuk ndërhynte.  Një ditë i shkova në shtëpi kur ishte sëmurë. Më tregoi atë ditë për herën e parë të Edit në Greqi. “Sapo u hapën kufijtë dhe Edi shkoi te njerëzit e mi në Greqi. Po kur u kthye qe gjithë inat. “Po çfarë kanë ata më shumë se ne, që të jetojnë kaq mirë.”, më thoshte. Çfarë kanë grekët më shumë se shqiptarët?!” Nuk e pranonte dhe qe vërtet i tronditur, në vend të kënaqej, siç doja unë që ia këshillova të shkonte.” Pastaj më tregoi fotot e të birit të vogël, që nuk ndryshoi kurrë. “Nuk u bë dot gojëmbël, por mbeti njeriu që atë që e mendon, ta thotë, pastaj e bën.”, më tha Aneta Rama në atë takim të fundit të gjatë me të. “Do të rrish për drekë, kam peshk nga Vlora.” -, tha në fund, po atë çast mori Zaho në telefon dhe unë ika, ndërsa e kam në sy, si atë ditë, ulur në divanin, e rrethuar nga fotot e fëmijëve të vegjël dhe dashurisë së saj të madhe, Kristaqit. Dikur më tregoi se nuk i pëlqente më të festonte ditëlindjen, që i përkonte me ditën e martesës, qyshkur iku i shoqi. Në ditën e lindjes së tij, edhe ajo vendosi ta shoqërojë përgjithmonë. Kur lexova lajmin, m’u kujtua dita kur e pashë të zbriste nga makina e të birit ministër, me një tufë lule për në varreza dhe zërin e saj: “E gjej vetë si kthehem.” Nënat janë dashuria më e madhe që ka njeriu. Kur ato nuk kthehen më, është e vështirë. Për fat nënat nuk ikin kurrë. Janë diku, gjithmonë duke të vështruar nga lart dhe miratuar me kokë, çfarë ti bën dhe nuk bën. Ç’fat të kesh nënë të mençur.  Kam dashur gjithmonë ta intervistoj Aneta Ramën, po sikleti i zërave që na kompleksojnë: “Ja kjo, do e intervistojë se është nëna e Ramës.” Ah sa gjynah, që nuk e bëra.  U ula dhe shkrova dy fjalë për të, siç bëjmë, vetëm kur njerëzit ikin, se nuk dimë sa njerëzore është t’ua themi sa janë gjallë. Teta Neta, lamtumirë! Aneta Rama ndërroi jetë ditën e sotme, në moshën 82-vjeçare. Lajmin e dha vetë kryeministri Edi Rama, i cili e quajti nënën e tij, ‘dritën e shtëpisë’. Aneta Rama ishte një nga stomtologet e para në vendin tonë, e cila është nderuar edhe me titullin “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare”. Ceremonia e varrimit pritet të bëhet sot në orën 17:00.

  • 12:23

    Sinjalet e Ramës për humbjen e nënës/ Si foli me krenari kreu i qeverisë për të atin, kujtoi sytë me lot dhe postoi foton me të ëmën

    Kristaq Rama, Aneta Rama dhe Edi Rama

    A thua se kryeministri Edi Rama dha sinjale se një tjetër lajm i hidhur do ta trishtonte atë? Nëse i bëjnë një rezyme deklaratave të tij të fundit, vihet re se ai përmend të atin, origjinën dhe momentet kyçe në jetë. Nuk ngurron të flasë me krenari për gjakun e tij dhe veprat që la pas i ati.

    Statusi i tij i fundit ka qenë dje në Facebook, ku u shpreh se i ati nëse do ishte gjallë do të festonte 88-vjetorin e lindjes. Në rrëfimin e tij, ai nënvizoi se pas funeralit të babait, nisi rrugëtimin në politikë.

