Politike

Meta kujton 32-vjetorin e vrasjes së poetit Havzi Nela: Vargjet e tij gjëmojnë dhe sot, litari i xhelatëve nuk do vrasë kurrë demokracinë

Meta shkruan se  litari i xhelatëve që i mori frymën e fundit poetit dhe martirit Havzi Nela, nuk do mundë kurrë të vrasë demokracinë.
Featured image of article: Meta kujton 32-vjetorin e vrasjes së poetit Havzi Nela: Vargjet e tij gjëmojnë dhe sot, litari i xhelatëve nuk do vrasë kurrë demokracinë Havzi Nela dhe Ilir Meta

TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka kujtuar sot 32-vjetorin e vrasjes së poetit Havzi Nela. Në një postim në mediat sociale, Meta shkruan se  litari i xhelatëve që i mori frymën e fundit poetit dhe martirit Havzi Nela, nuk do mundë kurrë të vrasë demokracinë.

Meta ka zgjedhur të shoqërojë shkrimin e tij me poezinë  “O liri, o vdekje” dhe shton se vargjet e shkruara nga Nela shumë vite më parë edhe sot gjëmojnë me një forcë të jashtëzakonshme.

POSTIMI I PLOTË

Litari i xhelatëve që i shteri frymën e fundit poetit disident dhe martirit të fjalës së lirë Havzi Nela, nuk do mundë kurrë të vrasë demokracinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut, si dhe ëndrrën e çdo shqiptari për një Shqipëri si gjithë Europa.

“Liria më thërret, vdekja nuk më tund”, vargjet e poezisë së Havzni Nelës edhe sot gjëmojnë me një forcë të jashtëzakonshme:

O LIRI, O VDEKJE

Nuk them se jam trim, jo as frikacak/ Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi/ Vdekja për liri nuk më tremb aspak/ S’e duron robninë zemra e nji trimi?!

Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!/ Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue/ T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes. Kët s’ia fali vetes, kjo m’ban me u mendue.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?. Veç me përtyp bukë, me u rropatë si kalë?/ Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie/ Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.

Deri kur durim, deri kur me shpresë?/ Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk due/ Me durim e shpresë nuk due të vdes/ Si jeta dhe vdekja duhen meritue.

S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri/ Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund./ Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!. Liria më thërret, vdekja nuk më tund.

Arrën, Nandor 1987 🇦🇱

Ky mesazh i Metës bëhet për 32-vjetorin e vrasjes së Havzi Nelës. Poeti u shpall armik i pushteti komunist dhe pas shumë vitesh burgim, u vendos që ai të vritej.  Më 10 gusht 1988, ai u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit.

Pasi u ekspozua gjatë gjithë ditës më 10 gusht, 1988, në mesnatë terroristët komunistët e morën trupin e tij dhe e futën atë vertikalisht në një vrimë të krijuar nga heqja e një shtyllë druri. Ai ishte i privuar nga mundësia për tu shtrirë si të gjithë të vdekurit. Ai qëndroi në këmbët e tij për pesë vjet dhe dhjetë ditë, deri më 20 gusht 1993. Pas përpjekjeve të shumta nga qeveria demokratike e Shqipërisë, kjo ishte dita që u bë e mundur që të gjendej vendi, i mbuluar me gurë dhe shkurre pranë fshatit Kolsh, dy kilometra larg nga Kukësi. Me dekretin presidencial të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, Havzi Nelës i është dhënë titulli “Dëshmor i Demokracisë.”

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment