
TIRANË– Ministria e Drejtësisë ka përgënjeshtruar kryeministrin Edi Rama lidhur me ndryshimet e propozuara për Kodin Penal. Edhe pse kreu i qeverisë tha se nuk kishte një propozim për ndalimin e “meme-ve”, një burim zyrtar nga Ministria ka bërë me dije për mediat se të gjitha materialet që kanë qarkulluar në media janë ende një dokument pune.
Ministria sqaronte më tej se dokumenti që po qarkullon nuk është drafti final, pasi për të po punohet ende nga “ekspertët”.
“Në lidhje me kërkesat e vazhdueshme të ardhura nga gazetarët në lidhje me draftin final të Kodit të Ri Penal, duam t’ju sqarojmë se materialet që po qarkullojnë në media janë ende një dokument pune, nga grupi i ekspertëve, propozime këto të cilat janë zbardhur si pjesë e diskutimeve në seancat e konsultimit publik. Sqarojmë se dokumenti që po qarkullon nuk është draft final, pasi po punohet në vazhdimësi. Ministria e Drejtësisë ka përmbyllur procesin e konsultimit publik dhe tani ekspertët dhe praktikantët e ligjit të grupit të punës do të finalizojnë projektligjin, i cili pasi të konsultohet teknikisht, do të depozitohet në Këshillin e Ministrave,”-thuhet në njoftim.
Në draftin e publikuar në media, të realizuar nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj parashikohen penalitete të rënda për ata që i krijojnë memet por edhe ata që i shpërndajnë. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj parashikon dënimin me deri në 1 vit burg të kujtdo që realizon këto montime, por nuk shpëtojnë edhe ata që i shpërndajnë.
(k.m./dosja.al)