     “Im atë sot do të mbushte 88, nëse një goditje fatale në zemër nuk do t’ia kishte ndërprerë befasisht rrugëtimin në këtë botë plot 22 vjet më parë, kur vdekja e tij më solli në Tiranë e më ndryshoi rrugëtimin tim. Por kjo është një histori tjetër. “, u shpreh ndër të tjera Rama. 

    Madje tregoi se kishte mall për të atin, dhe u shpreh: “Shoh veprat dhe nga qielli më vjen buzëqeshja e tij”

    Sakaq, nuk hezitoi të fliste në kuvend për të. Në seancën e parafundit, ai theksoi se është krenar që  është i biri Kristaqit dhe e cilësoi atë si një komunist. Ndërkohë ai i ktheu një përgjigje presidentit Ilir Meta, se tha se babai i tij nuk do të harrohet asnjëherë, pasi ka lënë pas vepra të mëdha.

    Kur Ilir Meta përmend babain tim, ndenj thjesht keqardhje të thellë për Ilir Metën, t’i vijë turp, por në fund fare kur Ilir Meta të jetë harruar njëherë e përgjithmonë, Kristaq Rama do të jetë aty, tek ‘Nëna Shqipëri’ dhe Heronjtë e Pavarësisë së Vlorës dhe të gjithë kur të shkojnë të nderojnë dëshmorët apo etërit e pavarësisë do të ngrenë kokën lart dhe do të admirojnë atë që Kristaq Rama i ka lënë këtij vendi“, u shpreh kreu i qeverisë.

    Por jo vetëm kaq, më 4 korrik  me rastin e 56 vjetorit të tij, kryeministri Edi Rama bëri postimin e fundit me nënën. Të dy u shfaqën të përqafuar dhe vetë Rama u shpreh se ajo ishte gruaja që i dha jetën.

    Ndoshta të gjitha këto kanë qenë sinjale për të treguar se nëna e tij ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndoshta, dhimbja e ndarjes nga jeta të nënës e kanë bërë nostalgjik kryeministrin, i cili kujtoi kohët e vjetra dhe njeriun e zemërs.  Madje foli me krenari për rrënjët dhe gjakun e tij.

    Sot në familjen Rama është një ditë zie, pasi siç u shpreh edhe vetë kreu i qeverisë, u ka ikur drita e shtëpisë, Aneta Rama.

  • 12:51

    “Revolta na bënte bashkë”, mesazhi i Braçes për nënën e kryeministrit: Të jesh në paqe mike e mirë!

    Erion Braçe, zv/kryeministër

     Zv/ kryeministri Erion Braçe ka reaguar për ndarjen nga jeta të Aneta Ramës, nënën së kryeministrit Edi Rama. Në rrjetet sociale Braçe thotë se Aneta kishte një shpirt të pamposhtur nga ku buronte mirësia e saj.

    “Te jesh ne paqe mike e mire! E kam me vete zerin tend, revolten qe na bente bashke e sa shume me pelqente, shpirtin e pamposhtur nga buronte; MIRESINE TENDE! Lamtumire!” shkruan Braçe.

  • 13:18

    “Nëna Neta u prehsh në paqe”/ Balla i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Aneta Ramës: Falte vetëm dashuri!

    Aneta Rama, foto e publikuar nga Taulant Balla.

    Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka shprehur ngushëllimet kryeministrit Edi Rama për ndarjen nga jeta të nënës së tij. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Balla shprehet se Aneta Rama falte vetëm dashuri. Ai ka publikuar edhe një foto të nënës së kryeministrin me një fëmijë, ku e quan nëna Neta.

    “U prehsh në paqe nëna Neta! Vetëm dashuri dite të falësh deri në ditën e fundit. Ngushëllime familjes Rama për humbjen e nënës së dashur.”, shprehet Taulant Balla.

  • 14:06

    “Është perëndia që na jep sisë”/ Ngushëllimi “i pazakontë” i Petro Koçit për kryeministrin për ndarjen nga jeta të Aneta Ramës

    Aneta Rama dhe Petro Koçi.

    Një ngushëllim ndryshe nga të tjerët ka shkuar në sot në adresë të Edi Ramës, për ndarjen nga jeta të nënës së tij. Politikani Petro Koçi shprehet se nëna është vetmja perëndi që na prek dhe e prekim. Aio shprehet më tej se nëna është e vetmja perëndi që loton dhe na jep gji.

    “I dashur Edi, nëna është e vetmja perëndi që na prek dhe e prekim. Është perëndia që na jep sisë dhe loton për ne. I ndritët s…”. shkruan Petro Koçi në rrjetet sociale.

  • 12:30

    Një ditë më parë u përplasën për Kristaqin, Meta mesazh ngushëllimi Ramës për ndarjen nga jeta të nënës së tij: U prehtë në paqe

    Presidenti Ilir Meta i ka shprehur ngushëllime kryeministrit Edi Rama dhe familjes së tij, për ndarjen nga jeta të njeriut më të shtrenjtë.

    Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Rama, për ndarjen nga jeta të nënës dhe gjyshes së tyre të dashur Aneta. U prehtë në paqe!”, shkruan Meta

    Aneta Rama dhe Ilir Meta

    Ngushëllimi i Metës, vjen një ditë pasi ai u përplas në distancë me Ramën për Kristaq Ramën. Gjithçka nisi pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama në Kuvend, i cili u shpreh, se është krenar që është i biri i Kristaq Ramës. Meta replikoi me kryeministrin, duke thënë se Rama krenohet se është bir komunisti, që vari poetët. Ndërkohë në një intervistë, Rama iu kundërpërgjigj Metës, duke thënë se duhet t’i vijë turp që i përmendi babain.

  • 11:35

    Nuk u mor asnjëherë me politikë/ Kush është Aneta Rama, mbesa e Spiro Kolekës që studioi në Poloni

    Aneta Rama dhe Edi Rama

    Mëngjesin e sotëm është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare, nëna e kryeministrit shqiptar, Aneta Rama. Lajmin e hidhur e dha vetë kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se atë e kishte dritën e shtëpisë.

    Por kush ishte Aneta Rama? 

    Aneta Rama është nënë e 2 djemve, Edi dhe Olsi Ramës. Ajo ka qenë bashkëshortja e Kristaq Ramës një prej skulptorëve më në zë të vendit. Nëna e kryeministrit ishte me origjinë nga Vunoi dhe njihej nga të gjithë si mbesa e Spiro Kolekës, ish-anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Por ajo asnjëherë nuk u  përfshi në politikë.

    Po kështu, Aneta Rama ka qenë një ndër gratë e para stomatologe të Shqipërisë, profesion ky që e ushtroi gjatë jetës. Studimet për stomatologji i kreu në Poloni dhe siç është shprehur vetë në një nga intervistat e pakta në media, ka qenë studente e shumë e mirë.

    2 vite më parë ajo mori  edhe çmimin “Nderi i stomatologjisë shqiptare”. Këtë çmim që e tërhoqi vetë kryeministri Rama në ceremoninë e zhvilluar në Vlorë për shkak të gjendjes shëndetësore të nënës së tij.

  • 10:48

    Eskorta e kryeministrit rrethon pallatin e Aneta Ramës, momentet kur kreu i qeverisë shkon në banesën e nënës së tij

    Foto nga eskorta e Ramës pranë banesës së nënës së tij.

    Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë nëna e kryeministrit Edi Rama, Aneta Rama. Ndërkohë kryeministri sapo ka marrë vesh lajmin e hidhur ka shkuar menjëherë në banesën e saj. Siç shihet edhe në pamjet mëposhtme të publikuara nga Report Tv, pranë banesës së Aneta Ramës  në rrugën ‘Muhamet Gjollesha’ në Tiranë ka mbërritur eskorta e kryeministrit Edi Rama.

  • 10:31

    Ndarja nga jeta e Aneta Ramës, Thaçi: Ngushëllime i dashur Edi, bashkëndjej me ju dhimbjen e thellë

    Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ngushëlluar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për ndarjen nga jeta të nënës së tij, Aneta Rama. Thaçi i shpreh ngushëllimet për të sinqerta kryeministit të Shqipërisë.

    “I dashur Edi, në këtë ditë të pikëllimit, por edhe të krenarisë, bashkëndjej me ju dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të nënës Aneta. Ngushëllimet më të sinqerta në emër timin dhe të familjes”,  shkruan Thaçi në rrjetet sociale.

  • 10:28

    Urdhri i stomatologut shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të nënës së kryeministrit: Humbëm një nga ikonat tona

    Urdhri i Stomatologut ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të nënës së kryeministrit, Aneta Rama. Në mesazhin e ngushëllimit, Urdhri i Stomatologut, thekson, se Aneta ishte një nga ikonat e Stomatologjisë.

    “Sot stomatologjia shqiptare humbi një nga ikonat e para të themelimit të këtij shërbimi elitar në vendin tonë”, shkruan Urdhri i Stomatologut.

  • 10:19

    “Këshillat e tua janë më të vyerat”/ Greg Rama i pikëlluar për vdekjen e gjyshes: Çdo përpjekje e jotja për të kaluar vështirësitë do të jetë e paharrueshme

    Greg Rama dhe Aneta Rama.

    Ditë zie në familjen Rama, pasi është ndarë nga jeta nëna e kryeministrit Edi Rama. Nuk ka munguar edhe një dedikim nga  Greg Rama për ndarjen nga jeta të gjyshes së tij. Në rrjetin social Instagram, ai ka publikuar një foto me të, ku shprehet se këshillat e saj kanë qenë më të vyerat. Ai shkruan më tej se çdo përpjekje e saj për të luftuar dhe kaluar çdo vështirësi do të jenë të paharrueshme për të.

    “Këshillat e tua më të vyera, batutat dhe çdo përpjekje e jotja për të luftuar dhe tejkaluar çdo vështirësi dhe betejë do jenë të paharrueshme tek unë! U prehsh në paqe”, shkruan Greg Rama.

  • 9:43

    Ndarja nga jeta e Aneta Ramës/ Mesazhi që Edi dhe Olsi Rama u japin të afërmve dhe miqëve

    Edi Rama, Aneta Rama dhe Olsi Rama.

    Pas ndarjes nga jeta të nënës së tyre, kryeministri Edi Rama së bashku me vëllain e tij, Olsi Rama u kanë dhënë një mesazh të afërmve dhe miqëve të tyre.  Duke i falënderuar për mesazhet e pafundme që u mberrijnë, ata kërkojnë mirëkuptim prej të gjithëve për pamundësinë e pritjes fizikisht të ngushëllimeve dhe zhvillimit të ceremonisë mortore. Kjo sipas tyre për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.

    Reagimi:

    Përulësisht u lutemi familjarisht mirëkuptim të gjithë të afërmve e miqve të mirë, për pamundësinë e pritjes së ngushëllimeve e të ceremonisë së përcjelljes së nënës sonë në banesën e fundit, në kushtet e detyrimit për të respektuar rregullat e mbrojtjes së shëndetit të gjithësecilit. I falenderojmë të gjithë për mesazhet prekëse që vazhdojnë ta na vijnë për humbjen e nënës sonë të shtrenjtë dhe e vlerësojmë shumë respektin e mirëkuptimin e kujtdo që do të donte të ishte edhe fizikisht pranë nesh në këtë ditë të vështirë. Edi dhe Olsi Rama. 

  • 09:00

    Rama: Derisa të shoh diellin e yjet do të jesh me mua... prehu në paqe mam

    Ndërron jetë në moshën 82-vjeçare e ëma e kryeministrit Edi Rama, Aneta Rama. Lajmi është dhënë vetë në rrjetet sociale nga kryeministri, i cili shprehet se e ëma ka qenë për të drita e shtëpisë.

Shto Koment