Politike

Ministrja Gjonaj vizitë zyrtare në Berlin: Autoritet gjermane vlerësojnë arritjet e Shqipërisë

Në fjalën e saj, Gjonaj paraqiti arritjet dhe ecurinë e deritanishme të Shqipërisë, sa i përket Reformës në Drejtësi, ngritjen dhe funksionimin e organeve të reja, duke theksuar sfidën e zgjedhjes te SPAK, si një strukturë e rëndësishme në luftën efektive kundër korrupsionit.
Featured image of article: Ministrja Gjonaj vizitë zyrtare në Berlin: Autoritet gjermane vlerësojnë arritjet e Shqipërisë Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë e Drejtesisë,  Christian Lange

GJERMANI– Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë ditës së sotme zhvilloi një vizitë zyrtare në Berlin, Gjermani. Në këtë vizitë, Ministrja Gjonaj u prit në një takim nga Ministrja e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit  Katarina Barley dhe Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë e Drejtesisë,  Christian Lange. Promovimi dhe prezantimi i arritjeve të Shqipërisë, veçanërisht për Reformën në Drejtësi, ishin fokusi kryesor i vizitës.

Në fjalën e saj, Gjonaj paraqiti arritjet dhe ecurinë e deritanishme të Shqipërisë, sa i përket Reformës në Drejtësi, ngritjen dhe funksionimin e organeve të reja, duke theksuar sfidën e zgjedhjes te SPAK, si një strukturë e rëndësishme në luftën efektive kundër korrupsionit. Në këtë takim që Ministrja Gjonaj zhvilloi me homologen e saj, Barley dhe z. Lange shtoi se tashmë Reforma në Drejtësi nuk ka më kthim mbrapa dhe duhet të çohet deri në fund, pasi është e rëndësishme që Shqipëria të jetë një vend sa më i sigurt dhe me stabilitet.

Në vijim, Gjonaj e njohu Ministren federale gjermane znj. Barley edhe me reformimin e sistemit penitenciar, si një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë dhe hapat që po ndiqen në forcimin e sigurisë në burgje, në uljen e korrupsionit dhe në garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve në institucionet penale. Ministrja e Drejtësisë, znj. Barley nga ana e saj theksoi se Reforma në Drejtësi është një shembull pozitiv dhe është pritur shumë mirë në Gjermani si dhe në vendet e tjera të BE-së. "Shqipëria duhet të vazhdojë në rrugën e reformave", citoi Barley.

Gjithashtu ditën e sotme Ministrja Gjonaj dhe delegacioni shoqërues u pritën në një takim nga Sekretari Parlamentar i Shtetit, në Ministrinë e Brendshme për të cilën z. Stefan Mayer, tregoi një interes të veçantë. Ministrja Gjonaj e informoi mbi ecurinë e zbatimit të Planit të Masave të Strategjisë Kombëtare Antikorrupsion si dhe rezultatet konkrete të deritanishme të arritura nëpërmjet Task Forcës Antikorrupsion, si një mekanizëm ndërinstitucional i ngritur nga Qeveria Shqiptare, për luftën kundër korrupsionit.

Mayer u shpreh se qeveria gjermane do të vazhdoj të mbështesi Shqipërinë me anë të projektit të Binjakëzimit për të rritur më tej njohjen dhe perceptimin e publikut ndaj masave të marra në luftën kundër korruspionit. Ai vlerësoi si të rëndësishme krahas forcimit të shtetit ligjor edhe zhvillimin e ekonomisë duke përgëzuar Shqipërinë për rritjen ekonomike konstatuar edhe përgjatë vizitës së tij më të fundit në Tiranë në tetorin e vitit të kaluar. Nga ana e tij, z. Mayer shprehu bindjen se anëtarsimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, mbetet një çështje prioritare për shtetet e BE-së, veçanërisht për Gjermaninë.

Gjithashtu z. Mayer vlerësoi rezultatet e arritura nga procesi i reformave të ndërmarra në

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Shqipëri dhe inkurajoi më tej procesin e vet-administrimit të Prokurorive dhe Gjykatave.

Vlerësoj arritjet dhe përpjekjet e ndërmarra nga Shqipëria për forcimin e shtetit ligjor, të rëndësishme në këtë periudhe kohore për anëtarsimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, citoi z. Mayer.

Sekretari Mayer gjithashtu siguroi Ministren Gjonaj, për mbështetjen e Gjermanisë në luftën kundër krimit të organizuar. Në përfundim të fjalës së tij duke siguruar bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy vendeve, nxiti vijimin e proceseve reformuese të ndërmarra në funksion të procesit të anëtarsimit në BE, duke theksuar rolin e Shqipërisë si një nga shtyllat kryesore në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë vizitës së saj, Gjonaj u shoqërua nga Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Genti Ibrahimi dhe Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami Kryetarët e të dy Këshillave, KLP dhe KLGJ, te cilët paraqitën mënyrën e funksionimit të dy institucioneve të reja të drejtësisë dhe informuan mbi rezultatet konkrete të arritura deri tani nga këto organe, në mbështetje të reformës në Drejtësi në krijimin e një sistemi gjyqësor të paanshëm dhe të pavarur. Në përfundim të takimeve të ditës së sotme Ministrja e Drejtësisë,  Gjonaj, falenderoi nga ana e saj, homologen znj. Barley, Lange dhe z. Mayer, për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në hapjen e negociatave dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment