Rajoni

Mund të duhen 6 muaj që të nisë shqyrtimi gjyqësor për krerët e UÇK-së

Seanca e mbajtur të hënën nuk ishte seancë e shqyrtimit gjyqësor, por më shumë teknike, ashtu siç e kërkon norma ligjore ku bazohet puna e Gjykatës Speciale. Para se të nisë gjykimi i mirëfilltë, mbahen seancat statusore me gjyqtarin e procedurës paraprake, bëhen kundërshtime, vendoset për to, e më pas lënda i kalon një trupi gjykues që do të merret me gjykimin e rastit.
Featured image of article: Mund të duhen 6 muaj që të nisë shqyrtimi gjyqësor për krerët e UÇK-së Foto nga procesi gjyqesor ne Hage

HAGË– Proces i gjatë gjyqësor i pret katër drejtuesit e lartë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Hagë. Përderisa ish-drejtori politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, kanë bërë paraqitjet para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, hapja e shqyrtimit gjyqësor do të mund të marrë rreth 6 muaj. Thaçi deri në ditën kur iu konfirmua aktakuza dhe u dërgua në Hagë ushtroi funksionin e presidentit të Kosovës, ndërsa Krasniqi pas përfundimit të mandatit si kryetar i Kuvendit kishte disa vite që nuk ushtronte funksione publike, njofton Koha.net.

Seanca e mbajtur të hënën nuk ishte seancë e shqyrtimit gjyqësor, por më shumë teknike, ashtu siç e kërkon norma ligjore ku bazohet puna e Gjykatës Speciale. Para se të nisë gjykimi i mirëfilltë, mbahen seancat statusore me gjyqtarin e procedurës paraprake, bëhen kundërshtime, vendoset për to, e më pas lënda i kalon një trupi gjykues që do të merret me gjykimin e rastit. Por edhe trupi gjykues sërish mban seanca statusore, ku paraqiten provat ose kundërshtimet. Kjo procedurë nënkupton se deri atëherë duhet të kalojnë disa muaj.

Thaçi nuk pranon asnjë nga akuzat

Në seancën e parë teknike kundër Thaçit e Krasniqit është folur për atë nëse Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka argumentuar aktakuzën. Pyetjet se ku është akuza për trafikim organesh dhe ku janë provat që ish-drejtori politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, kanë qenë çështjet më të diskutueshme në paraqitjen e parë të ish-presidentit të Kosovës, në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Vetë Thaçi ka qenë i shkurtër në deklarimin e tij. Ka thënë që nuk i pranon asnjë nga akuzat me të cilat ngarkohet.

“I dëgjova, i kam lexuar dhe i hedh poshtë të gjitha”, ka thënë Thaçi.

Një nga avokatët, që do ta përfaqësojë Thaçin në këtë proces, David Hooper, ka kontestuar edhe mbajtjen e Thaçit në paraburgim.

Komunikata e këtij institucioni, me njoftimin e informatës se ka aktakuzë kundër Thaçit e Veselit dhe se ajo po publikohej për shkak të ndërhyrjeve në hetim, sipas avokatit Hooper, nuk është e sqaruar. Ai ka kërkuar prova dhe informata konkrete se për çfarë ndërhyrjesh e kishte fjalën Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Çështja e dytë që merret me ndërhyrjen, unë nuk e di se cilat janë arsyet apo pretendimet që mbështesin konkluzionin se ka pasur ndërhyrje. Ne duam të dimë se cilat janë praktikat e kësaj kërkese, ne duhet ta dimë se çka po thuhet. Ne duam të marrim elementet specifike të informacionit, përveç materialit mbështetës që ka paraqitur prokuroria pas 26 gushtit që të dimë se cilat janë ato pika. Kërkesa për lirim të përkohshëm të bëhet në javët e ardhshme pasi të kemi marrë këto informacione”, ka deklaruar Hooper, avokat mbrojtës i Thaçit.

Por sërish nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë këmbëngulur që arrestimi i Thaçit është bërë për ta mbrojtur këtë proces gjyqësor ndaj ndërhyrjeve.

