Politike

Meta letër homologes zviceriane për 50-vjetorin e marrëdhënieve mes dy vendeve: Mirënjohës që vendi juaj ka mbështetur vazhdimisht Shqipërinë

Presidenti Ilir Meta në 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Zvicrën, ka falenderuar homologen zviceriane për mbështetjen që ka dhënë shteti i saj për Shqipërinë.
Featured image of article: Meta letër homologes zviceriane për 50-vjetorin e marrëdhënieve mes dy vendeve: Mirënjohës që vendi juaj ka mbështetur vazhdimisht Shqipërinë Presidentja e Zvicrës, Simonetta Sommaruga dhe Ilir Meta

TIRANË -Presidenti Ilir Meta, ka falenderuar homologen zviceriane, Simonetta Sommaruga, me rastin e 50 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, për mbështetjen që ka dhënë Zvicra në konsolidimin e institucioneve shqiptare dhe qeverisjes demokratike. Nëpërmjet një letre, kreu i shtetit i ka shprehur gjithashtu Sommarugës, mirënjohjen për  kontributin e Zvicrës në konferencën e donatorëve. Njëkohësisht Meta ka vlerësuar rolin e komunitetit shqiptar në Zvicër, për të cilin thotë se ka shpërbyer si një urë lidhëse ndërmjet vendve tona.

Letra e Metës

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

E nderuar Zonja Presidente,
Me rastin e 50 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, në emrin tim dhe atë të popullit shqiptar, jam i lumtur që kam mundësinë të ndaj kënaqësinë e festimit të këtij momenti të mrekullueshëm me Shkëlqesinë Tuaj dhe popullin zviceran. Ne gëzohemi sot për lidhjet miqësore të shumëfishta dhe të vërteta, që Shqipëria dhe Zvicra kanë zhvilluar ndër vite. Ne jemi mirënjohës që vendi Juaj ka mbështetur vazhdimisht Shqipërinë drejt konsolidimit të institucioneve shqiptare dhe qeverisjes demokratike; zhvillimet e bëra në sektorë të tillë si ekonomia, infrastruktura dhe energjia, si dhe sistemi i kujdesit shëndetësor. Duke folur për këto zhvillime shumë pozitive, unë jam shumë mirënjohës që Zvicra, si një nga investitorët e parë në Shqipëri, vazhdon të jetë një kontribuese e shkëlqyer për përparimin e vendit. Shfrytëzoj këtë rast për t’Ju falënderuar për ndihmën e menjëhershme dhe të jashtëzakonshme që Zvicra i ofroi Shqipërisë për t’u përballur me pasojat e tërmetit ë 26 nëntorit 2019, gjithashtu edhe për angazhimin e saj konkret në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve. Gjithashtu, më lejoni të shpreh mirënjohjen time edhe për ndihmën që Zvicra i dha Shqipërisë në përballimin e pandemisë Covid-19. Unë e vlerësoj shumë rolin e komunitetit shqiptar në Zvicër. Falë përkrahjes dhe mundësive që ka krijuar Zvicra, ky komunitet është i integruar më së miri dhe ka kontribuar vazhdimisht në forcimin e marrëdhënieve tona, duke shërbyer kështu si një urë lidhëse për miqësinë afatgjatë dhe të fortë midis kombeve tona.
Jam shpresëplot për këtë Jubile të Artë që lidhjet dhe bashkëpunimi ynë i përhershëm i miqësisë do të lulëzojnë dhe rriten më tej në dobi të dy vendeve dhe popujve tanë.
Duke shprehur edhe një herë urimet e mia më të përzemërta për 50 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, Ju lutemi, Shkëlqesia Juaj, pranoni vlerësimit tim më të lartë.

(g.sh./dosja.al)

Shto Koment