Aktualitet

Greva e punëtorëve në Ballsh, Vetëvendosja: Rrogat, një premtim i pambajtur, gjendja e tyre po përkeqësohet

Vetëvendosja shprehet se premtimet për të marrë rrogat kanë mbetur në ajër edhe pse prej shumë ditësh u janë premtuar ose nga përfaqësuesit e kompanisë, ose nga përfaqësues të institucioneve të shtetit.
Featured image of article: Greva e punëtorëve në Ballsh, Vetëvendosja: Rrogat, një premtim i pambajtur, gjendja e tyre po përkeqësohet Naftëtarët në grevë
Përditësuar:

TIRANË– Selia e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka reaguar pas ditës së 11-të të grevës së urisë, në të cilën janë futur punëtorët e Uzinës së përpunimit të thellë të naftës në Ballsh. Në një njoftim zyrtar, Vetëvendosje shprehet se gjendja e grevistëve është përkeqësuar dhe se sot njëri prej tyre është shoqëruar për në spital për këtë shkak.

Vetëvendosja shprehet se premtimet për të marrë rrogat kanë mbetur në ajër edhe pse prej shumë ditësh u janë premtuar ose nga përfaqësuesit e kompanisë, ose nga përfaqësues të institucioneve të shtetit.

DEKLARATA E VETËVENDOSJES NË SHQIPËRI

Institucionet e shtetit dhe kompanitë private vazhdojnë nëpërkëmbjen e punëtorëve në Ballsh. Sot është dita e 11-të e grevës së urisë së punëtorëve të Uzinës së përpunimit të thellë të naftës në Ballsh. Një prej punëtorëve grevistë u shoqërua sot për në spital, për shkak të gjendjes së përkeqësuar shëndetësore. Sakaq, çdo ditë, në mëngjes, kolegët e tyre punëtorë po mblidhen në solidaritet para hyrjes kryesore të Uzinës për të protestuar. Ata vazhdojnë të kërkojnë rrogat e mbetura pa paguar, kontrata të rregullta e kushte pune, si dhe investime për remontin dhe rifillimin e punës në Uzinë. Prej shumë ditësh punëtorëve u premtohen rrogat ose nga përfaqësuesit e kompanisë ose nga përfaqësues të institucioneve të shtetit. Edhe sindikata e vjetër e punëtorëve të rafinerisë, duke mos u vendosur në krah të punëtorëve, është duke bërë lojën e kompanive spekulante. Premtimet për rroga kanë mbetur në ajër, dhe tashmë janë kthyer në mashtrime të përsëritura. Këtë javë punëtorëve iu tha se u është transferuar një rrogë. Por ende, as kjo rrogë nuk u ka ardhur në llogari. Punëtorët kërkojnë më shumë, që në fakt është minimumi: pagesat e prapambetura, të drejtën e tyre, dhe jo lëmoshë!

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Një shtet i së drejtës nuk i lë punëtorët në dorë të spekulantëve e nuk fshihet mbrapa një tog-fjalëshi bosh, si “tregu i lirë”, për të mbuluar faktin se punëtorëve nuk u janë dhënë rrogat e u janë shkelur të drejtat prej shumë muajsh. Institucionet e shtetit e kanë për detyrim të zbatojnë ligjin. Në këtë situatë shkeljesh flagrante, autoritetet do duhej të kishin vepruar me kohë, duke bërë sekuestrim të pronës të keqpërdorur, hetim të krimit dhe shkeljeve, si dhe përmbushjen e kërkesave të drejta të punëtorëve. Çdo ekonomi e tregut nënkupton që kontratat dhe të drejtat e punëtorëve duhet të zbatohen deri në një, sipas ligjit. Tregu pa ligj e pa respektim të kontratave nuk i duhet as Shqipërisë, as qytetarëve të saj. Shqipëria duhet të marrë shembull nga vende me ekonomi të përparuar, dhe të vendosë sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës në prioritetet strategjike të shtetit. Nafta është pasuria jonë e përbashkët, prej saj mund tē fitohej më shumë mirëqenie e sovranitet, nëse do të udhëhiqeshim nga ekonomia e shtetit zhvillimor. Por të udhëhequr nga neoliberalizmi e privatizimet e egra, prej naftës po rrjedh veç varfëri e probleme. Mbetemi të përkushtuar për t’i përkrahur punëtorët e Ballshit dhe kërkojmë më ngulm nga autoritetet të respektojnë ligjin dhe të drejtat e punëtorëve.

Naftëtarët e rafinerisë së Ballshit kanë 10 ditë që janë futur në grevë urie. Ata kanë disa muaj që protestojnë për të marrë pagat e tyre, por zëri i tyre nuk është dëgjuar dhe kështu morën aktin ekstrem. Pas mbylljes së rafinerisë që administrohet nga “Tosk Energji”, janë më shumë se 800 punëtorë që kanë mbetur pa punë. Bankers në një reagim pas mbylljes së rafinerisë, e ka hedhur fajin tek ‘Tosk Energji’, ku u shpreh se kjo kompani ka shkelur disa herë kontratat çka e ka vënë atë në pozitë të vështirë për sasinë e naftës gjendje e cila ka kaluar më pas për eksport. Kompania “Tosk Energji” është futur në negociata me naftëtarët, por ata janë shprehur se kërkesa e tyre është të marrin të gjitha pagat e prapambetura. Ditën e sotme ata janë shprehur se nuk do ketë negociata të tjera me kompaninë, pasi kërkojnë marrjen e të gjtha pagave të prapambetura.

(f.m/dosja.al)

Shto Koment