
TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka komentuar deklaratën e homologut të tij Hashim Thaçi, të pak minutave më parë, ku foli për herë të parë pas ngritjes së aktakuzës për krime lufte nga Prokuroria Speciale. Meta u shpreh nga studio e “Çim Peka Live”, se Thaçi është i lënduar pasi është i bindur në pafajësinë e tij, ndërsa e quajti korrekte deklaratën e tij.
“Presidenti Thaçi është i lënduar sepse është bindur në pafajësinë e tij. Kjo është një gjë me të cilën ne jemi mësuar sepse edhe të tjerë të UÇK janë akuzuar dhe janë ndeshur me tribunalin ndërkombëtar”, u shpreh Meta.
Në deklaratën e mbrëmjes së sotme, Thaçi mohoi kategorikisht të ketë kryer krime lufte. Ai premtoi se nëse akuzat ndaj tij do të verifikoheshin, ai do të hiqte dorë nga posti i presidentit për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare. Kreu i shtetit të Kosovës, e cilësoi të dyshimtë kohën kur u publikuan akuzat duke premtuar se me zbardhjen e “rastësisë” do të jepet edhe përgjigjia por në kohën e duhur.
(g.sh./dosja.al)