Politike

Meta takohet me kreun e KLP-së: Do mbështes zgjedhjen e kryeprokuorit të ri

Më tej shtohet se Meta e siguroi kreun e KLP për mbështetjen e pa kursyer në përmbylljen me sukses të procesit të ngritjes së Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion.
Featured image of article: Meta takohet me kreun e KLP-së: Do mbështes zgjedhjen e kryeprokuorit të ri Genti Ibrahimi dhe Ilir Meta

TIRANË- Presidenti i Republikës Ilir Meta ka pritur sot në një takim Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimin. Sipas një njoftimi nga Presidenca, bëhet me dije se kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë e informoi Kreun e Shtetit për hapat e mëtejshëm dhe koordinimin ndërmjet të gjithë institucioneve të përfshira në procesin e konstituimit të Prokurorisë së Posaçme.

Më tej shtohet se Meta e siguroi kreun e KLP për mbështetjen e pa kursyer në përmbylljen me sukses të procesit të ngritjes së Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion.

Presidenti Meta i bëri me dije kryetarit të KLP-së, se pavarësisht rezervave që ai ka patur në lidhje me zgjedhjen antikushtetuese të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm dhe vonesat në krijimin e këtyre institucioneve të reja, do të mbështesë maksimalisht këtë proces në mënyrë që këto organe kaq të rëndësishme të drejtësisë penale të jenë sa më shpejt funksionale dhe që procedura e konstituimit të tyre të kryhet brenda një kohe sa më shpejt të jetë e mundur.

Në fund shtohet se Presidenti i Republikës do të përmbushë çdo detyrim që do t’i kërkohet sa më parë të jetë e mundur në përputhje me ligjin dhe frymën e Kushtetutës.

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar ditët e fundit takime me aktorë të ndryshëm politikë dhe jo politikë për të diskutuar për krizën që po kalon vendi. Ditën e djeshme Meta priti në zyrën drejtuesit e opozitës jashtë parlamentare dhe në një takim tjetër ish-presidentin Rexhep Mejdani. Ndërkohë sot Meta ka zhvilluar dhe një takim me ish-Presidentin dhe ish-Kryeministrin, Sali Berisha.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment