Bota

Moderna kërkon miratimin e vaksinës nga autoritetet amerikane

Administrata amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet tha se një komision këshillimor do të mblidhet për të diskutuar kërkesën më 17 dhjetor, duke e bërë vaksinën kandidate të Modernës kandidaten e dytë me sukses të lartë që do të merrte miratim nga autoritetet amerikane me premtimin për të filluar fazat e para të vaksinimit brenda vitit 2020.
Featured image of article: Moderna kërkon miratimin e vaksinës nga autoritetet amerikane Foto ilustruse

Kompania Moderna njoftoi të hënën se ka kërkuar autorizim emergjent në SHBA për vaksinën e saj kundër COVID-19, pasi rezultatet nga një studim në shkallë të gjerë treguan sukses prej 94.1% kundër sëmundjes, pa shqetësime serioze për efekte anësore.

Administrata amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet tha se një komision këshillimor do të mblidhet për të diskutuar kërkesën më 17 dhjetor, duke e bërë vaksinën kandidate të Modernës kandidaten e dytë me sukses të lartë që do të merrte miratim nga autoritetet amerikane me premtimin për të filluar fazat e para të vaksinimit brenda vitit 2020.

Një vaksinë e krijuar nga kompanitë Pfizer Inc dhe BioNTech SE me efektivitet prej 95% në provat e gjera iu dërgua një javë më parë një komisioni ekspertësh për të rishikuar rezultatet. Autoritetet federale amerikane do të vendosin për të dhënë apo jo miratim për përdorim emergjent, pasi komisioni i ekspertëve të japë opinionin e tij.

Moderna, e cila ka në plan të kërkojë miratim edhe nga autoritetet evropiane, njoftoi se suksesi i vaksinës së saj është dëshmuar në mosha, raca, gjini dhe etni të ndryshme dhe shtoi se është 100% e suksesshme në parandalimin e rasteve të rënda të sëmundjes që deri tani kanë shkaktuar afro 1.5 milionë të vdekur në shkallë globale.

“Besojmë se kemi një vaksinë shumë efektive. Tani kemi edhe të dhënat që e provojnë një gjë të tillë,” tha eksperti kryesor mjekësor i kompanisë Moderna, Tal Zaks. “Parashikojmë se do të luajmë një rol të madh në ndryshimin e kursit në këtë pandemi”.

Nga të 196 personat që u sëmurën nga COVID-19 ndër mbi 30,000 vullnetarë, 185 prej tyre kishin marrë placebo dhe 11 ishin injektuar me vaksinën kandidate. Moderna njoftoi 30 raste të rënda, të gjithë nga grupi që kishin marrë placebo.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Aksionet e kompanisë u rritën 3% në mbrëmje, pasi ishin rritur gjatë ditës 20%. Gjatë 2020, aksionet e kësaj kompanie janë ritur rreth 700%.

Përveç aplikimit për autorizim për përdorim emergjent, Moderna tha se do të kërkonte edhe autorizim me kusht nga Agjencia Evropiane e Mjekësisë dhe do të vazhdojë diskutimet me ente të ngjashme rregullatore.

Moderna tha se planifikon të ketë rreth 20 milionë doza të vaksinës së saj gati për transportim në SHBA brenda 2020, një sasi e mjaftueshme për të vaksinuar 10 milionë vetë.

Vaksinat e kompanive Moderna dhe Pfizer/BioNTech përdorin një teknologji të re të quajtur “korrieri sintetik RNA” ndërsa kompani të tjera si AstraZeneca, përdorin metoda të tjera tradicionale.

Pas marrjes së autorizimit Moderna pret që vaksina e saj të transportohet në pika të caktuara të shpërndarjes në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Shpërndarja e vaksinës së saj pritet të jetë më e lehtë se ajo e Pfizer-it sepse ndërsa duhet të ruhet në frigorifer, nuk kërkon temperatura ultra të ftohta të nevojshme në rastin e vaksinës së kompanisë Pfizer.

Marrë nga VOA

Shto Koment