Aktualitet

Meta uron për Pashkët, ka një mesazh për politikën: Të dalim mbi interesat personale

Meta ka uruar të gjithë besimtarët katolikë për Pashkët. Ai u ka dërguar një mesazh edhe politikanëve.
Featured image of article: Meta uron për Pashkët, ka një mesazh për politikën: Të dalim mbi interesat personale Ilir Meta

TIRANË- Presidenti Ilir Meta, ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Pashkëve. Meta në Urimin e tij thotë se kjo festë duhet të jetë një moment reflektimi dhe se kjo ditë e shenjtë na ofron sërish mundësinë që secili prej nesh të përmbushë detyrat e përgjegjësitë e veta.

Më tej ai nuk ka lënë pa përcjellë një mesazh edhe për politikën, e cila nuk ndodhet në ditët e saj më të mira, ku opozita ndodhet jashtë Kuvendi, pas djegies së mandateve.

Lidhur me këtë Meta shkruan: “T’i vërtetojmë botës e familjes europiane se vlerat e vyera të kombit tonë me të cilat krenohemi, triumfojnë mbi egon dhe interesat personale të secilit prej nesh.

Jam i bindur se shqiptarët gjithmonë kanë pasur aftësinë e mençurinë, por edhe kanë ditur të gjejnë mirëkuptimin e të forcojnë bashkëpunimin për hir të interesit kombëtar”.

Mesazhi i plotë:

Të dashur besimtarë katolikë dhe ungjillorë!

U uroj nga zemra ju dhe të gjithë shqiptarëve: Gëzuar dhe për shumë vjet Pashkët, festën e Ringjalljes, festën e jetës dhe të dritës!

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Falë besimit të palëkundur në Zot, që ripërtërihet e shumëfishohet në këtë ditë të shenjtë, le të rigjejmë brenda vetes dhe shoqërisë sonë, forcën dhe kurajon për të menduar, jetuar dhe punuar në harmoni e begati, sinqeritet, solidaritet e bashkëpunim, për një të nesërme më të mirë, për të ardhmen e lumtur të vendit e popullit tonë.

Festa frymëzuese e Pashkëve është një moment reflektimi. Kjo ditë e shenjtë na ofron sërish mundësinë që secili prej nesh të përmbushë detyrat e përgjegjësitë e veta, jo vetëm para Zotit, por edhe ndaj njëri-tjetrit, çdo ditë e parreshtur, duke u përpjekur që krahas bashkëjetesës së shkëlqyer fetare, t’i vërtetojmë botës e familjes europiane se vlerat e vyera të kombit tonë me të cilat krenohemi, triumfojnë mbi egon dhe interesat personale të secilit prej nesh. Jam i bindur se shqiptarët gjithmonë kanë pasur aftësinë e mençurinë, por edhe kanë ditur të gjejnë mirëkuptimin e të forcojnë bashkëpunimin për hir të interesit kombëtar.

Sot gjithashtu kemi nevojë të reflektojmë për më shumë vëmendje edhe ndaj shtresave në nevojë, të pamundurve e të sëmurëve, fëmijëve e të moshuarve, të cilët meritojnë solidaritet e dashuri më të madhe prej nesh.

Në vigjilje të kësaj dite të shenjtë, uroj që mbarësia, paqja, begatia dhe lumturia të mbizotërojë tek familjet tona!

GËZUAR PASHKËT

(B.B/ Dosja.al)

Shto Koment