Rajoni

Ministritë e Jashtme të Gjermanisë e Francës kërkojnë që të shtyhet votimi për rrëzimin e qeverisë në Kosovë

Ditën e sotme pritet të mbahet seanca në Kuvendin e Kosovës për mocionin e mosbesimit për qeverinë Kurti. Sipas LDK-së shkak për këtë mocion është bërë vendimi i kryeministrit Albin Kurti për të shkarkuar Agim Veliun dhe vonesa për të hequr taksën ndaj mallrave serbe.
Featured image of article: Ministritë e Jashtme të Gjermanisë e Francës kërkojnë që të shtyhet votimi për rrëzimin e qeverisë në Kosovë Flamuri gjerman dhe ai francez

Kosovë-Gjermania dhe Franca kanë kërkuar që të shtyhet votimi i sotëm në Kuvendin e Kosovës për rrëzimin e qeverisë. Nëpërmjet një deklarate të përbashkët ministria e Jashtme gjermane dhe ajo franceze kanë bërë thirrje,  që mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Kurti të shtyhet, pasi duhet t’i kushtohet një vëmendje shumë e madhe luftës ndaj COVID-19.

“Franca dhe Gjermania janë të shqetësuara për situatën politike në Kosovë, në një kohë kur uniteti politik është i nevojshëm për të përballuar krizën me COVID-19. Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme dhe plotësisht funksionale për t’u marrë me krizën. Prandaj, ne bëjmë thirrje që votimi i mosbesimit ndaj Qeverisë të rishqyrtohet apo të shtyhet. Ne kujtojmë mbështetjen tonë për prioritetet e Qeverisë kosovare, si luftimi i korrupsionit dhe mbështetja e zhvillimit socio-ekonomik. Ne qëndrojmë të gatshëm për të rritur mbështetjen tonë konkrete për Kosovën në këto fusha. Sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ne presim që të dyja palët t’i ndërmarrin masat e nevojshme për t’i hequr pengesat ndaj vazhdimit të dialogut. Ne e mirëpresim synimin e kryeministrit Kurti për të rifilluar dialogun me Serbinë, dhe për t’i përfshirë të gjithë aktorët, në mënyrë që Kosova të flasë me një zë. Vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës më 20 mars, për të hequr tarifën prej 100 për qind ndaj lëndës së parë, është një hap i parë i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Ne presim që tarifat do të hiqen plotësisht nga 1 prilli, dhe presim që edhe Serbia të veprojë”, thuhet në deklaratë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ditën e sotme pritet të mbahet seanca për mocionin e mosbesimit për qeverinë Kurti dhe këtë e ka kërkuar partneri i koalicionit, LDK. Shkak për këtë mocion, sipas LDK-së, është bërë vendimi i kryeministrit Albin Kurti për të shkarkuar Agim Veliun nga posti i ministrit të Brendshëm dhe mos-heqja e menjëhershme tarifës 100% ndaj mallrave serbe e boshnjake.

J.V/Dosja.al 

Shto Koment