Politike

Meta tregon historinë e Qazim Mulletit në Pezë: Zgjedhjet i shtyva për të shpëtuar Ramën

Meta tha se opozita nuk kishte çfarë të humbiste, prandaj shtyrja e zgjedhjeve ishte vetëm në favor të Kryeministrit.
Featured image of article: Meta tregon historinë e Qazim Mulletit në Pezë: Zgjedhjet i shtyva për të shpëtuar Ramën Ilir Meta, Edi Rama dhe Qazim Mulleti

TIRANË- Presidenti Ilir Meta sot ka treguar se me vendimin e tij për të shtyrë zgjedhjet në 30 qershor e kishte marrë për të shpëtuar Ramën. Meta tha se opozita nuk kishte çfarë të humbiste, prandaj shtyrja e zgjedhjeve ishte vetëm në favor të Kryeministrit.

Për të ilustruar, Meta i ftuar në ‘Open’ tregoi dhe një histori me Qazim Mulletin në Pezë, ku shtoi se kundërshtarit gjithmonë duhet t’i lësh një rrugë të lirë.

Do t’i kishit shtyrë zoti President zgjedhjet e 30 qershorit vetëm për të shpëtuar politikisht opozitën? Ju akuzoheni për këtë, po ju vetë a do ta kishit bërë këtë?

Po unë e bëra për të shpëtuar Edi Ramën, se opozita nuk kishte çfarë të humbiste më shumë. Çfarë do të humbiste opozita?

Pse do ta shpëtonit Edi Ramën, kur duket se është një rival i juaj?

Po unë doja ta shpëtoja Edi Ramën, sepse Edi Rama ka harruar historinë e Qazim Mulletit, dhe meqenëse e ka harruar mund t’ia tregojnë në Pezë, se atje ia kanë treguar dhe e kam dëgjuar dhe unë për herë të parë nga një veteran.

Kishin rrethuar Kajo Karafilin këta njerëzit e Qazim Mulletit këtu në Tiranë, edhe i thonë Qazim Mulletit që i kemi rrethuar Kajon dhe ja kemi mbyllur të gjitha shtigjet dhe do ta këpusim. Vërtetë, i thotë ai? Po, nuk ka shteg ku del ai i gjallë nga Tirana do ta zhdukim, i thonë! Budallenj, tha, lërini një shteg të ikë shpejt se përndryshe do na vijë këtu tha dhe do na bëj copë-copë!

Kështu që morali është ky: që kundërshtarit lëri gjithmonë një shteg të hapur, përndryshe përplasjen asnjëherë nuk mund ta parashikosh se çfarë pasojash mund të ketë. Qazim Mulleti ka qenë njeri i mençur, lerë se çfarë thoshin ata se ju duhej për qëllime propagandistike, por ka qenë njeri shumë i mençur. Në Pezë e kam mësuar këtë histori se atje për Kajo Karafilin dhe për Babë Myslymin flasin gjithë ditën.  

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment