Aktualitet

Naftëtarët e Ballshit sërish në protestë: Kemi 4 muaj pa rroga, do bëjmë marshim drejt Tiranës nëse problemi ynë nuk zgjidhet (VD)

Naftëtarët kanë protestuar para Prefekrurës në Fier dhe u kanë bërë thirrje deputetëve që të kthejnë sytë nga ta.
Featured image of article: Naftëtarët e Ballshit sërish në protestë: Kemi 4 muaj pa rroga, do bëjmë marshim drejt Tiranës nëse problemi ynë nuk zgjidhet (VD) Protesta e naftëtarëve

FIER– Naftëtarët e rafinerisë së Ballshit kanë dalë sot në protestë në Fier, pasi kërkojnë rrogat e prapambetura. Ata janë shprehur se kanë 4 muaj pa marrë rroga dhe prej dy muajsh nuk u janë hedhur as sigurimet shoqërore. Naftëtarët kanë protestuar para Prefekturës në Fier dhe u kanë bërë thirrje deputetëve që të kthejnë sytë nga ta.

Uzina e përpunimit të naftës në Ballsh prej 5 muajsh ka mbyllur dyert dhe 800 punëtorë janë lënë pa rroga. Një prej naftëtarëve që mori pjesë në protestën e sotme është shprehur se kërkon lekët e tij, për kohën që ka punuar. “Të na japin rrogat, pagat që janë të deklaruara. Nëse ai nuk do të punojë, të na japë shkresat për përkrahje sociale apo çfarë na takon me ligj”, u shpreh naftëtari.

Ata shtojnë se janë mashtruar disa herë nga  kompania që ka rafinerinë e Ballshit dhe u është premtuar që do marrin rrogat, por deri tani nuk u kanë dhënë asnjë lek. Prefekti i Fierit, Baki Bala, ka pritur një përfaqësi të naftëtarëve në një takim  dhe u ka premtuar që do zgjidhet problemi i tyre.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Sërish dhe pas takimit 800 punëtorët kanë vijuar protestën dhe kanë deklaruar se nëse nuk do marrin lekët, do të nisen për një marshim drejt Tiranës, pasi zëri i tyre deri tani nuk është dëgjuar. “Do ta marrim rrugën prapë, nuk është turp të protestosh, nuk është turp për bukën e gojës. Do të ikim prapë“- u shpreh një prej naftëtarëve.

Rafineria e Ballshit e administruar nga kompania “Tosk Energji” është mbyllur që në muajin shtator, dhe punëtorët prej asaj kohe kanë dalë në protestë. Naftëtarët kanë dalë disa herë në protestë në Fier, ku kanë kërkuar që të marrin pagat e tyre, por nuk janë dëgjuar nga autoritetet. Janë më shumë se 800 punëtorë që kanë mbetur pa punë. Bankers në një reagim pas mbylljes së rifinerisë, e ka hedhur fajin tek ‘Tosk Energji’, ku u shpreh se kjo kompani ka shkelur disa herë kontratat çka e ka vënë atë në pozitë të vështirë për sasinë e naftës gjendje e cila ka kaluar më pas për eksport.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment