Sociale

“Nargjilet” dhe cigaret elektronike s’do të konsumohen më brenda lokaleve, 6-fishohen gjobat deri në mbyllje të biznesit

Këto produkte do të konsiderohen produkte duhani dhe rrjedhimisht nuk mund të konsumohen në ambjente të mbyllura.

TIRANË– Cigarja elektronike, duhani me ngrohje apo me shije siç njihet ndryhse “Nargjile” nuk do të konsumohen më në ambjentet e mbyllura. Sipas projektligjit të ri në ligjin antiduhan, këto produkte do të konsiderohen produkte duhani dhe rrjedhimisht nuk mund të konsumohen në ambjente të mbyllura.

Në ditën Botërore kundër Duhanit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se së shpejti do të miratohen në Kuvend ndryshimet e propozuara nga Ministria e Shëndetësisë në ligjin ‘Për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit’, për forcimin e masave kundër duhanpirjes në ambientet e mbyllura.

Manastirliu theksoi gjithashtu se do të ketë edhe shumëfishime të gjobës në raste shekljesh të përsëritura.

Me anë të këtyre ndryshimeve ligjore forcojmë më tej masat kundër duhanpirjes, për të mos lejuar askënd të abuzojë me ligjin, duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës për ato subjekte që gjobiten në mënyrë të vazhdueshme.

Më konkretisht, nëse një subjekt shkel dy herë rresht brenda dy muajve ligjin që ndalon pirjen e duhanit në ambiente të brendshme, gjoba do të jetë sa dyfishi i gjobës së parë. Nëse e përsërit të njëjtën shkelje brenda një afati 1 vjeçar gjobitet me 6-fishin e gjobës dhe i pezullohet aktiviteti.

Në frymën e Direktivës së BE si dhe Konventës Kuadër të OBSH për kontrollin e duhanit, me ndryshimet e pritshme ligjore, do të ndalohet duhanpirja në ambientet e mbyllura edhe për duhanin me ngrohje, cigaren elektronike dhe shisha/nargjile. Gjithashtu do të largohen nga tregu paketat me 10 cigare si dhe cigaret me shije karakteristike. Me anë të këtyra masave synojmë të mbrojmë të rinjtë dhe adoleshentët nga këto produkte që kanë shkallë të lartë varësie,”– tha Manastirliu.

Duhanpirja është një ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare dhe tumorale.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

 31 Maji është Dita Botërore pa Duhan dhe slogani i këtij viti është  “Duhani dhe shëndeti i mushkërive”, nisur dhe nga fakti se 2/3 e rasteve me kancer mushkërie shkaktohen nga duhanpirja.

Siç njofton ministria e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, studimi i fundit Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri tregon tendencën e uljes së numrit të konsumatorëve të duhanit në vend. Pirja e cigareve është ulur nga 43% në 35% te meshkujt e moshës 15-49 vjeç në 10 vjeçarin e fundit, ndërkohë që vijon të ngelet e ulët te femrat.

Shqipëria është renditur 7 vende më lart sipas raportit Bloomberg për përmirësimin e treguesve shëndetësore, ku një nga indikatorët me të cilët është llogaritur është dhe niveli i duhanpirjes.

Megjithatë, vendi ynë vijon të ketë konsum të lartë të duhanit, pasi 2 në 5 meshkuj të moshës mbi 15 vjeç dhe 1 në 17 gra mbi 15 vjeç janë duhanpirës.

Gjatë vitit të fundit, strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka intensifikuar kontrollet për duhanpirjen në ambientet e mbyllura, ku përvec kontrolleve rutinë është aktivizuar Task-Forca për ndalimin e duhanpirjes. Vetëm gjatë 5 muajve të parë 2019, janë gjobitur 265 subjekte, nga 136 që u ndëshkuan për thyerje të ligjit gjatë vitit 2018.

(f.m/dosja.al)

Shto Koment