Rajoni

I refuzoi hyrjen në Kosovë presidentit Vuçiç/ Miroslav Lajçak i dërgon një letër zyrtare Hotit: Ky vendim, sinjal negativ për ecurinë e dialogut

Miroslav Lajçak i ka dërguar një letër zyrtare Kryeministrit Avdullah Hoti në shenjë proteste, ku i ka thënë se ky veprim nuk është në përputhje më marrëveshjen për vizitat ndërkombëtare
Featured image of article: I refuzoi hyrjen në Kosovë presidentit Vuçiç/ Miroslav Lajçak i dërgon një letër zyrtare Hotit: Ky vendim, sinjal negativ për ecurinë e dialogut Miroslav Lajçak

PRISHTINË– I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak ka reaguar në lidhje me refuzimin për të vizituar Kosovën të presidentit Aleksandër Vuçiç dhe delegacionin të tij. Sipas mediave të Kosovës, Miroslav Lajçak i ka dërguar një letër zyrtare Kryeministrit Avdullah Hoti në shenjë proteste, ku i ka thënë se ky veprim nuk është në përputhje më marrëveshjen për vizitat zyrtare.

“Siç përcaktohet në Marrëveshjen e Lirisë së Lëvizjes, individët e secilës palë janë në gjendje të udhëtojnë lirisht në territorin e tjetrit. Rregullat specifike zbatohen për personat e secilës palë që mbajnë funksione publike, siç përcaktohet në Marrëveshjet për Vizitat Zyrtare. Marrëveshjet për Vizitat Zyrtare, dhe amendamenti i tyre që është një pjesë integrale e kësaj Marrëveshjeje sigurojnë trajtimin dhe ekzekutimin e rregullt të vizitave zyrtare. Këto rregulla, së bashku me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes kanë rezultuar shumë të dobishme, dhe ato përbëjnë një arritje në punën midis jush dhe Beogradit, e cila duhet të ruhet”, thuhet në letrën e Lajçak.

Gjithashtu në letrën e tij Lajçak ka rikujtuar se vizitat bëjnë pjesë në angazhimet e dialogut që duhet të respektohen si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia dhe mos respektimi i marrëveshjes është një sinjal negativ nga ana e Kosovës në normalizimin e marrëdhënieve midis dy palëve.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Mosrespektimi i këtyre marrëveshjeve dërgon një sinjal shumë negativ për besueshmërinë e Kosovës si palë në procesin e Dialogut. Për më tepër, shkelje të tilla dëmtojnë përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet midis palëve dhe përshkallëzimin e tensioneve në terren,”-ka thënë ai. 

Aleksandër Vuçiç në datën 19 nëntor ka bërë një kërkesë për të vizituar Kosovën e cila është refuzuar. Në kërkesë e paraqitur, përfshihej të shkonte për të vzituar Kosovën, ish shefi i zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç, tashmë ambasadorë në Uashington i Serbisë, shefi i ri Petar Petkoviç dhe ministri aktual i punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin.

(k.a/dosja.al)

Shto Koment