
TIRANË- Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ditën e sotme ka pritur në takim përfaqësinë e Aleancës Kosovare të Bizneseve. Meta në një postim që ka bërë në rrjetet sociale bën me dije se në takim është njohur me shqetësimet lidhur me rënien e shkëmbimeve tregtare Kosovë-Shqipëri si dhe shtimin e pengesave administrative e infrastrukturore, si pasojë e COVID-19. Po ashtu kreu i shtetit thotë se duke marrë parasysh situatën e Covid-19, do të merren masa të menjëhershme për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.
Postimi i Metës
Prita sot në Presidencë një përfaqësi të Aleancës Kosovare të Bizneseve, me të cilët ndamë ide të vyera mbi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik të sipërmarrjeve në nivel kombëtar. U njoha me shqetësimet e drejta të tyre për rënien e volumit të shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve tona, si pasojë e COVID-19, shtimit të pengesave administrative e infrastrukturore, si dhe rritjes se barrës, kryesisht jo tarifore. Në kushtet aktuale të pandemisë, theksuam domosdoshmërinë e marrjes së masave të menjëhershme, për të siguruar vijimësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregëtar, si dhe rritjen e mbështetjes nga ana qeverive për bizneset e prekura në të dyja vendet, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë e Kosovës.
(A.k.dosja.al)