“Brenda javës do të japin informacione për mbrojtjen. Është vendosur që ta ndalohet Thaçi që të ruajnë sigurinë e proceseve gjyqësore dhe të mbrojnë dëshmitarët, si dhe për të parandaluar ndërhyrjen mbi drejtësi”, ka thënë prokurori Alan Tieger nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Prokurori Tieger, i cili tani e përfaqëson aktakuzën, ka qenë prokuror në një nga rastet më të mëdha në gjykimet e krimeve të ndodhura në ish-Jugosllavi. Ai ishte prokuror në rastin kundër ish-presidentit serb Radovan Karaxhiq gjatë kohës së luftës në Bosnjë. U dënua me burgim të përjetshëm për masakrën e Srebrenicës.

Trajtim joadekuat e ka konsideruar mbrojtja e Thaçit sjelljen e tij me pranga në sallën ku është mbajtur seanca e parë, por nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë së ndaj Thaçit nuk do të ketë trajtim të veçantë.

“Kurrë në jetën time nuk i kam trajtuar njerëzit si më trajtuat mua”

Edhe ish- zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili paraditen e së hënës bëri paraqitjen e parë në Hagë, është ndier i ofenduar me trajtimin që ky institucion ia ka bërë gjatë transferimit nga qendra e paraburgimit në gjykatore.

“Unë jam arrestuar më 4 nëntor 2020, në aktakuzë po na quani ndërmarrje kriminale e përbashkët, unë dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit kaq keq se si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë. Kurrë në jetën time s’kam trajtuar njerëz në këtë mënyrë”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka folur më gjatë së Thaçi.

Veçanërisht ka thënë së është ndier i ofenduar nga kategorizimi i viktimave në bazë të përkatësisë fetare.

“Në aktakuzë përpiqeni me i nda shqiptarët në katolikë e myslimanë, unë jam shqiptar, as katolik as mysliman”, ka deklaruar ai.

Krasniqi është paraqitur i emocionuar gjatë seancës, ndërkaq ka thënë së është plotësisht i pafajshëm.

Siç edhe e ka thënë gjyqtari i Procedurës Paraprake, Nicholas Giju, seancat e para nuk janë seanca gjyqësore.

Sipas Rregullores për Procedura dhe Prova, në këtë seancë, të akuzuarit pyeten nëse pranojnë fajësinë ose jo. Në rast se nuk pranojnë të deklarohen, ata kanë edhe 30 ditë në dispozicion që ta bëjnë një gjë të tillë.

Gjyqtari i procedurës paraprake pastaj vazhdon me organizimin e disa konferencave, të cilat janë seanca statusore, për përgatitjen e palëve për ecurinë e çështjeve.

Më pas, nga mbrojtja mund të paraqiten kundërshtime.

Por kjo sipas Rregullores për Procedurë Paraprake bëhet deri në 30 ditë pas konferencës ose seancës statusore.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Në pajtim me nenin 39(1) të Ligjit, i akuzuari mund t’i dorëzojë mocione paraprake gjykatësit të procedurës paraprake të cilat: Nuk njohin juridiksionin e Dhomave të Specializuara; pretendojnë mangësi në formën e aktakuzës dhe kërkojnë veçimin e akuzave sipas rregullës 89(2)”, thuhet në rregullore.

Pas këtij afati 30-ditësh, gjyqtari i Procedurës Paraprake ka edhe 21 ditë që të vendosë për to.

“Mocionet e lartpërmendura bëhen me shkrim dhe dorëzohen brenda tridhjetë (30) ditësh pas nxjerrjes së të gjithë materialit dhe deklaratave të përmendura në rregullën 102(1)(a). Vendimet në lidhje me këto mocione merren brenda njëzet e një (21) ditësh pas dorëzimit të parashtrimit të fundit, ose para deklaratave hyrëse sipas rregullës 126, në datën më të mëhershme”, thuhet në paragrafin e dytë të rregullit 97. Por jo të gjitha vendimet e Dhomave të Specializuara janë të apelueshme.

Rregulli 77 i Rregullores për Procedura dhe Prova parasheh që për vendimet që nuk janë të apelueshme, atëherë nevojitet një leje për apelim.

Nëse leja miratohet, trupi gjykues ka 7 ditë të tjera që të marrë vendim në lidhje me një parashtresë ose mocion.

“1.Trupi gjykues nxjerr vendim me arsyetim brenda shtatë (7) ditësh prej parashtrimit të fundit të palëve apo kur është e zbatueshme, Mbrojtësit të Viktimave, dhe identifikon çështjen apo çështjet, nëse ka të tilla, lidhur me të cilën apo të cilat miratohet leja. 2.Në rast se trupi gjykues nuk nxjerr vendimin brenda afatit të paraparë, leja për apelim konsiderohet e miratuar”, thuhet në rregullën 77.

Pasi që të ndodh kjo, gjyqtari i Procedurës Paraprake, ka 30 ditë, që të dorëzojë lëndën tek trupi gjykues që do merret me gjykimin e rastit.

“Pas marrjes së parashtrimeve nga Prokurori i Specializuar dhe Mbrojtja bazuar në rregullën 95(4- 5) dhe rregullën 97 dhe brenda tridhjetë (30) ditësh pas marrjes se çdo vendimi të formës së prerë në lidhje me mocione paraprake, gjykatësi i procedurës paraprake i jep trupit gjykues dosjen e plotë të çështjes gjyqësore”, thuhet në rregullin 98.

Përsëri nuk nis procesi gjyqësor në formën e gjykimit të mirëfilltë.

Edhe trupi gjykues mban konferencë ose seancë statusore.

“Pas marrjes së dosjes së çështjes në bazë të rregullës 98, trupi gjykues mban një konferencë përgatitore për gjykimin me palët dhe, kur është e zbatueshme, me Mbrojtësin e Viktimave”, thuhet në rregullin 117.

Sërish ka procedura të tjera, para së procesi gjyqësor të nisë. Në seancën statusore, tashmë të trupit gjykues, jepet një afat kur mund të bëhen mocionet ose kundërshtimet.

“Në konferencë përgatitore për gjykimin dhe pasi të ketë dëgjuar palët, trupi gjykues përcakton një afat për çfarëdo mocioni që do të dorëzohet para hapjes së çështjes. Për mocione të tilla vendoset para hapjes së çështjes, përveç se kur trupi gjykues për arsye të vlefshme e shtyn vendimin. Cilado palë që nuk paraqet kundërshtime, ose kërkesa para fazës së gjykimit brenda afatit të përcaktuar nga kryetari i trupit gjykues, nuk lejohet të paraqesë kundërshtime apo kërkesa të tilla, përveçse kur tregon arsye të vlefshme”, thuhet në paragrafin e dytë të nenit 117.

Deri në 30 ditë pas konferencës përgatitore, mbrojtja ka afat për paraqitjen e provave.
“Në konferencën përgatitore për mbrojtjen, trupi gjykues cakton një datë për nisjen e paraqitjes së provave prej mbrojtjes, brenda tridhjetë (30) ditësh pas konferencës përgatitore për mbrojtjen dhe gjithsesi, pas përfundimit të paraqitjes së provave prej Prokurorit të Specializuar sipas rregullës 129”, thuhet në rregullore.

Me pas nis procesi gjyqësor.

Procesi më tej vazhdon, ashtu siç përcaktohen edhe në proceset gjyqësore të Kosovës.

Aktakuza e redaktuar, me vëllim prej 68 faqesh, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin i bën përgjegjës për vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor, të civilëve serbë e komuniteteve të tjera, personave që mbështesnin LDK-në, ose ata që UÇK-ja i konsideronte spiunë ose kolaboracionistë.

Aktakuza përmend 39 lokacione, ku supozohet që janë kryer vrasje, por nuk është dhënë numri i saktë i vrasjeve për të cilat akuzohen krerët e UÇK-së.

Veprat penale sipas aktakuzës janë kryer nga ky grup i përbashkët kriminal sipas cilësimit të Speciales, përmes disa formave, siç janë: ndërmarrje kriminale e përbashkët dhe ndihmë e inkurajim, përndjekje, vrasje e paligjshme, zhdukje me forcë e personave e torturë.

Aktakuza përmend edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të përfshirë në atë çka kjo prokurori e ka konsideruar “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave”, thuhet ndër tjera në aktakuzë.

Megjithatë nuk ka asnjë lloj klasifikimi për statusin e tyre në këtë aktakuzë, duke e shmangur plotësisht fjalën të akuzuar ose të dyshuar për këta emra.

Aktakuza ngre dyshime së një pjesë e tyre u përdorën nga tashmë katërshja e akuzuar për kryerjen e veprave penale. Sabit Geci e Latif Gashi përmenden drejtpërdrejt si kryerës të krimeve. Gjatë kësaj jave, paraqitjen e parë do ta kenë edhe Veseli e Selimi.

KOHA.NET

Shto Koment