Aktualitet

Komisioni i Ligjeve fal 7200 gjobat që u vendosën gjatë pandemisë, akti normativ kalon në Kuvend, miratohet në parim projektligji për naftën

Gjatë mbledhjes u shqyrtua akti normativ për faljen e gjobave. Fillimisht, në mbledhje u shqyrtua akti Normativ me fuqinë e ligjit nr. 31, datë 7.10.2020 “Për faljen e masave administrative me karakter ndëshkues të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19 dhe familjeve të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore”.
Featured image of article: Komisioni i Ligjeve fal 7200 gjobat që u vendosën gjatë pandemisë, akti normativ kalon në Kuvend, miratohet në parim projektligji për naftën Ulsi Manja

TIRANË– 7200 gjoba që u vendosën gjatë periudhës së karantinës, por dhe më tej janë falur. Vendimi është marrë gjatë ditës së sotme, në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Gjatë mbledhjes u shqyrtua akti normativ për faljen e gjobave. Fillimisht, në mbledhje u shqyrtua akti Normativ me fuqinë e ligjit nr. 31, datë 7.10.2020 “Për faljen e masave administrative me karakter ndëshkues të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19 dhe familjeve të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore”.

Ishte deputetja Klotilda Bushka që e relatoi këtë akt, që në fund u miratua. Znj.Klotilda Bushka gjatë relatimit për komisionin vlerësoi se Akti Normativ është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Pas diskutimeve komisioni miratoi më shumicë votash Aktin Normativ në fjalë dhe ia kaloi për miratim seancës plenare.

Të ftuar në mbledhjen e sotme ishin znj.Romina Kuko, zëvendësministre e Brendshme, znj.Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, znj.Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe znj.Merita Xhafaj, Drejtoreshë e Përgjithshme në MSHMS.

Znj.Kuko sqaroi se nisma për faljen e gjobave është iniciativë e përbashkët e 3 ministrive dhe synon faljen e masave administrative të vendosura gjatë periudhës së pandemisë, por edhe ato të vendosura nga strukturat e njësive të vetëqeverisjes vendore ndaj famijeve të prekura nga tërmetet e datës 21 shtator dhe 26 nëntor 2019 për riparimin/rindërtimin e banesave individuale.  

Më tej u shqyrtua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes për mbështetje teknike ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s për realizimin e projekteve të Kuçovës të financuara nga Programi i Investimeve të NATO-s për Sigurinë vitet 2019-2022”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

I ftuar në mbledhjen e komisionit ishte z. Petro Koçi, zëvendësministër i Mbrojtjes, i cili u ndal tek rëndësia e marrëveshjes me NATO-n, që sipas tij do të ndikojë në modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës dhe kthimin e saj në një bazë ajrore taktike (TACAIR) të NATO-s.

Baza e Kuçovës duke u rindërtuar në standardet e NATOS- dëshmon edhe njëherë rëndësinë politike që ka Republika e Shqipërisë në Rajon, por edhe në kuadër të vetë NATO-s, ajo thekson edhe njehërë mirëbesimin që ka NATO për rolin e Shqipërisë për paqe dhe siguri në rajon dhe nga ana tjetër është një mirënjohje për kontributet e Shqipërisë në misionet ndërkombëtare”, theksoi z.Koçi.  

Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë. Komisioni më tej nisi shqyrtimin në parim të projektligjit “Për censin e popullsisë dhe të banesave”, i cili u prezantua nga z. Agron Tare, zëvendësministër për Europën dhe Punët e Jashtme dhe znj.Elsa Dhuli, Drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT.

Znj.Dhuli gjatë prezantimit u ndal mes të tjerash tek efektet e pritshme të censusit të radhës së popullsisë dhe banesave.  “Treguesit statistikor, jo vetëm do të mundësojnë një panoramë të përditësuar dhe reale mbi situatën demografike dhe sociale në vend, por do të përdoren gjithashtu edhe për zhvillimin e planeve sociale -ekonomike, vendimarrjen, kushtet e aksesit në vendbanime, kërkime shkencore më të thelluara, etj” , u shpreh znj.Dhuli.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme, komisioni miratoi në parim projektligjin në fjalë.

(f.m/dosja.al)

Një Koment në “Komisioni i Ligjeve fal 7200 gjobat që u vendosën gjatë pandemisë, akti normativ kalon në Kuvend, miratohet në parim projektligji për naftën

  1. Nuk është se u falën por ishin jashtëligjore Altin Goxhaj fitoi gjyqin ndaj gjobvënies dhe menjëherë pas kësaj fitoreje qeveria u tërhoq

Shto Koment